Kolumnist

Patronazhistët e ekraneve - Nga Lutfi Dervishi

Në fakt janë tre kategori patronazhistësh që nuk jane vlerësuar aq sa duhet për kontributin dhe punën e tyre sfilitëse.

Të parët janë patronazhistët që u bënë publikë në rastin e rrjedhjes së të dhënave personale. Janë njerëz realë, kanë emër, mbiemër, punojnë diku dhe kujdesen për emrin, mbiemrin, vendin e punës dhe hallet e një grupi votuesish. Interesohen për ty a jeton në Shqipëri apo je jashtë shtetit. Kanë arritur të pikasin preferencën politike që ke, dhe mbi të gjitha nëse ke ndonjë problem për të zgjidhur.  Duket sikur ky patronazhist është çelësi i suksesit që garanton fitoren në zgjedhje. Gabim. Zgjedhjet nuk fitohen ditën e votimit. Zgjedhjet nuk fitohen as gjatë fushatës elektorale, zgjedhjet fitohen pa nisur beteja. Për këtë kontributin më të madh e japin patronazhistët e kategorisë së dytë.

Këta patronazhistë, si rregull bëjnë dy punë. Puna e dytë është më e rëndësishme: është puna në botën digjitale. Krahas shpërndarjes së njoftimeve dhe link-eve në Whatsapp, këta patronazhistë kanë detyrë partie aktivizimin në rrjete sociale. Përveç likeve, komenteve të tipit: bravo, super, Shqipëria në rrugën e duhur, përveç shpërndarjeve të postimeve të shefave dhe shefave të shefit, detyra kryesore është përgjimi i të tjerëve: çfarë postojnë, kujt i bëjnë like, çfarë shpërndajnë në rrjet. Menjëherë futen në komente sipas strategjisë së artit ushtarak. Në fillim grupi i sulmit, ata që nuk ua bën syri tërr të fyejnë dhe të ofendojnë.

Skalioni i dytë janë komentuesit sulmues ad hominem, pra nuk komentojnë çfarë është postuar, por kalojnë në sulm ndaj personit. Këta nuk e lexojnë postimin nga frika se mund te infektohen dhe ndërrojnë mëndjen. Këta hidhen direkt në sulm.

Skalioni i tretë janë komentuesit me përvojë, që nuk sulmojnë, por “argumentojnë” me frazat këto gjëra ndodhin kudo, nuk është taman kështu, a e mban mend si ka qenë atëherë etj., etj. Këta janë patronazhistët që nuk flenë. Punojnë orar e pa orar. Nga e hëna në të hënë. Nuk njohin të shtunë dhe e kanë harruar të dielën, por edhe kjo kategori, megjithë rëndësinë që ka nuk është vendimtare. Aq më tepër që një pjesë e mirë e tyre punojnë në ilegalitet, me profile fallco

Vendimtare është kategoria e tretë: patronazhistët e ekraneve. Këta janë vërtet për t’u vlerësuar se vënë fytyrën e tyre në dispozicion të partisë. Guximi i tyre i çartur për të zhvlerësuar faktet dhe injoruar logjikën, kurajoja për të përbaltur opinionin ndryshe dhe për të lëvduar veten ende nuk është shpërblyer sa duhet.

Patronazhistët e ekraneve kanë detyrën më të vështirë. U duhet që të zezës t’i thonë e e bardhë dhe djallit t’i thonë ëngjëll. Sidomos në ngjarje të mëdha, puna e tyre nuk ka të çmuar. Oratoria e tyre me vetëm 186 fjale e lë Ciceronin të turpëruar. Klasi i tyre për të parë filxhan në një rast dhe po për një rast të ngjashëm të ngrenë zërin për të lënë drejtesinë të bëjë punën e vet është thjesht...epik.

Patronazhistët e ekraneve kanë aftësinë mahnitëse të flasin pa pushim dhe të mos thënë absolutisht asgjë, kanë kurajon që kur thirren për të folur për Tiranën, të flasin për Zimbabven dhe kur kur pyeten për krime të Policisë shqiptare të tregojnë me detaje krimet e FBI. 

Patronazhistët e ekraneve asnjëherë nuk janë shpërblyer aq sa e meritojnë. Të paktën në ligjin e ri për dekoratat duhet parashikuar një medalje për ta.

©Lutfi Dervishi