Kolumnist

Kush e mban peng Shqipërinë? - Nga Vangjush Saro

Po! Jemi peng prej kohe… Dhe tash, në këto dekada të Tranzicionit, më shumë se kurrë. Ç’do të thotë të jesh peng? Kush na mban peng? Le të themi se kjo nënkupton faktin që s’je plotësisht i lirë, që varesh nga të tjerët, që ata diktojnë në jetën tënde, në zgjidhjet e tua. Le të themi që BE është një prej pengmarrësve. Amerika një tjetër. Ashtu duket, por jo më pak, këtë herë pengmarrësi është vetë Kryeministri, z. Edi Rama. Njëzet mandate në qeverisje (!) Ministër i Kulturës, Kryetar i Bashkisë së Tiranës disa herë, Kryetar i PS përherë, Kryeministër për të tretën herë… Më vjen keq që kjo punë shkon si për të qeshur. Por duke hequr ato pak vite që zotërisë së tij nuk iu ofrua ndonjë post dhe vari hundët e shkoi andej këtej refugjat, në dekadat e fundit, ai ka marrë peng fronin, timonin, siç tha njëherë edhe vetë; dhe s’e lëshon.

Çfarë po bën ky tani? Ka ftuar në qeveri vajzën e z. Rexhep Meidani, intelektual i përkorë, njeri i mirë, politikan i mefshët. Po a nuk ishte vetë z. Rama ai që sajoi “vazhdimin” e Kongresit (të PS) te Hotel Tirana dhe shtyrjen e vendimeve e të votimit në kohën kur Kryetar (i PS) u zgjodh pikërisht Mejdani? Dhe rivali i tij, Edi, ashtu siç ndodhi diku nga fundi i viteve ‘70 - kur "Skënderbeu" i Korçës doli kampion i vendit në futboll dhe ata në kryeqytet sajuan një fazë të tretë, sa për t’ia bërë “puçin” - edhe Kryeministri i ardhshëm, në një fazë të tillë shtesë, i vuri bërrylin Meidanit.

E harruat, mo? Vajza e tij vërtet mund të jetë një yll, ashtu i ka edhe prindërit; por të rrimë shtrembër e të flasim drejt: cila është përvoja e saj në administratë? E njëjta gjë mund të thuhet për vajzën e Bashkim Finos, ndjesë pastë; me shumë respekt kam përcjellë punën e tij në krizën e vitit ‘97, ndërkohë që më pas u la në hije. Dhe tani, na duhet pak fasadë, na duhet gjithashtu të zgjerojmë e të shtrëngojmë më mirë radhët, kështu që nga modeli me ministra e ministre hua prej Kosove, erdhëm në një model tjetër…

Po si mbahet peng një vend, vetëm? Jo, duhen zëvëndësat, lajkatarët, koketat: asi që drejtojnë Ministrinë e Brendshme, paçka se pastaj i flakim si limonë të shtydhur; po ashtu nga ata të Ministrisë së Mbrojtjes, që fiknin radarët kur kalonin me “mall” çunat tanë; nga ata që ngrenë kulla anembanë Tiranës, aq sa një fije bari s’e gjen kund; por dhe nga ata që e sjellin rrotull tenderin për ne a për këdo që na vjen sipas oreksit dhe e kemi në klan…

Si ndryshe merret peng një vend dhe qytetarët e tij? Me të drejtë thuhet se kohë e pa kohë në Shqipëri hapen tema që shërbejnë si grackë për analistët dhe për publikun. Dhe kështu, ky i fundit merret peng. Këto kohë, pas Bregoviçit dhe ndonjë artisti apo artisteje tjetër, është gjendur prapë një temë ku, si përherë, gjithfarëlloj njerëzish po ropaten të thonë fjalën e tyre e të shprehin dufet. E kam fjalën për z. Sali Berisha. S’e kam dashur atë asnjëherë, të mos gënjej; por ka disa pika të errëta në këtë histori. Nëse ne jemi një vend sovran, le të merret Drejtësia me të gjitha problemet tona, përfshi edhe z. Sali, edhe z. Edi; e kështu më radhë…

Mirëpo ne s’mund të rrimë pa u bërë peng i dikujt. Kjo është sëmundja, dobësia e trashëguar nga kohërat, e ngritur në vodevil gjatë Tranzicionit të gjatë e të pambarim. Edhe ai për të cilin po flasim, z. Sali Berisha, për disa kohë e mbajti peng Shqipërinë; kur na thoshte se jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë; kur përpiqej të na mbushte mendjen se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë; kur shtynte falangat e tij për të na djegur gazetat dhe për të na rrahur politikanët. 

Ishim ku ishim, jemi këtu tek jemi… Ndonjë përparim të vogël e kemi bërë, se këto kohë nuk është djegur ndonjë gazetë e nuk është rrahur ndokush, sado që vjedhur janë sërish paratë e shqiptarëve, ato “më të pastrat në botë”… Por ani, pengmarrjen s’e kemi hequr dot. Hajde, ta heqim! Po si? Këtë mund ta bënte një opozitë e mirë. Ja tek e gjetëm se si… Por edhe në opozitë ka pengmarrje; kështu që më mirë të jemi të përgatitur për të mbetur gjatë aso…

©Vangjush Saro