I rrituri i vogël dhe i vogli i rritur - Nga Jeta Dedja
Sa i vogël bëhet shpesh njeriu i rritur, aq sa fëmijës i duket vetja i rritur krah tij. Prindër fëmijë dhe fëmijë prindër. Burrë djalë dhe djalë burrë. Vajzë grua dhe grua nënë. Role që ndërrohen pa paralajmërim, në çaste që zgjasin një jetë ose vetëm një moment, por që lënë gjurmë të thella.
Fëmijët rriten duke mësuar rolet që u cakton jeta, por ka çaste kur jeta i përmbys vetë rregullat. I shtyn të dalin nga skena ku janë vendosur dhe të marrin përgjegjësi që nuk i takojnë moshës së tyre. Si atëherë kur babai i dehur ngre dorë mbi nënën dhe ai, ende fëmijë, duhet të bëhet mburojë. Kur nëna qan si një fëmijë i lënduar dhe ai duhet ta qetësojë, ta mbajë gjallë, t’ia ngjitë ndjenjat e krisura me duar të vogla.
Këta janë fëmijët që marrin rolin e të rriturit jo sepse duan, por sepse shtëpisë i duhet dikush që të dirigjojë.
Si rasti i djalit që shkon në terapi me një fletore ku dikur mbante shënim shpërthimet e të atit. Kishte mësuar t’ia dallonte humorin nga tingulli i çelësave në derë. Ajo fletore ishte manuali i tij i mbijetesës: “Nëse ecën rëndë, mos i dil para. Nëse përplas çelsat në dysheme, çoje motrën të flejë.” Një fëmijë meteorolog i shpirtit të prindërve që nuk ka më kohë të jetojë fëmijërinë e tij.
Ose vajza dikur trembëdhjetëvjeçare që rrinte zgjuar çdo natë, jo për shkak të Instagramit, por sepse kontrollonte nëse nëna merrte frymë. E ëma, e rënë në depresion të thellë, kishte një vajzë-nënë që kujdesej për të. Vajza kishte mësuar të gatuante, të paguante faturat, të punonte në fast food, t’i lante e t’i priste flokët së ëmës. Bënte gjithçka, përveç gjësë së vetme që duhet të bënte një fëmijë: të ishte fëmijë.
I vogli i rritur ndodh të gjendet në një boshllëk ku të rriturit lëkunden, ku ai sforcohet të bëhet trup i fortë për të mos lejuar shembjen. Në moshën kur duhet të mësojë si të lidhë këpucët, ai mëson si të ngjisë thyerjet emocionale të të rriturve rreth tij.
Dhe kështu, këtyre fëmijëve u shkon jeta mes dy botëve: asaj ku janë fëmijë me nevoja për mbrojtje e dashuri, dhe asaj tjetrës ku mbajnë peshën e të rriturve. Kur rriten vërtet, shpesh mbeten të mbërthyer midis të dyjave. Në punë mund të jenë profesionistë të zotë, të saktë, të përgjegjshëm. Por një zë i ngritur mjafton dikur që kujtimet ta kthejnë pas te ajo natë, te ajo derë, te ai zë.
Por në këtë rritje të zorshme, të dhunshme shpeshherë ka edhe diçka tjetër: një forcë të ngritur mbi halle, një maturi të skalitur prej lëndimesh. I vogli i rritur e ka parë botën më herët, më nga afër, me detaje që të rriturve u kanë shpëtuar. Kjo i bën të jashtëzakonshëm dhe po aq të brishtë.
Se i vogli i rritur tashmë i rritur i vogël ka nevojë të clirohet nga roli që iu dha me zor dhe të kapë vitet e humbura, atë vite që nuk mundi t’i jetonte. Aty në kolltukun e terapisë do të fillojë rritja e vërtetë. Aty ku më në fund do të fillojë fëmijëria të marrë udhë, me të drejtë.
© Jeta Dedja/Flasshqip.ca











