Urtësi

E verteta absolute nuk ekziston - Nga Çapajev Gjokutaj

Disa miq, kur komentojnë, i paraqesin mendimet e veta si të vërteta të kulluara, nuk lenë asnjë shteg që bashkëbiseduesi të ofrojë alternativë tjetër. Vështirë ta gjesh se nga buron kjo prirje.

Mbase lidhet me padijen ose, më saktë, me dijen e kufizuar. Ka një parim që quhet ‘rrethi i injorancës’: Ajo që njeriu di është një rreth i ndriçuar, i zhytur në errësirën pafund të gjërave që s’i di.

Sa më e shumtë dija, aq më i madh rrethi, aq më shumë kontakte me gjëra që s’i dimë dhe s’mundemi t’u japim përgjigje.

Rrjedhimisht: sa më shumë të dish aq më shumë pasiguri ke, aq më tolerant bëhesh. Di që s’di asgjë, thoshte Sokrati i gjithëdijshëm.

Pretendimi për të thënë fjalën e fundit lidhet mbase edhe me dobësi në formimin etik. Kur bisedon me të tjerë, ballë për ballë apo në Facebook, duhet të pranosh disa norma etike.

Një nga më baziket është: respekto tjetrin, kushdo qoftë ai, leri mundësi të flasë, të diskutojë. Ndryshe komunikimi ndërpritet.

Këtu, mbase, ndihmon qasja e Niçes: egziston bindja ime dhe bindja jote, mos u lodh të gjesh të vërtetën absolute apo atë ideale, thjesht nuk egzistojnë.

Dëshira për t’i paraqitur mendimet e tua si të vërteta të padiskutueshme lidhet mbase edhe me sakatllëqe psikologjike, që i kemi brenda vetes, por nuk i dimë.

Shpesh siguria e tepruar në bisedë është kompensim për pasiguri, për dobësi dhe frikëra që fshihen brenda nesh.

Duke luajtur të sigurtin, të gjithëdijshmin shijojmë iluzonin e të fuqishmit dhe sadokudo bëjmë sus pjesën tjetër të vetes, që pëshpërit të kundërtën.

Mbase këtë kishte parasysh Brehti, kur thoshte: kush është i sigurt, nuk është i sigurt.