Krahasimi social, për mirë apo për keq?
- Published in Jetë dhe stil
- Nga: Patricia Bardhi
-"Haje të keqen nëna, shikoje gocën e vogël ta kaloi"
-"Çfarë more në provim ? -10. -Po shoku i bankës çfarë mori"?
-"Mami dua I-phonin e fundit. -Pse e do të fundit, mund të të blej një celular tjetër. -Jo jo e dua më të mirë se filania".
-"E pe X në Instagram? Ua çfarë makine, çfarë çante"!
“Krahasimi është hajduti i gëzimit” ka thënë Roosevelti. Por krahasimi është po aq i vjetër sa dhe njerëzimi. Krahasimi është i mësuar, edukuar që në fëmijëri, sigurisht në emër të së mirës. Kush i ka menduar efektet në të ardhmen? Jo çdo gjyshe apo prind mund ta parashikojë se krahasimi mes dy fëmijësh mund të nxisë xhelozi, zili, smirë. Shumica beson se krahasimi të bën ambicioz, të nxit të arrish. Por edhe të mërzit, të trishton, ndonjëherë të bën të ndihesh edhe më mirë, ose mirënjohës me çka ke në jetë.
Rrjetet sociale na japin mundësi sot të krahasojmë jetën tonë me botën që na rrethon. Shumëkush poston pushime, vende fantastike. Ndërkohë që dikush tjetër as në ëndrra nuk i ka parë. Atij ose asaj i ngjallen ndjesi negative mbi jetën e tij. Dhe dita i nxihet për disa minuta, ndoshta ndjesia i zgjat edhe më shumë. Ka që mund ti marrin me vete në shtëpi këto ndjesi dhe ende të vazhdojnë të qajnë “fatin e keq”. Ka edhe nga ata që nuk qajnë, por zhvillojnë ndonjë mekanizëm mbrojtës të egos, përmes zhvlerësimit të postuesit. Po ç’ndodh me postuesit e fotove mahnitëse, pjatave të restoranteve me zë, veshjeve firmato, udhëtimeve të ëndrrave? A marrin kënaqësi ata nga këto postime apo thjesht është një arsye ekspozimi për inat të botës apo për inat të dikujt specifik? A janë vërtet aq të lumtur sa ç’duken apo shoqëria e imazhit vlen më shumë se jeta e vërtetë? Ka plot tipa që dalin me makina borxh, syze shoqesh apo ora baballarësh. Ka edhe të tjerë që i kanë vërtet dhe vetëekspozohen për tu ndjerë më të rëndësishëm se veshjet që mbajnë. Statusi social ndodh të arrihet edhe përmes instagramit. Vëmendja e munguar dikur, mund të arrihet edhe përmes pëlqimeve apo zemrave në facebook. Inferioriteti i përjetuar në raport me dikë mund të sfumohet pas postimit të aktiviteteve të shumta. A kanë menduar ndonjëherë se çfarë efekti krijojnë tek një vajzë apo djalë që hyn në rrjete sociale dhe ndjen mërzi të thellë kur krahason jetën e tij me “vipat e bllokut”? Psikologët mendojnë se duhet rritur ndërgjegjësimi i këtyre njerëzve mbi efektin e postimeve të tyre luksoze tek të rinjtë. Mund të mjaftohen me audiencën e limituar, shoqërinë e ngushtë. Dhe nëse këta postues frenetikë nuk ndërgjegjësohen, të tjerët që i ndjekin duhet të vuajnë, të ndihen ziliqar e të krahasohen? Mirë është që Jo!
Thuhet se manjakët që kanë vrarë apo dëmtuar personazhe publike ose jopublikë, nuk kanë qenë me brirë. Jo, kanë qenë njerëz që nuk kanë rënë në sy, followers të thjeshtë e modestë që iu zmadhua zilia, jo “admirimi” nga vezullimi i fatit të ndritur të tjetrit. Zilia e çon drejt zemërimit dikë dhe zemërimi del jashtë kontrollit duke shkuar në disa raste drejt sjelljes kriminale ndaj objektit të zilisë ose ndaj vetes. Që ju të mos e shkatërroni jetën tuaj e të mos bëheni as viktimë e jetës falso të rrjeteve sociale, thirrini pak arsyes. Bëni një listë me gjërat që ju bëjnë ziliqarë ose personat me të cilët krahasoheni. Shkruani se si ju ndikojnë negativisht këto dhe pse është një humbje kohe e gjitha kjo. Kujtojini vetes se “e jashtmja” e tjetrit nuk mund të krahasohet me “të brendshmen” tuaj. Kultivojani vetes këtë zakon. Duhet të dini se njerëzit e kurojnë mirë jetën e tyre publike, ashtu siç kalohen në filtra fotot, kalohet edhe jeta private. E mbani mend sa i lumtur dukej së jashtmi një çift dhe befas shpallën divorcin? E pra, ju nuk e dini të vërtetën se çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura. Përsëritini shpesh vetes se paratë nuk e blejnë lumturinë dhe besojeni këtë. Jini mirënjohës për jetën që keni dhe përdoreni krahasimin si motivim për të përmirësuar gjërat që vlejnë dhe mjaft e shpenzuat kohën kot në facebook apo instagram! Kthejuni jetës së vërtetë!











