Një ekspres, të lutem! - Nga Jeta Dedja
- Published in Jetë dhe stil
Hajde të të jap një kafe? Do dalim për kafe? Takohemi te kafja! Merre një kafe prej meje. Flasim në kafe. Llafe kafeje! Po shkoj t’i pi një kafe filanit. Ia dhe kafen fistekut? Çfarë do merrni? Dy kafe!
Ah kjo kafeja sa e dashur është, e lakojmë në çdo rasë. Në Shqipëri e nisja ditën me një ekspres, dhe një të dytë në drekë. Kur porositja nuk ishte e nevojshme ta përcaktoja llojin e kafes, thjesht artikuloja fjalën kafe dhe dihej që vinte ekspres, aq shpejt sa ti ende nuk kishe bërë raportimin e parë të mëngjesit me shoqen tënde të dashur. Normalisht kjo ndodhte në baret ku isha kliente e përditshme, se Shqipëria si gjithë vendet e tjera ofron varietete kafeje. Por ekspresi është më popullori.
Kur erdha në Kanada gjatë rrugëtimit për t’u përshtatur me stilin e jetës së vendit u ndesha dhe me Starbucks-kompaninë e famshme amerikane e organizuar si zinxhir me dyqanet e saj. Llojet e kafeve janë mahnitëse. Gjen ç’të duash, etiopiane, xhamajkane, arabike, kolumbiane, franceze, italiane, guatemaleze, nikaraguajane, meksikane, etj, etj. Por ndryshe nga Shqipëria, këtu nëse kërkon kafe, nuk merret me mend filxhani i vogël i ekspresit, por një gotë plastike me përmasa S/M/L/XL e mbushur me ujë me ngjyrë kafeje, një shije qe gjuha ime nuk e kategorizonte tek të këndshmet. Kështu që mua më duhej ta theksoja çdo mëngjes “espresso, please”.
A është e njëjta shije e ekspresit që gjerbja në atdhe? Oh Zot, jo dhe jo. Çfarëdo qoftë origjina e atij ekspresi në Starbucks, nuk i përafrohet Lavazzës së preferuar dhe as stilit shqiptar të pirjes së “lëngut magjik”. Po ka njerëz si puna ime që kur nuk pijnë kafen e duhur në mëngjes, janë si të fjetur gjatë ditës, mos them me nerva dhe dhimbje koke. Dhe ja që ekspresi i Starbucks nuk po më jepte efektin me të cilin isha mësuar. Kafenetë që shërbejnë ekspres si në Shqipëri, nuk janë të arritshme aq lehtë. Duhet kohë në dispozicion.
Përmes ca gjërave të vogla të së përditshmes, po më dukej se po hyja në procesin e përshtatjes me jetën kanadeze. Një nga çështjet ishte a të pranoja këtë lloj kafeje apo të kërkoja e të gjeja atë që më mungonte. Çfarë bëra? T’i kurseja familjes nervozizmin tim dhe vetes t’i bëja shërbim, vajta me vrap bleva aparatin e ekspresit dhe kafe Lavazza në supermarket italian.
Mmmmm…po, kjo ishte ajo prej së cilës nuk mund të hiqja dorë. Kështu kuptova se e kisha vetë në dorë sa lëshim do bëja nga “huqet” e mia, nga ato që më bënin të isha unë. Nuk them se nuk do jetoja dot pa ekspres Lavazza (po më duket tani sikur ky shkrim është paguar nga kompania Lavazza aq shumë e kam përmendur), por pse të hiqja dorë nga diçka që e doja dhe më ndikonte pozitivisht ditën, duke detyruar veten të mësohesha me diçka që nuk më shijonte?
Sigurisht njerëzit gjatë jetës u hapin vazhdimisht rrugë zakoneve të reja dhe eksplorojnë shije, vende, karriera, marrëdhënie e të tjera fusha, duke hequr dorë nga ato gjëra që tashmë u kanë marrë ç’të munden. Fundja, dyqanet ofrojnë varietete kafeje nga vende që i kemi parë veç në hartë. Pse të mos tentojmë t'i provojmë të gjitha?
Por gjithashtu, di që shpesh herë nuk u japim rëndësinë e duhur gjërave që na ndikojnë pozitivisht. I marrim për të mirëqëna, dhe vetëdijësohemi atëherë kur pushtohemi nga efekti i munguar. Prandaj çdo filxhani, nëse të shijon ashtu siç je mësuar i duhet dhënë pesha e çmuar kudo të jesh. Mos hiq dorë nga ekspresi i preferuar, gjeje kudo të jetë.
©FlasShqip.ca











