Stil & Jetë

O tempora, o mores! - Nga Vangjush Ziko

Të gjithë e dimë atë paravolinë, që tregojnë për një mbret i cili dha urdhër t’i zhduknin pleqtë, por një djalë nuk iu bind dhe e fshehu të atin nëntëdhjetëvjeçar. Dhe ishte ky baba që i mësoi zgjidhjen aq të mençur të garës që shpalli mbreti midis të rinjve, se cili prej tyre do ta shihte i pari lindjen e diellit.

Ju do të thoni se ç’na duhet kjo histori kaq e lashtë në kohën tonë moderne dhe aq më shumë për ne këtu në emigrim. E drejtë është. Por, kur pyeta një moshatarin tim pensionist se ç’të reja kishim nga Shqipëria, ku ai kishte vajtur për një vizitë të shkurtër pas disa vjetësh mërgimi, më tha: -E reja më e fundit është emigrimi i pleqve. Fëmijët po i marrin prindërit e tyre me bashkim familjar.

Kur bijtë u nisën për emigrim, u morën a s’u morën leje prindërve, s’ka rëndësi. Të gjithë u justifikuan se po shkonin për një jetë më të mirë për vete dhe për fëmijët e tyre, veçanërisht. Dhe kjo ishte një gjë e arsyeshme. Çdo prind do të mirën e fëmijëve të vet, në radhë të parë. Dhe prindërit pleq u uruan udhë të mbarë dhe fat.

Por ja që kurbeti nuk qenka fushë me lule. Zgjidhja e disa problemeve familjare na dashka edhe këshillën apo edhe ndihmën e prindërve të tyre të moshuar.

Erdhi kështu çasti që fëmijët e ndien nevojën e pleqve të “fshehur” në atdhe. Që të jemi realistë dhe të drejtë edhe prindërit, që kanë shkelur moshën e pleqërisë së pabesë, kanë nevojë për kujdesin dhe vëmendjen e fëmijëve të tyre. Problemi na qenka reciprok. Duhet t’ia dinë vlerën dhe dobinë njëri-tjetrit.

Në mjediset tona familjare janë akoma gjallë hallkat e lidhjeve ekonomike dhe morale të përbashkëta.

Një kolonjare e mençur, duke biseduar për këtë problem, më tha një ditë duke vënë buzën në gaz: -Duhemi, posi. Të tundim djepet dhe në mërgim.

Djepi i saj kishte kuptim të figurshëm, jo vetëm rritjen e vogëlushëve, por edhe edukimin e tyre me ndjenja fisnike.

Për ta mbyllur këtë bisedë, do t’ju kujtoj edhe vendimin e dytë të atij mbretit të paravolisë së vjetër, që e anulloi urdhërin e parë për zhdukjen e pleqve. Ai urdhëroi që të ruheshin pleqtë, të mos vriteshin, sepse na qenkëshin të nevojshëm akoma.

Sekretin e zbulimit të çastit kur lind dielli ia kishte mësuar atij djali, i ati i tij plak. Të gjithë të rinjtë u kthyen me fytyrën nga lindja, kurse i biri i atij plakut, u kthye me fytyrë nga perëndimi duke vështruar vargmalet, të cilët i përshëndet rrezja e parë e diellit, pa u shfaqur ende në horizont.

Nuk e di. Këtë paravoli e kanë sajuar pleqtë, apo të rinjtë. Nuk ka rëndësi. Pleqtë kanë qenë të rinj dikur dhe të rinjtë do të plaken një ditë.

Kur ia tregova këtë mesele një mikut tim emigrant, të ri në moshë, më tha: -Të jini të lumtur që urdhëri i atij mbreti është në fuqi për brezin tuaj. Kjo paravoli nuk ka për të funksionuar për brezin tonë.

Kishte të drejtë. Djali i tij, që erdhi i vogël në emigrim tok me prindërit, mbaroi universitetin, u martua, ka dhe një fëmijë të vogël. Bashkë me nusen dhe me të birin, ngarkuan dhe u vendosën në një qytet tjetër larg. Atje ku gjetën punë. Nuk pyetën aspak për prindërit e tyre që do plakeshin.

Koha e kurbetit (dhe jo vetëm) e ka vjetëruar edhe këtë paravoli të kohës së mbretërve.

Pleqtë nuk i fshehin më as në atdhe, as në emigrim. Ata kanë filluar të mbyllen vetë nëpër azile.

O tempora, o mores!

© Vangjush Ziko