Stil & Jetë

Palestrojmë edhe mendjen - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Njerëzit modernë shkojnë në palestër, matin kaloritë, ndjekin klasa fitnesi online dhe bëjnë selfie me muskuj që sapo kanë filluar të marrin formë. Pra, kujdesen për trupin e tyre, sepse siç thotë shprehja: “Një trup i shëndoshë në mendje të shëndoshë.”

Por prisni një sekondë… Po nëse është e kundërta? Po sikur të na duhet më parë një mendje e shëndoshë për të pasur një trup të shëndetshëm?

Në fakt, kjo është një marrëdhënie dykahëshe: njerëzit nuk shkojnë në palestër vetëm për të tonifikuar trupin, por edhe për të qetësuar mendjen, për të çliruar stresin, për të rregulluar humorin. Studiot moderne të fitnesit janë bërë vendet ku shumë njerëz “vijnë në terezi” duke ngritur pesha, zbrazur mllefe dhe dalë prej andej më të kthjellët sesa nga një seancë terapie (jo gjithmonë, por shpesh). Ndërkohë, një mendje e disiplinuar, e stërvitur dhe e fokusuar është ajo që të shtyn të ngrihesh nga kolltuku dhe të mbathësh atlete.

Po si e stërvisim mendjen konkretisht? Ku janë palestrat e saj?

Kudo! Në shkollë, në rrugë, në punë, në kafene mes të panjohurish. Çdo situatë është një mundësi për të ushtruar mendjen, madje me synime të qarta po deshe: sot stërvisim vëzhgimin, shkrimin, fjalorin, nesër kujtesën, pasnesër merremi me ca numra për shpejtësinë e procesimit… dhe kështu me radhë.

Dhe e mira është që nuk ka nevojë për pajisje të shtrenjta apo instruktorë që të udhëzojnë (ndonjëherë edhe ka): mjafton dëshira dhe motivimi, një libër, një pyetje e zgjuar, një lojë fjalësh, një gjëegjëzë, një puzzle, një sfidë matematikore që të bën të mendosh pak më gjatë, një fjalëkryq, një debat i mire, dhe plot ide të tjera.

Gjatë kësaj periudhe pushimesh, kur njerëzit janë më të relaksuar dhe s’kanë shumë qejf të merren me detyra ose stërvitje mendore, lojërat janë ato që mund të na vijnë në ndihmë duke na argëtuar dhe sjellë dobi.

Pjesa më e preferuar për mua gjatë udhëtimeve është kur luajmë në makinë me fëmijët, duke sajuar gjëegjëza me objektet që shohim në rrugë. Ose kur zgjedhim një fjalë dhe kërkojmë sa më shumë sinonime që të na vijnë në mendje me kohëmatës dhe shumë krenari për fjalën “e rrallë” që dikush shpik ose gjen në fund. Ose ato pyetje që duken sikur kanë kleçkë, por në fakt janë të thjeshta... dhe megjithatë mendja jonë këmbëngul të zbulojë një komplot që s’ka. Ose problemet matematikore që mund të hidhen në lojë, por kujdes! Në atë pikë mund t’ju prishet atmosfera. Fëmijëve mund t’u duket sikur filloi shkolla. (Nuk ua rekomandoj këtë gjatë pushimeve.)

Palestra mendore forcon përqendrimin, ruan elasticitetin e trurit, ndihmon në menaxhimin e stresit, përmirëson kujtesën dhe humorin. Sjell të mira plot. Një mendje e stërvitur nuk është vetëm më e mprehtë, është edhe më e qetë, më elastike dhe më pak neurotike.

Siç na kanë mësuar në vegjëli, trupi dhe mendja janë shokë të ngushtë. Ata stërviten bashkë, shërohen bashkë dhe mbajnë formën bashkë. Dhe e bukura është që s’ka nevojë për pajisje moderne apo abonime mujore. Jepini ndonjë gjëegjëzë për mëngjes, një lojë fjalësh për drekë dhe një mister të vogël për darkë. (Ah sikur të ishte kaq e thjeshtë!). Po ku i dihet? Mbase trupi do t’ju falenderojë. E mendja? Ajo s’do ndryshket si biçikletë në bodrum.

Ups, u kujtova që kam një biçikletë.

© Jeta Dedja/Flasshqip.ca