Të jetosh në shpirtin dhe zemrën e tjetrit - Nga Çapajev Gjokutaj
- Published in Jetë dhe stil

Trupin do ta lë këtu, është udhë e largët dhe s’e marr dot me vete, thotë Princi i vogël i Exupery-së pak çaste para se të zhduket.
Kurse gjatë novelës përsërit disa herë se thelbi i gjërave është i padukshëm, nuk shihet dot me sy, shquhet vetëm me zemër.
Por shkenca thotë se zemra nuk gjeneron ndjenja, është vetëm një muskul i madh që pompon gjak. Dhe shkenca ka të drejtë. Ka zbuluar e ç’nuk ka zbuluar kjo gjykatëse e pamëshirshme, por shpirtin nuk ka arritur ta gjejë. Mbase nga që nuk ekziston, hidhen e thonë skeptikët.
Shkenca është gjë e madhe, pa zbulimet e saj të shndërruara në teknologji, jeta e njeriut do të ishte vuajtje e tejmbushur me mundime dhe mungesa.
Por pa shpirtin dhe zemrën - paçka se të dyja mund të jenë thjesht metafora a sendërgji - jeta e njeriut do të qe e muzgët, mbushur me pasiguri, ankth e frikë.
Trupi im do mbetet këtu, si lëkurë e vjetër e braktisur, bëlbëzon Princi i vogël. Dhe lexuesit i kujtohen narrativat e stërlashta me trup të përkohshëm e shpirt të përjetshëm, trup që mbetet e tretet këtu dhe shpirt që vazhdon të gjallojë në qiejt e amëshimit.
Shumëkush mund të thotë se këto narrativa janë krijuara për të ngushëlluar njeriun, i premtojnë përjetësinë që të mos tmerrohet nga vdekja. Dhe kjo ngjan logjike.
Por, edhe po qe e vërtetë, është vetëm një pjesë e saj. Pjesa tjetër, mbase edhe më e rëndësishme, është se njeriu mbijeton tek tjetri, në shpirtin dhe zemrën e tij.
S’ka nevojë për ferr, ferri është tjetri, tha filozofi. Por mbase edhe ky tha vetëm gjysmën e së vërtetës. Gjysma tjetër është ajo që dimë të gjithë dhe që duhet ta kujtojmë çdo ditë: të jetosh në shpirtin dhe zemrën e tjetrit është si të kesh bujtur në parajsë.
©Çapajev Gjokutaj