Urtësi

Gjimnastika e shpirtit

Nga: Klodi Stralla

Grekët e lashtë i jepnin një rëndësi të veçantë zhvillimit harmonik të trupit, mendjes dhe shpirtit përmes asaj që ata e quanin Gjimnastikë. Veçanërisht filozofi Sokrat rekomandonte për çdo të ri gjimnastikën e shpirtit.

Ja një bisedë e tij me nxënësin e vet, Euthydemas.

- Më dëgjo me kujdes! Çdo ditë ndërgjegjja duhet të japë llogari- kështu mendonte dhe vepronte i urti Sextius. Në fund të ditës, para se të binte të flerë, ai merrte në provim ndërgjegjen e vet: “Çfarë bëra sot mirë dhe çfarë bëra keq? Kundra cilit ves luftova? Në ç’gjë u bëra më i mirë?” - e pyeste ai veten e vet, dhe si me magji zemërimi qetësohej, ankthi zbutej, dyshimi zbehej. 
Sa gjë e bukur qenka të kalosh si në pasqyrë ditën e tërë, bëmat dhe gjëmat e saj, para se trupi t’ia dorëzojë shpirtin gjumit! Sa shlodhje, prehje, lehtësim ndjen një shpirt i trazuar kur i bën vetes të vet këtë provim, pa ia kursyer kritikën, por edhe pa ia vrarë krenarinë! 
Ky provim me vetveten bëhet në vetmi, larg mjedisit të zhurmshëm, vetë pyet dhe vetë përgjigjet, kritikon dhe vetë korigjohet, ndëshkon dhe vetë fal. Ky proces mendor, kjo gjimnastikë e shpirtit është çelsi për një jetë të qetë shpirtërore dhe paqeje me vetveten – vazhdoi shpjegimin e tij Sokrati.

Sokrati mendonte se Njeriu duhet ta hidhte vështrimin e tij tek të dy botët: tek bota e jashtme, njohja e të cilës bëhet nga shkenca dhe tek bota e brendshme, njohja e të cilës bëhet nga filozofia.

Sipas tij këto dy njohje duhet të ecin paralelisht, të jenë harmonike me njëra tjetrën. Nëse mbivlerësojmë njohjen e botës të jashtme, duke i dhënë përparësi shkencës e teknologjisë, siç ka ndodhur këto 300 vitet e fundit, do të prodhojmë tipin e njeriut robot. Ai do të jetë shumë racional, veprimet dhe qëndrimet e tij do të motivohen vetëm nga interesi i tij vetjak; për të bota është një treg i madh në të cilin njeriu për njeriun është vetëm klient. 
Përkundrazi nëse mbivlerësohet bota e brendshme, formohet një njeri fetar apo ideologjik, pasojat e së cilës na i tregoi historia europiane e Mesjetës (inkuizicioni) apo kohët moderne me komunizmin dhe fashizmin.

Për Sokratin diferenca midis njeriut të ditur dhe atij injorant është se i dituri njeh mangësitë e dijeve të tij dhe dëshiron të mësojë, ndërsa injoranti kujton se di gjithçka dhe mendon se është i aftë të japë opinione për gjithçka. Virtyti, për Sokratin, është dije, apo më saktë është dituria e të Mirës. Vesi është mungesa e dijes apo burimi i së Keqes.
Nga koha e Sokratit kanë kaluar 2500 vjet; shkenca dhe teknologjia kanë bërë përparime që Sokrati dhe bashkëkohësit e tij as që mund t’i imagjinonin, por nëse ai do të takonte një njeri të kohës tonë do të nënqeshte, me atë mënyrën e tij sokratike, sepse do të konstatonte së shpirti kish mbetur shumë pas mendjes.

 

Tagged under Sokrati Klodi Stralla