A do të ketë një 1997 në Kosovë? - Nga Hajro Çini
Edhe pse totalisht i papërgjegjshëm, edhe pse pa pikë personaliteti, edhe pse pa pikë dinjiteti, Sekretari i Shtetit Blinken, nuk e ka luksin që të ndërmarrë aventura të tjera në Ballkan. Më dëshirë, ai do ta kishte shpallur Kryeministrin Albin Kurti non-grata që para 4 muajsh kur, dyshohet se i erdhi propozimi politik për herë të parë. Por ai nuk guxon për disa arsye.
E para, nëse do ta bënte atë idiotësi, se ai zakonisht i bën, SHBA do të kishte djegur të gjitha urat e komunikimit me Kosovën. Udhëheqja e re politike e Kosovës e pastruar nga krimi dhe korrupsioni, është unike në atdhedashurinë e saj për Kosovën, dhe po qeveris me duar jashtëzakonisht të pastra. Kjo udhëheqje ka mbështetje të madhe popullore, se pas disa vitesh qeverisje, nuk ka absolutisht asnjë skandal financiar, nuk ka absolutisht asnjë shkelje të ligjeve kombëtare apo ndërkombëtare, ka zbatuar me rigorozitet shëmbullor Kushtetutën e Republikës dhe i ka qëndruar besnikërisht marrëveshjeve me ndërkombëtarët.
Kosova për fat të mirë është çliruar nga Serbia më 1999, nga krimi i organizuar kur u arrestuan Thaçi dhe Veseli dhe nga korrupsioni kur shqiptarët e Kosovës votuan, me shumë përgjegjësi, mënçuri dhe maturi, këtë udhëheqje kaq të ndershme dhe atdhetare, dhe kur reduktuan në fuqi politike pambarimisht të vogla shushunjat e korrupsionit, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj etj. Kryetarët e partive opozitare janë pa asnjë vlerë politike, shoqërore apo kombëtare. Zero!
E dyta, Kryeministri Kurti, sa herë që ka sfiduar, me kurajo, status quo-në, dhe në të gjitha sfidat është ndeshur me furtunën diplomatike të ardhur nga “Aleati Strategjik” dhe BE, një krijesë tjetër e padobishme burokratike me mentalitet bolshevik, (Targat, pikat ilegale doganore etj.), ai ka pasur 100% të drejtë.
Ai thjesht ka kërkuar të zbatohen në praktikë marrëveshje 10-15 vjeçare, të firmosuar nga Kosova dhe Serbia dhe të çertifikuara nga faktori ndërkombëtar, por që nuk janë zbatuar asnjëherë nga Beogradi, i cili luan me shumë dinakëri strategjinë e mbajtjes së konfliktit të ngrirë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe kjo rutinë është bërë e pranueshme për faktorin ndërkombëtar, sepse ky faktor nuk ka as dëshirën dhe as idenë se si ta zgjidhë këtë situatë.
Serbia ka qënë e ndihmuar edhe nga Rusia, por më keq akoma nga dosjet kriminale që kishte në kurriz ish-Presidenti Thaçi, ish-Kryeparlamentari Veseli, apo korrupsioni galopant i Isa Mustafës, për të cilin Shërbimet Inteligjente gjermane kanë shumë të dhëna, veçanërisht për milionat e Fondit 3% për Kosovën për të cilin shqiptarët kontribuonin vullnetarish dhe me ndërgjegje të lartë. Ishin këto dosje që i jepnin liri të madhe veprimi Vuçiçit.
E treta, shqiptarët e Kosovës, historikisht, kanë qënë më të ndjeshëm ndaj çështjes sonë kombëtare sesa shqiptarët e Shqipërisë Londineze, për arsye shumë të çuditshme, por që dalin shumë nga fokusi i këtij shkrimi.
Në Kosovë nuk mund të gjesh Zanë Çaushë, Tan Kateshë dhe kriminelë të tjerë, që, me një fërshëllimë të Ambasadës amerikane, të marrin armët dhe t’i vënë zjarrin Kosovës, siç bënë shqipfolësit më 1997 në Shqipëri. Shqiptarët e Kosovës kanë treguar një atdhedashuri të admirueshme para 1999.
E katërta, edhe pse i papërgjegjshëm si Sekretar Shteti, (më i paafti në këto 100 vitet e fundit) ai nuk e ka luksin që kishte Bill Clinton më 1997, që kishte përballë një Kongres të hutuar, kishte një situatë të ndezur në ish-Jugosllavi, pjesërisht edhe për faj të tij, por që ai e shfrytëzonte si për të shfryrë, në Zyrën Ovale, epshet e tij seksuale, ashtu edhe për të minuar Kongresin dhe për të bërë aventurat e tij korruptive. Ndërsa Clinton e kishte në xhep, me anë të korrupsionit, Jelcinin, sot për fat, Rusia është në një situatë që nuk mund të konsiderohet më e mundshme për të bërë marrëveshje. Ndërsa Clinton kishte një Kinë në dukje të fjetur, sot Kina është bërë një superfuqi agresive dhe e etur për dominancë botërore.
Një hap i nxituar në Ballkan, mund t’i kushtojë Europës një luftë shumë më të rrezikshme se në Ukrainë, e cila tashmë është e lokalizuar. Ndërsa Clinton kishte në xhep Britaninë e madhe asokohe, kjo e sotmja duket se ka një pavarësi më të madhe politike si nga SHBA, ashtu dhe nga BE, dhe ashtu si Gjermania, duket se është shumë e qartë në Ballkan dhe rrezikun serb për Ballkanin e më gjërë.
E pesta, ndërsa Shqipëria më 1997 i dukej kafshatë e lehtë Greqisë dhe po të mos ishte Turqia, për “Aleatin Strategjik” ushtria greke do të kishte shkelur sovranitetin e Shqipërisë, sot çdo centimetër katror i Kosovës, me gjithë dëshirën e papërmbajtur të Sorosit për t’ia dhënë Serbisë, ky lloj rreziku nuk ka mbështetje as në Kongresin Amerikan, as nga populli i Kosovës, as nga Gjermania, Britania e Madhe apo Turqia, dhe kjo tokë nuk i kalon një aleati të NATO-s siç ishte Greqia e 1997, por një shteti aleat të Rusisë dhe do të ishte skandal dhe dobësi shumë e madhe e SHBA.
Pra Blinken nuk e ka rrugën të shtruar dhe ai nuk besoj se do të guxojë të shpallë Kurtin non grata, një kryeministër totalisht të pastër dhe të çertifikuar ndërkombëtarisht, si të tillë dhe as të organizojë një destabilizim politik në Kosovë, ku edhe nuk i ka as mundësitë reale, as faktorë të konsiderueshëm destabilizues. Sjellja e huliganëve nga Serbia, vetëm se do të forcojë edhe më shumë Kurtin.
© Hajro Çini












