Sëmundjet infektive, historia vazhdon… - Nga Dr. Shefqet Deliallisi
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) para tri ditësh deklaroi shpërthimin në Afrikë të epidemisë së Lijës së majmunit (Monkey pox) shkaktuar nga një varianti i ri ngjitës i virusit Mpox, dhe shpalli emergjencën botërore të shëndetit publik.
Disa orë me pas Agjencia e shëndetit publik e Suedisë regjistroi rastin e parë jashtë kontinentit Afrikan... edhe pak më pas u deklarua një rast edhe në Pakistan.
Historia vazhdon…
***
Antibiotikët e rinj të fuqishëm dhe vaksinimi, krijuan iluzionin e gabuar se epoka e sëmundjeve infektive po merrte fund.
Në fundin e viteve 60', nxitur nga mposhtja e lijës, poliomielitit dhe sëmundjeve të tjera infektive gjatë dy dekadave të mëparshme, komuniteti mjekësor në përgjithësi besonte se sëmundjet infektive ishin mposhtur, shkenca e kishte fituar luftën kundër mikrobeve dhe mjekësia, duhej t’i kthehej luftës kundër sëmundjeve kronike si kanceri dhe sëmundjet e zemrës.
Dr. Robert Petersdorf, ikonë në fushën e sëmundjeve infektive, në fundin e viteve 1970, me shkrimin e tij “Dilema e mjekëve” tërhoqi vëmendjen e opinionit mjekësor: “Megjithë besnikërinë që unë kam ndaj sëmundjeve infektive, s’mund të mos pyes veten, ku janë sëmundjet infektive”?!
Dy vite më pas (1972), mikrobiologë me famë botërore për zbulimet e tyre, Macfarlane Burnet dhe David White, në librin “Historia natyrale e sëmundjeve infektive”, shkruanin: “Parashikimi më i mundshëm për të ardhmen për sëmundjet infektive është se do të jenë shumë të fjetura. Ndonjë sëmundje e re, edhe mund të shfaqet papritur, është shfaqur gjithmonë, por pesëdhjetë vitet e fundit asnjë s’kemi pare”.
Pasojat: strukturat gjigante në shërbim të sëmundjeve infektive u tkurrën, spitalet u kthyen në objekte historike, specialiteti dhe specialistët e sëmundjeve infektive u shvlerësuan...
***
Në verën e vitit 1981 u shfaqën rastet e para të asaj që do të njihej si SIDA, ndikimi global i të cilës ishte tronditës, më shumë se 84 milionë të infektuar me virusin HIV, dyzet milionë të vdekur. Kjo bëri që interesi për sëmundjet infektive të ringjallej, u bë e qartë se kërcënimi prej tyre do të vazhdonte...
Më pas gripi i shpendëve; gripi i derrit (e para pandemi e shekullit 21); shpërthime të Ebolës në Afrikë; Zika në Amerikë; sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (SARS); sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS)...
***
Në prill 2015, në kohën e epidemisë së Ebola-s, Bill Gate ngriti alarmin:
“Një epidemi e tmerrshme pritet të shpërthejë. Rreziku s’janë rraketat por viruset, s’është rreziku nuklear por epidemitë botrore. Viruset mund të vrasin 10 milionë njerëz... duhet të nxjerrim mësime nga epidemia e Ebola-s…”, por mësimet u harruan.
Pandemia Covid-19 që shpërtheu në 2019, e gjeti botën të papërgatitur.
***
Aleksandër Fleming në vitin1928, ditën kur ishte duke marrë çmimin Nobel për zbulimin e penicilinës paralajmëroi: “Në të ardhmen bakteriet mund të evoluojnë dhe të bëhen të afta për t’i mposhtur antibiotikët...”
Ka vite që rezistenca ndaj antibiotikeve përben një kërcënim serioz për mbarë botën.
Gjithnjë e më shpesh mjekët luftojnë infeksione të cilët mund të shuhen vetëm me antibiotikët më të fuqishëm ose, në rastin më të keq, nga asnjëri prej tyre.
***
Në shekullin e 21-të sëmundjet infektive do të vazhdojnë të jenë të shumta. Epidemi të përsëritura të sëmundjeve të shfaqura rishtazi me një ritëm të përshpejtuar, epidemi të sëmundjeve që migrojnë në zona të tjera, sëmundje të vjetra të heshtura që s’janë të shërueshme, bakteret patogjene që zhvillojnë rezistencë ndaj antibiotikëve...
***
Asnjë arsye s’ka që kërcënimi i sëmundjeve infektive të zbehet, aq më pak të zhduket, Shpërthimi i tyre s’është as rastësor, as kaotik, as fatkeqësi natyrore.
Janë ndryshimet e kushteve sociale dhe mjedisore, ndërhyrja brutale e njeriut mbi mjedisin, pushtimi i habitateve të kafshëve, që krijojnë kushte të favorshme për mikrobet që të shumëzohen dhe përhapen lehtësisht.
Shtimi i popullsisë, udhëtimi i shpejtë midis kontinenteve, përdorimi i gabuar i antibiotikëve, luftrat lokale, të gjitha bashkë i kthejnë sëmundjet infektive në një kërcënim ekzistencial për racën njerëzore.
***
“Varka e Noes”
Një bashkëbisedim mes profesorit (një kirurg vaskular) me studentët e tij:
“Supozoni për një çast një përmbytje gjigante që do të shkatërrojë planetin dhe banorët e tij. Ka vetëm një varkë të madhe me të cilën mund të ruhet civilizimin. Në këtë varkë ka vend vetëm për 100 banorë, mes tyre vetëm pesë mjekë. Cilët mjekë mendoni që duhen marrë në anije?”
Studentët diskutojnë, dhe përfundojnë: “Më të dobishmit për këtë mision duhet të jenë mjekë që mund të zgjidhnin shqetësimet e çastit, një mjek urgjence, një mjek familje, një anestezist, një kirurg i përgjithshëm, madje dhe një kirurg ortoped.”
Profesori ndërhyn: “Duhet të merrni parasysh që përzgjedhja juaj duhet të sigurojë ripopullimin e botës së re pas përmbytjes.”
Rikthehet diskutimi, qetësia pas përmbytjes rriti vlerat e mjekut obstetër dhe pediatër.
Dhe ndërsa anija po bëhej gati për lundrim, profesori ndërhyn përsëri:
“Po sikur të ketë sëmundje infektive të reja, që nuk janë hasur kurrëndonjëherë më pare?”
Studentët lëkunden, dikush propozon: “Të domozdoshëm janë një mjek infeksionist apo dhe epidemiolog...”
***
Ka vite që mjekët e rinj s’preferojnë më specialitetin e sëmundjeve infektive.
Pasiguria për të ardhmen e këtyre sëmundjeve, bëri 35 vjet më parë që unë të braktisja zgjedhjen time për specialitetin e sëmundjeve infektive, megjithë pasionin për to, sigurisht ndikuar edhe nga babai im, që kish qenë mjek infeksionist.
***
Spostimi i specialiteti të sëmundjeve infektive humbi një ekspertizë unike për diagnostikimin, trajtimin e infeksioneve, humbi mundësinë e paksimit të rezistencës mikrobike, përcaktimin e çfarë mjekimi duhet dhe më e rëndësishmja, çfarë mjekimi nuk duhet.
Për gjithë këto arsye, specialiteti i sëmundjeve infektive duhet të kthehet në një nga specialitetet tërheqëse për studentët dhe mjekët e rinj.
***
Sëmundjet infektive në shekuj kanë ardhur valë-valë, kanë marrë ç’kanë dashur, kanë ikur, për t’u rikthyer dhe për të riikur.
Ajo që duket si fundi i sëmundjeve infektive, në të vërtetë është vetëm përshtatja për të jetuar me to.
© Shefqet Deliallisi