Sokrati, i pafajshmi fajtor - Nga Artan Fuga
Unë i mbetem besnik mendimit të Frederik Niçes që më ka nxitur mbresa të forta dhe nuk më le asnjëherë rehat.
Një libër, nëse ai nuk sjell diçka të re në marrëdhënie me libra që tashmë ekzistojnë përpara tij, pra nëse nuk i kundërshton, më mirë të mos shkruhet. Ç'e do? Kot!
Kështu edhe me librin për Erosin, ku vendin kryesor e zë analiza e mendimit të filozofit më të njohur të botës antike Sokratit.
Kur e dënoi gjyqi i athinasve me vdekje, Sokrati mbajti një fjalim mbrojtës duke i hedhur poshtë akuzat. Kjo ka mbetur si monument kulture që është quajtur Apologjia e Sokratit.
Prej shekujsh është thënë se Sokrati me këtë fjalim madhështor vërtetoi se ishte i pafajshëm. Që atëhere është bërë mbisundues mendimi se Sokratin e dënuan kot, ai ishte i pafajshëm.
Në librin tim “Zbulimi i Erosit në Antikitet”, kam guxuar të përpunoj një tezë tjetër. Joooo, sigurisht Sokrati u mbrojt në mënyrë të shkëlqyer duke i hedhur poshtë të gjitha pretendimet e akuzuesve, por ato “faje” për të cilat akuzohej, ai i kishte bërë që ç'ke me të.

Sokrati ishte i fajshëm dhe mbrohej sikur të ishte i pafajshëm. Mos ngatërrojmë mbrojtjen e shkëlqyer të të akuzuarit me të vërtetën.
Sokrati ishte madhështor edhe në “fajet” që kishte bërë, edhe në argumentet që dha në gjyq se ato “faje” nuk i kishte bërë.
Akuzat ishin të vërteta, por akuzuesit nuk i mbronin dot ato para fjalimit sokratik.
Pra, në dallim nga çfarë është thënë më parë unë përpunoj mendimin se Sokrati i kishte kryer aktet për të cilat akuzohej, madje edhe në atë darkë që rrëfej në libër ai “degjeneronte rininë”, dhe “fyente Zotat e Athinës”, po rëndë fare, pavarësisht se fjalimi mbrojtës i tij, i dërmoi argumentet e akuzuesve që i kërkonin kokën.
Unë argumentoj madje se Sokrati ishte aq i rafinuar, saqë duke folur për Erosin, në atë darkë që rrëfehet në libër, ku ai ndodhej mes intelektualëve me moshë të re të Athinës, Sokrati në fakt sulmonte kulturën sunduese, ndahej nga një traditë e vjetëruar, kritikonte institucionet hipokrite sunduese, liberalizonte mendimin dhe zakonet, fuste një mënyrë tjetër të arsyetuari, po po, edhe tallej me Zotat e Athinës.
Dukej sikur nuk po bënte ndonjë gjë të keqe. Sokrati ishte dinak. Kur hetuesit t'i pyesnin djemtë e rinj: Cfarë folët atë natë? Për çfarë foli Sokrati? Hiç, mund të thoshin, muhabete çunash, folëm për dashurinë, familjen, seksin. Por, pushteti nuk i hante ato.
Sokrati ishte fajtor që çke me të. Ai hapi rrugën e etikës në filozofi, ku filozofi ose është fajtor, ose nuk është filozof. Pra, ose është në kundërshtim me kohën e tij, ose kot që merret me filozofi, më mirë të ushtrojë ndonjë profesion tjetër të nderuar, si p.sh. berber, kuzhinier, kamerier, etj.
Unë në libër e nxjerr Sokratin sigurisht fajtor, por një fajtor që për shkak të mënçurisë së tij nuk ka akuzë që mund ta shpallë atë fajtor.
Ai i mundi gjykatësit e tij, por kjo nuk i pengoi këta të fundit ta dënonin me vdekje. Gjykatësit kishin të drejtë. E vërteta ishte me gjykatësit. Mençuria ishte me Sokratin.
Pavarësisht se “fajet” e Sokratit ishin në fakt margaritarë që do të ndriçonin shekujt, pikërisht kjo verbonte gjykatësit që në fakt duhet të kenë qenë masa qytetarësh të manipuluar nga sundimtarët demagogë të Athinës.
Sokrati, fajtor i pafajshëm dhe i pafajshëm fajtor!
© Artan Fuga










