Suplementomania, “sëmundje” e kohës - Nga Shefqet Deliallisi
Në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, suplement është diçka që i shtohet diçkaje tjetër për ta plotësuar apo përmirësuar. Në kuptimin farmaceutik është një substancë që merret për të korrigjuar mangësitë në dietë.
Suplementet perfshijne komponime te vitaminave dhe mineralevete ndryshme.
Çfarë është një vitaminë?
Diçka që organizmi ynë nuk mund ta sintetizojë. Të gjitha vitaminat që na nevojiten ne mund t'i marrim nga burime natyrale, nga ushqimet që supozohen të jenë të pasura me nutrientë. Kur struktura kimike e vitaminave ende nuk ishte përcaktuar, emërtimi i tyre bëhej me shkronjat e alfabetit: vitamina A, B, C, D, E e kështu me radhë. Ky emërtim vazhdon të përdoret shpesh, sidomos nga publiku i gjerë.
Me përcaktimin e strukturës kimike, sot përdoret edhe emërtimi kimik.
Shprehi të gabuara
Pse në këtë epokë mirëqenie, për të marrë vitaminat dhe lëndët e tjera ushqyese që na duhen përdorim pilula të prodhuara sintetikisht? Duhet të gjithë njerëzit të përdorin suplementë me vitamina dhe mikrominerale? Justifikohet përdorimi kaq i gjerë i tyre si parandalues apo mjekues?
Argumenti i marrjes së suplementeve dhe multivitaminave për të kompensuar mungesat në një diete jo ideale, s'mund të justifikohet si racional. Shumë të dhëna shkencore forcojnë pretendimin se suplementet dietetike s'mund të zëvendësojnë shprehitë e mira të të ushqyerit, as aktivitetin fizik, as rënien në peshë, si një mjet për të minimizuar riskun për sëmundje të zemrës apo goditjeve në tru.
Pse përdoren kaq masivisht?
Për kuriozitet, sot amerikanët harxhojnë rreth 3 miliardë dollarë në vit për marrjen e suplementeve të mikronutrienteve dhe vitaminave në formën e tabletave, që tregëtohen lirshëm në çdo market ushqimor. Marrja e suplementeve eshte kthyer ne mani, sidomos tek të moshuarit.
Masiviteti justifikohet me dy arsye. E para, largimi nga ushimet e vërteta, afër atyre natyrale dhe përdorimi i ushqimeve të shpejta të përpunuara (fast food). Dhe e dyta, sepse njerëzit besojnë se do të jenë më të shëndetshëm, do ndihen më mirë, nëse marrin më shumë vitamina dhe lëndë ushqyese përmes pilulave, pluhurave, eliksireve, lëngjeve...
Pro dhe kundër
Krahas miratuesve per marrjen e suplementëve ka shumë skeptikë, sipas të cilëve përdorimi kaq masiv është i pakuptimtë, një shpenzim i kotë, mbasi sasia e tepërt e vitaminave dhe mineraleve nuk përdoret nga organizmi dhe eleminohet me urinë.
Në fillim të viteve1900, vitaminat dhe suplementet ishin domen i drejtpërdrejtë i mjekut dhe farmacistit, ndërsa sot janë liruar nga juridiksioni i tyre, madje nuk rregullohen nga asnjë entitet qeveritar, si barnat e tjera.
Dr. Grupeet Dhaliwall në shkrimin "Si të kurseni qindra dollarë në vit dhe ta mendoni nevojën për suplemente dhe vitamina", botuar në Wall Stret Journal shkruan: "Njerëzit me shëndet të mirë që marrin suplemente vitaminash, duhet të informohen se janë duke paguar jo pak para për një efekt placebo".
Marrja e më shumë vitaminave nga sa nevojiten s'do të thotë më mirë.
© Shefqet Deliallisi