Stil & Jetë

Jeta dhe vdekja: Dje, sot dhe nesër - Nga Ethem Ruka

Është e vështirë të rikthehesh dhjetra vite pas në përpjekje për të “ripërtypur” kujtimet e viteve të fëmijërisë. Unë u linda në një shpat të pjerrët kodre të luginës së Vjosës, ku toka ka më shumë gurë se dhe. Edhe njerëzit ishin dhe janë po aq të fortë si dhe gurët e asaj toke.

Ne u rritëm në prehërin e natyrës së virgjër. Flisnim me erën, shiun, dëborën, retë, bubullimat, Diellin dhe Hënën. Vraponim lëndinave e ngastrave të arave, njihnim gjithë llojet e bimëve e pemëve, kafshët e pyllit, gjarpërinjtë, shpendët e insektet.

Hipnim në pemë me shkathësinë e një ketri, ngjiteshim në shkëmbinj pa asnjë problem, vraponim përgjatë rrugëve të ngushta buzë greminave pa patur frikë, mblidhnim e hanim fruta të egra plotë aromë e vitamina, luanim në kashtën e grurit të sapo shirë në lëmenj, preknim tokën e natyrën pa patur frikë se do infektoheshim. Ndodhte që edhe sëmureshim, por prapë i drejtoheshim farmacisë së natyrës për t’u shëruar.

Netëve të gjata të dimirit dëgjonim përrallat magjike dhe për heronjtë e tyre që vdisnin nga helmet, magjitë e tehu i shpatave dhe ringjalleshin nga barnat çudibërëse. Dëgjonim për kuçedrat e tmerrshme që zinin burimet dhe shtonin etjen e të gjallëve, për këto krijesa mitike që nuk ngopeshin me mishin e të gjallëve, por dhe për djemtë trima që arrinin t’u prisnin kokat për t’u dhënë lirinë e munguar njerëzve.

Ne jetuam mes mitit dhe realitetit. Dëgjonim nga të parët histori për të gjallët e të vdekurit. Besonim se të sapovdekurit u përcillnin të vdekurve të mëparshëm porositë e të gjallëve, besonim se fatet e të gjallëve pëcaktoheshin që në lindje.  Besonim në bëmat gjëmëmëdha të shtrigave, në forcën e hijeve, lugetërve, të ogureve të mirë e të këqinj, te mesazhet që jepnin thëngjijtë dhe flakët e zjarrit të oxhakut, te forca e magjive dhe magjistarëve, te fluturat e natës që silleshin rreth flakës së llampave të vajgurit dhe personifikonin shpirtrat e të ikurve.

Kur ishim të vegjël mendonim se jeta ishte shumë e gjatë dhe vdekja u takonte vetëm të tjerëve. Pak e nga pak e kuptuam se ajo rrëmbente fëmijë, të rinj e të moshuar. Njëherë, një nga shokët tanë të fëmijërisë gjeti një granatë të lënë nga ushtria italiane që nga koha e Luftës italo-greke. Luajti me të dhe u mundua ta hapte. Granata plasi dhe i mori jetën në vend. Aty e kuptova për herë të parë se vdekja fshihej kudo nëse nuk ishe i kujdeshëm.

Foshnjet nuk e kanë ende idenë e vdekjes. Psikologët thonë se fëmijët fillojnë ta perceptojnë atë qysh në moshën 5-7 vjet. Por është ende herët për të kuptuar peshën e dhimbjes që ajo lë pas te të afërtit.  Dhimbja dhe frika përballë vdekjes është një kulturë më vete. Babi me thoshte se kur gjuetari i afrohet një kaprolli të plagosur nga saçmet e çiftes, nga sytë e tij shpëtojnë pika loti. Ndoshta frika ndaj vdekjes është një ndër mënyrat më të mira për të ruajtur jetën që jetohet vetëm një herë.

Unë u linda në dhjetor të vitit 1947. Në ato vite numri i të lindurve në një familje ishte shumë i madh. Kishte gra që kishin lindur deri në 8, 10 apo edhe 13 fëmijë. Jo pak fëmijë humbnin jetën për arsye të ndryshme. Megjithatë, të mbijetuarit e moshës së foshnjërisë jetonin gjatë.

I shkova edhe njëherë ndërmend të moshuarit dhe të moshuarat e viteve të fëmijërisë në fshatin tim të lindjes, në Turan të Tepelenës. Shumë prej tyre, burra e gra   jetuan më shumë se një shekull, të tjerë arritën afër të njëqindave.

Nënë Razua jetoi shumë gjatë, ndoshta më shumë se 110 vite. Kur isha i vogël, ndodhi që e pashë të dilte me këmbët e saj të lodhura nga shtëpia. Edhe sot më kujtohet në detaje ajo skenë. Më kujtohet me hollësi edhe vendi ku ecte si një hije në oborrin para shtëpisë.

Ngrehina e trupit të saj, edhe pse mund të lëvizte akoma, kish marrë një trajtë të pazakontë. Ishte kërrusur aq shumë, saqë koka e saj rrezik kishte zbritur deri në gjysmën e trupit. Ajo mund të ketë qenë një kampione jetëgjatësie në botë, por askush nuk mundi ta dokumentonte. Në fshat thoshin se atë e kish harruar perëndia, kur bashkëmoshataret e saj kishin vite e vite që ishin larguar nga kjo botë.

Në intervalin 90-100 vite u përfshinë edhe prindërit e mi. Babit iu deshën pesë vite për të kapur shekullin, ndërsa nënës edhe 9 të tillë. Për fat të mirë ata qenë aq të qartë mendërisht dhe ruajtën një kujtesë shumë të fortë deri në fund të jetës. Kurrë nuk i pashë të kërrusur, por me trupin të drejtë si në rininë e tyre. Kurrë nuk i pashë të humbisnin mendjen dhe kujtesën. Kurrë nuk u ankuan për dhimbjet që duruan deri në frymën e fundit. Ata u larguan të lumtur duke marrë me vete jo vetëm dashurinë e bijve e bijave të tyre, por edhe të nipërve e stërnipëve dhe mbesave e stërmbesave deri në brezin e katërt.

Tani e kuptoj më mirë konceptin që ne kemi për moshën njerëzore. Kur isha i vogël, një dyzetvjeçar më dukej i plakur. Kur arrita vetë këtë moshë e kuptova që ajo ishte një moshë gjithë gjallëri dhe një nga segmentet më të bukur të jetës. Tani kur dëgjojmë për të afërt e miq që largohen në moshën 70 vjeç, themi ishte ende shumë i ri.

Është normale. Për ata që lindën në vitin 1920 në Shqipëri jeta mesatare e pritshme ishte 32.3 vjet, për ata të vitit 1930 35.68 vjet.  Për të lindurit e vitit 1940 jeta mesatare e pritshme ishte 42.72 vjet, ndërsa për të lindurit e vitit 1960 59.31 vjet. Për të lindurit e vitit 2000 jeta mesatare e pritshme ishte 73.03 vjet, ndërsa për të lindurit e vitit 2022 jeta mesatare e pritshme është 78.38 vjet.

Imagjinoni se çfarë ka ndodhur me jetëgjatësinë mesatare edhe për ne shqiptarët. Brenda një shekulli një rritje me gati 46 vite. Por mos ngatërroni jetëgjatësinë mesatare me jetëgjatësinë individuale të një njeriu.

Imagjinoni dy vëllezër. Njeri për fat të keq vdes sapo lind ndërsa tjetri jeton 70 vite. Jetëgjatësia mesatare e tyre është 35 vite, ndërsa jetëgjatësia individuale për njerin është zero vite, kurse për tjetrin 70 vite. Ndaj kur themi se jetëgjatësia mesatare e pritshme për të lindurit e vitit 1920 ishte 32.3 vjet, nuk do të thotë se të gjithë njerzit që lindën në atë vit do të jetonin po kaq vite. Përkundrazi, nga të lindurit e atij viti pati që jetuan shumë më pak se kaq, ashtu siç pati që jetuan po aq gjatë sa jetojmë edhe ne sot. 

Duke qenë nga profesioni biolog dhe duke mbajtur leksione fiziologjie për disa dhjetëvjeçarë në auditorët e Universitetit të Tiranës, u pasionova shumë pas temës së jetës dhe sekreteve të saj. Ky ishte një motiv pse shkrova për publikun disa botime që janë vazhdim i njeri-tjetrit. 

Fillimisht shkrova librin “Klonimi dilema mes jetës dhe pavdekësisë”, pak vite më von librin “Skllevër apo zotër të gjeneve tona” dhe para dy vitesh edhe librin “Transhumanizmi: Përtej njeriut”.

Ndodhemi para një revolucioni të vrullshëm biomjekësor. Shkenca dhe teknologjia na kanë dhënë një arsenal të tërë përqasjesh të reja, që po mundin sëmundjet njëra pas tjetrës dhe shtyjnë kufirin e sipërm të jetës, vdekjen.

Mosha e tretë shoqërohet nga një kompleks sëmundjesh që përgatisin pak e nga pak vdekjen. Vdekja nuk është një çast, por një proces që përgatit këtë çast.

Nëse e konsiderojmë plakjen si një sëmundje komplekse, nuk ka arsye të mos mendojmë se mund ta kurojmë atë. Ky përcaktim po pranohet pak e nga pak, megjithëse me vështirësi. 

Nuk besoj se sot jemi më gjendje të shpallim vdekjen e vdekjes, por një gjë është e sigurt që ky shekull do të jetë shekulli i rritjes së jetëgjatësisë së njeriut.

Për ne biologët vdekja është një e keqe e mirë për të ruajtur llojin në kushtet e një mjedisi që ndryshon vazhdimisht. 

Për të tjerët, vdekja u jep fund gjithë pabarazive duke i bërë të barbartë të pasurit e të varfërit, vrasësit dhe viktimat, të zestë dhe të bardhët, të diturit dhe të pashkolluarit, ata që jetojnë gjatë dhe ata që jetojnë më shkurt, meshkujt dhe femrat, prindërit dhe fëmijët e tyre.

E megjithatë, jeta e gjithkujt është e shtrenjtë. Kampionia e jetgjatësisë botërore është francezja Jeanne Louise Calment që jetoi 122 vite. Mjafton qoftë edhe një rast i vetëm për të kuptuar se potencialisht çdo qënie njerëzore mund të arrijë këtë kufi.

Për të sjellë me afër jush atmosferën e kërkimeve të jashtëzakonshme shkencorë dhe teknologjive që shënjestrojnë rritjen e jetëgjatësisë dhe zbythjen e vdekjes, kam vendosur të sjell një botim tjetër.

Asgjë nuk është e pamundur. Të sapolindurit dhe të rinjtë e sotëm do të jenë dëshmitarë dhe përfitues të gjithçkaje që duket në horizont, por nesër do të shndërohet në realitet. Nuk bëhet fjalë për fantashkencë, por për kërkime që po ndodhin çdo ditë në laboratorët e kërkuesve.

Pse, si dhe kur janë pyetje e mëdyshje që ia kemi bërë vetes qëkurse kemi lindur në një cep të këtij planeti. E pyesja veten kur isha fëmijë për shumë gjëra. Doja të dija më shumë se çfarë është jeta, pse disa jetojnë më shumë e disa më pak, pse disa sëmuren më rëndë e disa më lehtë, si rritemi dhe pse ndryshojmë brenda një jete, pse nuk mendojnë kafshët si ne, pse disa kafshë shikojnë natën më qartë se ne, pse vrapojnë e janë më të fuqishme se ne, pse shumë bimë jetojnë shumë më gjatë se ne, pse, pse….

Kaloi një jetë e tërë dhe psetë nuk u pakësuan, përkundrazi janë shtuar akoma më shumë.  Shpesh me duket se padija ime është më e madhe sot se dje. Dje dija pak e më dukej se dija më shumë. Sot di më shumë e më duket sikur di më pak. E megjithatë ca gjëra i kam mësuar dhe vendosa t'i shkruaj.

©Ethem Ruka