Stil & Jetë

Beqarët në çift - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

Natyrisht, fenomenin e ndjek nga perspektiva e një subjekti letrar, por edhe personalisht ai nuk më lë indiferent.

Është fjala për çiftet që jetojnë veç. 

Pavarësisht se shoqëria shqiptare është disfunksionale në plan politik, nuk mund të them të njëjtën gjë në planin social. Njerëzit jetojnë dhe kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre. Çdo vizitë në Tiranë më shërben edhe për të parë evoluimin e saj. 

Konceptin e të jetuarit në çift, pa bashkëjetuar e shoh të trajtohet në shumë studime dhe artikuj specialistësh eminentë të familjes. Sipas tyre, ai mund të jetë një model konkurrues mjaft serioz i lidhjeve tradicionale.

Beqarë në çift (në frëngjisht përdoret termi “célicouple”, pra çift beqarësh), është një marrëdhënie dashurie që e vë theksin te një pavarësi e ndërsjelltë. Partnerët angazhohen emocionalisht, duke ruajtur në të njëjtën kohë pavarësinë e tyre. Secili jeton në banesën e tij dhe administron të ardhurat e tij sipas asaj që e sheh të arsyeshme. Madje ka edhe rrethin e tij të të njohurve, rrjetin e tij (saj) social.

Sociologët thonë se një dinamikë e tillë i ofron secilit hapësirën e tij personale, sa kohë që ndajnë bashkë lidhje të thella emocionale.

Një model ky që me lirshmërinë e tij po josh gjithnjë e më shumë njerëz që janë në kërkim të një emëruesi të dashurisë dhe lirisë personale. Këtë e vërejta te njerëz të mi të afërt, por edhe midis miqsh të mirë e të njohur prej dhjetëra vjetësh.

Një lidhje e tillë nuk kufizohet nga mosha. Të rinjve u lejon të ndjekin ambiciet e projektet e tyre profesionale a artistike, pa i dhënë llogari kujt për mënyrën si e organizojne kohën, ndërkohë që për ata që kanë avancuar dhe janë stabilizuar në jetë, ky model u jep mundësi të angazhohen në një lidhje dashurie, por pa tronditur përditshmërinë e tyre, pa qenë të detyruar të humbasin pavarësinë e të krijojnë reflekse të reja, gjë e vështirë kjo.

Më tej, ky model ofron mundësi më të mirë riformulimi të jetës për personat e divorcuar, ata që kanë humbur bashkëshortët respektivë apo për prindërit beqarë.

Dihet se një marrëdhënie e re pas një divorci është tejet problematike. Frustracionet dhe frikërat e së kaluarës zaptojnë shpirtin tonë. Modeli i çiftit të pamartuar ofron një mundësi të mirë për riformulimin e së ardhmes. Për ata të cilët për një kohë kanë qenë vetëm apo të divorcuarit, që ndërkohë kanë vlerësuar pavarësinë e deriatëhershme, perspektiva e një dashurie që respekton hapësirën personale të secilit, duket si një zgjidhje që merr atë që është më e mirë nga të dy modelet dhe ka gjasa të jetë afatgjatë, po të përdorim një term nga fusha biodiversitetit.

© Dashnor Kokonozi