Marria shqiptare e qokave dhe modeli amerikan - Nga Ilir Levonja
Përse Amerika e përkrah Edi Ramën? Përse Sekretari i Shtetit e quajti udhëheqës të jashtëzakonshëm atë? Në Shqipëri nuk ka pluralizëm. Në Shqipëri vulos dhe vendos Edi Rama. Përse Amerika inkurajon drejtësinë dhe bën një sy qorr kur vjen puna për demokracinë? Këto janë disa nga pikëpyetjet e mëdha që po vlojnë sot në botën shqiptare, por edhe titujt bombastikë nga krahu i pushtetit se me këtë vizitë dhe më këto deklarata të Amerikës, Edi Rama siguroi edhe zgjedhjet e vitit 2025.
E vërteta është totalisht ndryshe dhe ajo që të dhimbset është ribërja e klisheve nga koha kur Enver Hoxhës i vinte për vizitë Nikita Hrushovi, apo kinezi Çu En Lai. Bile ky Edi Rama nuk aplikuar asgjë tjetër, edhe pse ia përmendi sekretarit Blinken, diktatorin Enver Hoxha, bash pikë për pikë metodat e tij. Eshtë mjeshtri numër një i propagandës, pasi ashtu si Enveri, e ka kuptuar mirë faktin që shqiptarët mund t'i ngopësh fare mire me lugën bosh. Mjaft t’u gjesh ilaçin e inatit që kanë për njëri-tjetrin dhe mund t’i sundosh gjithë jetën. Nga Enveri i shpëtoi diabeti, nga Edi Rama, një Zot e di.
Megjithatë duhet theksuar një fakt, dobësia kolektive e shoqërisë shqiptare në lidhje me ndryshimin, kjo edhe për faktin e ritheksuar disa herë, se Shqipërisë i ka ikur pjesa më vitale e ekzistencës së saj. Por le të shpjegojmë edhe disa gjëra të tjera në lidhje më këtë vizitë që erdhi si bumerang, plot ekstazë, nga krahu që për gati dyzet e pesë vjet e gjykonte Amerikën si armikun më të madh të Shqipërisë. Bash ata që, kur në qershorin e 2007 Shqipërinë e vizitoi presidenti i Amerikës Bush, sajuan historinë me orën e vjedhur. Dhe gjysma tjetër e të cilëve e kanë model Amerikën, por që Sekretari i Shtetit Blinken nuk ua vari fare.
E para mos harroni se edhe Donald Trump në qershorin e vitit 2019 shkeli në Korenë e Veriut, madje u përpoq të bënte disa marrëveshje me diktatorin Kim Yong Un. Edhe aty populli korean nuk ka demokraci, nuk ka liri të fjalës, nuk ka organe kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave etj., por Amerika negocioi. Madje Trump gati sa nuk u magjeps me Kimin.
Problemi është i thjeshtë, Amerika sot vuan vetë pushtetin e një plaku manekin që nuk di të ndalet edhe pse rrëzohet kudo. Eshtë një Amerikë e lodhur nga frontet brenda vetes. Aq lodhur, sa nuk ndali dot masakrat e Izraelit. Kësisoj një diktator shqiptar më shumë nuk është problemi i Amerikës. Rëndësi ka që t’i dalin në rregull llogaritë që bën në lidhje me rajonin, pa një diktator më shumë nuk është aspak problem i saj, është i shqiptarëve. Një diktator që i vret e i pret shqiptarët, i vjedh, bullizon, i burgos, degdis etj., sidomos për një popull që më shumë është botës se sa në vendin e vet, nuk përbën aspak problem.
Nëse shqiptarët e kuptojnë këtë dhe reagojnë, prapë nuk e ka problem. Ashtu siç edhe nuk kishte kur ata përmbysën diktaturën dhe po një Sekretar Shteti me emrin James Baker ra si nga qielli në qershorin e vitit 1991 dhe mbushi plot sheshin në qëndër të Tiranës. Ajo kohë ishte tjetër, ata ishin shqiptarët që donin demokracinë. Ishte kohë e madhe.
Amerika është një ekuacion me shumë të panjohura, por jo modeli amerikan. Nganjëherë harxhon miliona për të shëmbur diktatorë, nganjëherë i suporton ata edhe pa shpenzuar asgjë. Ne bëjmë pjesë tek rasti i dytë, mjafton të kujtojmë sundimin 45 vjeçar të Enver Hoxhës. Ndaj ne shqiptarëve nuk na duhet fakti se për kë erdhi, kush erdhi dhe çfarë tha. Neve na duhet modeli amerikan. Dhe mos harroni që modeli është: “Ask not what your country can do for you - ask what you can do for your country,” ... mos pyet se çfarë vendi bën për ty, pyet se çfarë mund të bësh ti për vendin (John F. Kennedy).
© Ilir Levonja