Kolumnist

Nuk ka pajtim pa u distancuar nga krimet e diktaturës komuniste - Nga Milaim Nela

Kam ngelur pa fjalë nga pozimi i shkrimtarit Visar Zhiti me kryeministrin Edvin Kristaq Rama në Kryeministri. Ky i fundit të cilin Zhiti e quan piktor dhe mik, paska siguruar fonde qeveritare për një film, skenarin e të cilit e paska shkruar vetë shkrimtari, bazuar në veprën e tij, film të cilin unë e mirëpres në parim.

Kurrë nuk e kam fshehur admirimin për veprën dhe sakrificat e Visar Zhitit, i cili si pak kush i ka dhënë shoqërisë shqiptare dëshmi në vetë të parë për krimet e diktaturës komuniste.

Ai po ashtu, është një shkrimtar e poet brilant, që e lexoj me ëndje, siç e lexojnë besoj edhe shumë shqiptarë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.

Çdo libër a film, qoftë dokumentar apo artistik, është i mirëpritur, si dëshmi dhe vlerësim për sakrificat dhe vuajtjet që provuan të persekutuarit politikë, njëri prej të cilëve është vetë Visar Zhiti, i cili kaloi në lulen e rinisë së tij, 10 vjet në burgjet e diktaturës.

Edhe unë parimisht jam që ne si shoqëri të sheshojmë ndarjen dhe të pajtohemi, por ky pajtim duhet të iniciohet së pari nga xhelatët dhe pasardhësit e tyre, ata që i bënë gjëmën këtij vendi.

Vuajtësit e kanë bërë gjestin e tyre, duke mos u hakmarrë jo se nuk mundeshin, por se janë fisnikë.

Edvin Rama, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë gjest pajtimi, veprimi i parë i të cilit duhet të ishte distancimi nga akti kriminal i Kristaq Ramës, që nënshkroi varjen në litar të Havzi Nelës, por me arrogancë e mbrojti aktin e të atit, duke theksuar se ai ishte në anën e drejtë të historisë.

Shkrimtari Bashkim Shehu edhe pse ishte vetë i burgosur politik dhe nuk kishte asnjë përgjegjësi për krimet e Mehmet Shehut, është distancuar prerazi nga krimet e të atit.

Partia që udhëheq "miku piktor" i shkrimtarit, jo vetëm që nuk e ka distancuar veten nga e kaluara e errët dhe makabre, por ka risjellë në qeverisjen e vendit dhe thuajse në çdo hallkë të shtetit shqiptar bijtë dhe bijat e persekutorëve, të cilët po përdorin metoda të ngjashme për segregacionin e asaj pjese të shoqërisë që nuk ka qasje të njëjtë ideologjike, edhe krahinore po deshët, me partinë e baballarëve të pushtetarëve të sotëm.

Financimin e një filmi për viktimat e diktaturës nga Edi Rama unë e shoh dhe e ndjej jo si kontribut, por si një fyerje ndaj shtresës së të persekutuarve dhe përndjekurve politikë.

Ne e dimë në cilën anë të historisë është Edvin Rama, i cili në 10 vjet qeverisje ka përzënë nga vendi 1.000.000 shqiptarë dhe ka çimentuar qeverisjen me shumicë dërmuese nga Zona e Parë Operative, por jam realisht konfuz të kuptoj dhe arsyetoj Visarin ish të burgosur politik e poet, në krah të Edi Ramës.

Dikush përpiqet të shpjegojë se Visari është ulur me kryeministrin e jo me Edi Ramën.

Me falni, por mënyra si ai ka ardhur aty, çfarë i ka bërë këtij vendi e si po e mban pushtetin më bën mua të paaftë ta ndaj Edvinin nga kryeministri dhe Edvinin nga Kristaqi, sepse as ai vetë nuk është ndarë nga i ati kriminel.

Nuk ka pajtim pa drejtësi!

Nuk ka pajtim pa të paktën kërkim falje!

Nuk ka pajtim pa dënuar formalisht krimet e diktaturës!

Nuk do të doja ta shkruaja këtë shkrim për një nga penat më të preferuara të mia shqiptare por edhe indiferent nuk mund të rrija.

Shpresoj të kem mirëkuptimin e tij por edhe të lexuesve të mi!

© Milaim Nela