Kolumnist

“Ballkani i hapur”, Ballkan i shqyer - Nga Lisen Bashkurti

Nga Mostari në Ibër: “Ballkani i Hapur” me ura që ndajnë

“Federata Ballkanike”, “Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene”, “Jugosllavia e parë”, “Federata Jugosllave Socialiste”, “Jugosllavia e mbetur”, “Unioni Serbi-Mali i Zi”, “Bota Serbe”. Sa shumë emra të një aksi me Beogradin përreth dhe më së shumti në qendër. E tash na vjen si nëpër mjegullnajën e së kaluarës edhe “Ballkani i Hapur”. Asgjë e re, dëgjesë e rëndomtë, trill i stërkonsumuar, ose më saktë...

1. Arrnë e “bukur” mbi thes të shqyer

“Ballkani i Hapur”, sa fjalë të bukura mbi realitete të trishta! Dhe vijnë këto fjalë mbas afro 20 vitesh plot luftra e konflikte. 20 e ca vjet më parë Serbia “kafshonte” njëri pas tjetrit popujt fqinjë. 20 e ca vjet më parë Ballkani mbushej me varre masive. 20 e ca vjet më parë Ballkani ngjante me një fabrikë ksenofobish plot urrejte, frikë dhe armiqësi. 20 e ca vjet më parë Kosova dhe populli i saj rrezikoheshin seriozisht nga shfarosja prej genocidit serb...

“Ballkani i Hapur”, por nga kush u pat mbyllur?! E pati mbyllur revanshizmi i nacionalizmit të shfrenuar, barbar serb. E pati mbyllur etja për territore, popuj e pasuri të pamerituara. E pati mbyllur ëndrra për dominim politik, nacional, etnik, religjioz. E pati mbyllur dora e zgjatur dhe e fshehtë e lakmive gjeopolitike për të dalë nga Stepat e ngrira në detet e ngrohta të Mesdheut. E pati mbyllur edhe harresa e Perëndimit për këtë gadishull që qëndronte si briri i buallit në mes të syrit të Evropës së bukur...

2. Urat që ndajnë

20 e ca vjet më parë bombardimet shembën Urën e Mostarit në Bosnje-Hercegovinë. Ajo ure ishte simbol i lidhjeve, komunikimit, bashkëjetesës midis popujve tejpertej barrierave natyrore, historike dhe etnokulturore.

Shembja e Urës së Mostarit kishte një simbolikë ogurzeze. Po shembej në kohë moderne ajo urë që ishte ndërtuar në Mesjetë. Po rrënohej në mes të Evropës së Bashkuar paqësore e demokratike një urë që u kishte mbijetuar kryqëzatave, perandorive dhe luftrave te pafund. Po shkaterrohej nje lidhje ndër popuj pak vjet mbas heqjes së barrierës së Murit të Berlinit...

Një histori e përafert ndodhi në Kosovë mbas Luftes së vitit 1999 me Urën e Ibrit. Po Ura e Ibrit në Kosovë nuk u shemb, por u mbyll. Në fund të fundit, pasoja ishte e njejtë. Një urë e shembur dhe një urë e mbyllur. Në bote urat i shërbejnë lidhjeve. Në Ballkan duket se jo.

3. Histori paradoksesh e kundërshtish

Kur Ura e Mostarit po ringrihej, një tjetër urë në Ballkan po mbyllej. Ishte Ura e Ibrit në Veri të Kosovës. Aty ngeci procesi historik i Kosovës 1999, e vazhdoi kjo urë pa rrugë, ose kjo rrugë pa kalim deri në ditët e sotme.

Ura e Ibrit ishte bërë simbol i trashëgimisë të së keqes. Ishte shenjë e ndasive etnike, urrejtjes, frikës dhe armiqësisë midis dy popujve. Ajo urë tregonte mosfunksionimin e shtetit të Kosovës dhe nderhyrjen brutale paralizuese nga ana e politikës zyrtare të Beogradit.

Më së fundi, Ura e Ibrit e mbuluar me tela me gjemba reflektonte edhe përplasjet gjeopolitike të fuqive e shteteve të ndryshme ndërkombëtare në këtë qoshe të vogël të Ballkanit.

4. Asosiacioni urë ndarëse brenda Kosovës

Sot mund te pyesin shume njerëz: A po hapet komunikimi në dy anët e urës së Ibrit? A mund të mendojmë se shteti i Kosovës do shtrije funksionimin e tij përtej kësaj ure? A hoqi dore pakica serbe nga rebelimi kundër Prishtinës dhe nga orientimi nga Beogradi? A filloi kështu procesi i pajtimit të brendshëm shqiptaro-serb? E më në fund, a do rreshtin me këtë hapje ure edhe përpjekjet e tjera për jetë e institucione paralele të pakicave serbe në brendësi të Kosovës?

Përgjigja e këtyre pyetjeve na erdhi vite më parë, kur akoma pa u pastruar Ura e Ibrit nga telat me gjemba të së kaluarës, hidheshin idete ogurzeza të nxjerra nga sëndukët mesjetarë të Vidvodanit për ngritjen e asosiacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

Shqetësim për asosiacionin shfaqin herë pas here edhe diplomatë rusë nga Beogradi në Kremlin. Madje Kremlini në nivelet më të larta është shprehur i brengosur për vonesën në ngritjen e asosiacionit serb në brendësi të Kosovës.

Ky alarm serbo-rus për mosngritjen e asosiacionit të komunave me shumicë serbe në Kosove ka një prapavijë të qartë strategjike. Përmes atij asosiacioni synohet të mbyllen ura të tjera në brendësi të Kosovës, të krijohen enklava që lidhen ndërmjet tyre, të paralelizohen ndarjet etnike, të ngrihet një “Republika serpska” në mbarë Kosovën.

5. Referendum ala rus në Ballkanin europian

Mbas krijimit të asosiacionit ts pakicave serbe në Kosove zgjidhja madhore do vijë nga modeli rus. Ashtu sikundër “Republika serpska” në Bosnje-Hercegovinë kërkon referendum për ndarje nga Federata e Bosnje-Hercegovinës, edhe ky asosiacion mund të iniciojë një referendum të tillë në momentin e përshtatshëm për Serbinë.

Referendume të tilla e kanë frymëzimin tek referendumi spektakolar i Krimesë, i nxitur, i realizuar dhe i përmbushur nga Rusia. Referendumi spektakolar i Rusisë e shkëputi me dhunë Krimenë nga tëresia territoriale e Ukrainës.

I njejti skenar, me të njejtën strategji po ndiqet nga Serbia në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë. Në Bosnjë struktura serbe është gati. Republika Serpska zotëron rreth 51 përqind të territorit të Federatës.

Ndërkohë në Kosovë, Serbia nuk ka strukturë të gatshme. Mitrovica e Veriut nuk ia përmbushi këte mision.  Prandaj po hapet Ura e Ibrit që të krijohet mjedisi për depertimin e Serbisë në tërë Kosovën nëpermjet krijimit të asosiacionit famëkeq.

6. Shitet si europian, një model i kundërt

“Ballkani i Hapur” po shitet si model europian. Pikerisht si model i pajtimit Franko-Gjerman.  Ne fakt nuk ka lidhje me atë model, bile është e kundërta e tij.

Gjermania kaloi nga totalitarizmi hitlerian në demokraci nëpërmjet tre reformave të thella, të shpejta dhe gjithpërfshirëse: denazifikimin, demilitarizimin dhe demokratizimin. Këto tre reforma realizuan apologjinë gjermane përballë gjithë botës. Ishte një përballje e plotë me të kaluarën, apologji dhe reparacione.

Serbia nuk ka ndërmarrë reforma të thella për kalimin nga totalitarizmi në demokraci. Demilloshevizimi nuk është bërë tëreësisht dhe rrënjësisht. Në Serbi millosheviçianët jetojnë e udhëheqin pa Millosheviçin. Në Serbi demilitarizimi jo vetëm nuk është bërë, por është bërë ruso-militarizimi i vendit.  Në Serbi demokratizimi ka ngecur nga autoritarizmi i Vuçiçit dhe klanit të tij.

Serbia akoma as apologji nuk i ka kerkuar Kosovës për gjenocidin, krimet, zhdukjen e njerëzve dhe rrënimet e shkaktuara gjatë viteve 1989-1999. Serbia nuk ka kryer asnjë reparacion për dëmet e luftës mbi ekonominë e Kosovës.  Populli i Kosovës është mjaft falës. Ai di të falë, por kurrë nuk harron.

Epilogu: “Ballkan i hapur” me ura të mbyllura

Ura e Ibrit do hapet, por dilema është: do shtrihet shteti i Kosovës përtej në Veriun e vet, apo do shtrihet asosiacioni i shtetit serb në brendësi të Kosovës.

Urat janë me shumë kalime. Këmbanat bien për t'u dëgjuar. Por degjojne ata që kanë veshë...

“Ballkani i Hapur”, Ballkan i shqyer...

©Lisen Bashkurti