Larg injorantëve - Nga Jeta Dedja
- Published in Jetë dhe stil
- Nga: Jeta Dedja
Injoranca është shqetësuese, sidomos kur është dhe arrogante. Ti nuk ndihesh mirë mes injorantësh, ndjen siklet dhe dëshiron t’ia mbathësh por shpesh të zë rrota bishtin dhe do durosh. Por a durohet? Injoranca është frustruese, është bezdisëse njëlloj si pickimet e mushkonjave që të bëjnë të kruhesh. Ka solucione e kremra për të mbajtur larg mushkonjat, po për injorantët a ka?
Nëse je i/e interesuar, ja një guidë për ty. Të paralajmëroj se nuk është modeli më i mirë i sjelljes, por në ca raste të ndihmon.
Injoro injorantin: Kur një injorant po ju bezdis, shpërfille. Tingëllon e pasjellshme, por hej ca tipa e meritojnë. Ktheje vëmëndjen tek dikush tjetër nëse je në një grup dhe ndërvepro me të.
Largohu prej tij/saj: Kur një injorant fillon të flasë broçkulla dhe kjo gjë të bezdis, largohu prej tij/saj. Vendosja kufirin tek thana. Kështu i dërgoni mesazhin se nuk ju pëlqejnë ato që thotë dhe janë të papranueshme për ty. Nëse injoranti është në rrjetin virtual, shpërfilli komentet ose bëji bllok.
Bëj diçka tjetër: Nëse e ke të pamundur t’i largohesh injorantit, nxirr celularin nga xhepi dhe merru me të. Nuk besoj se do biesh në sy për keq me këtë teknikë që është kaq në modë.
Ji diplomat: Nëse injorantin e ke në zyrë/ klasë/komunitet dhe jua ka bërë kokën daulle, tregoji se ke shumë punë për të bërë dhe duhet të përqëndrohesh. Jepi sinjale që je i/e zënë. Nëse të ndihmon, shfryje frustrimin tënd më pas me dikë që e ke mik apo mike.
Mund edhe të tregosh mirëkuptim: Injoranti është injorant, aq di e aq bën. Mundohu të kuptosh nga i buron injoranca, pse e bën atë që bën. Por mba mend se ti nuk mund t’u ndryshosh botëkuptimet në një periudhë të shkurtër kohore. I mençuri zakonisht duhet ta ngulisë këtë gjë në kokë.
Nxirr mësim nga injoranti: Kur ndesh në injorancë dhe e gjen veten si në çark, mendoje si mësimin që të vjen një herë si mundësi në jetë dhe përpiqu të përfitosh prej tij. Në fund ki parasysh se është më mirë të rrethohesh me tarafin tënd dhe kurrë, por kurrë mos debato me një injorant!
*Këshillë mbijetese: Nëse keni një epror injorant, një sy qorr e një vesh shurdh por duke mos e shkelur ligjin. Bëni atë që duhet bërë! Ose dil privat, vet Zot e vet shkop!
©JetaDedja - Flasshqip.ca