Stil & Jetë

Copëza kujtimesh: "Të fshehtat e trurit" - Nga Ethem Ruka

Për fat të keq në vitet 1970-1980 botimet shkencore për publikun e gjerë zinin një vend thuajse të papërfillshëm përballë publikimeve letrare, kulturore, historike e politike. Mungonin botimet popullarizuese për zhvillimet e shkencës si një domosdoshëri për të mbushur boshllëkun mes shkencëtarëve dhe profanëve. Aksesi në informacionin shkencor është më shumë se një pasuri, është një pasaportë e detyrueshme për të kuptuar më mirë natyrën, universin dhe vet njeriun e shoqërinë.

Profesorët e unversiteteve dhe kërkuesit e mirëfilltë shkencorë janë më shumë të prirur të botojnë artikuj e botime shkencore, që lexohen nga një grup i kufizuar njerëzish dhe studentët e tyre. Për ta çuar shkencën deri te publiku, pena e shkencëtarëve duhet të punojë ndryshe. Ajo duhet të largohet nga stili i rëndë akademik dhe të vijë më e kuptueshme, më e thjeshtë e më tërheqëse për lexuesin e zakonshëm.

Një ndërmarrje e tillë nuk është e lehtë. por jo e pamundur. Shkencëtarë të mëdhenj e të famshëm, nobelistë ose jo, kanë ditur që kërkimet dhe teoritë e tyre t’i popullarizojnë në mënyrë befasuese. Këtë e ka bërë dje Albert Aishtajni për teorinë e tij të relativitetit por edhe Stephen Hawking për vrimat e zeza dhe kozmologjinë kuantike. 

Sot ka një mijë mënyra për ta sjellë shkencën te publiku. Ka revista, ka gazetarë të specializuar në fushën e shkencës, ka muze shkencash e kopshte botanikë, por ka edhe materiale të pafundme në Internet. Dje këto mundësi nuk ekzistonin. E vetmja dritare për të të komunikuar arritjet e shkencës dhe teknologjisë në vitet e rinisë sime ishte vetëm revista “Shkenca dhe Jeta”, që përpihej sa dilte në treg.

Një ndër vështirësitë kryesore për botimet e atyre viteve ishte çensura. Asgjë e shkruar nuk arrinte te lexuesi pa kaluar në një sërë filtrash profesionalë e mbi të gjitha politikë. Letërsia dhe arti duhet të ishin rigorozisht brenda kornizës së “Realizmit Socialist”, ndërsa botimet shkencore nuk duhet të shkelnin parimet e filozofisë marksiste. Çdo pakujdesi apo tepërim përtej kornizës së lejuar mund të vinte në diskutim karrirën e gjithkujt.

Në vitet 1970, unë isha një pedagog i ri universiteti, që kisha shumë dëshirë të shkruaja. Kisha hedhur hapat e parë me botimin e pak artikujve shkencorë në gazetat e kohës, por veçanërisht në revistën “Shkenca dhe Jeta”, ku jo kushdo kishte fatin të botonte. Kisha filluar të kisha më shumë besim te vetja, ndaj vendosa të hidhja një hap më të guximshëm, të botoja një libër për publikun e gjerë.  Mendoja të vija në provë veten dhe të tregoja se edhe unë mund të shkruaja një libër të ndryshëm nga botimet e zakonshme universitare. 

Vendosa të shkruaja për trurin e njeriut për këtë organ të jashtëzakonshëm, që ende mbetet një enigmë e pashpjeguar deri në fund. Truri, ky organ që nuk peshon më shumë se 1300 deri në 1500 gram, dhe nga këto 70% pjesë e lëngshme, përbën ndoshta organizimin më të ndërlikuar të universit e pse jo përbën edhe kryeveprën e Nënës Natyrë.

Ishte guxim i madh të shkruaje për trurin, për këtë organ ku shkenca dhe ideologjia ishin më afër se kudo tjetër. Te funksionet e trurit ndahej qartazi filozofia materialiste e përkrahur nga marksizmi me atë idealiste e përkrahur nga kapitalizmi. Sot këto koncepte duken të pakuptimta e të largëta, por për kohën tonë boshti ideologjik ishte pika e referimit që ndante materializmin nga idealizmi.

Megjithatë duhej guxuar. Ndoshta unë isha ndër të parët në Fakultetin e Shkencave që vendosa të komunikoja në këtë formë me publikun për botën e shkencës. Nuk e ndava këtë ide me askënd. E dija që do më merrnin për të marrë. Shfrytëzova çdo mundësi në Bibliotekën Kombëtare e për gjithçka mbaja shënime. Shikoja e studioja me kujdes modele librash shkencorë për të kuptuar si organizohej një libër i kësaj natyre.

Grumbullova shumë material, por nuk dija si ta rendisja në kapituj, çështje e nënçështje. Shkruaja dhe pasi lexoja atë që kisha shkruar nuk më pëlqente, ndaj filloja e shkruaja sërish nga fillimi. Vetëm kur ndërtova skeletin e librit, gjërat u bënë më të qarta.

Kur e vura punën para dhe pashë se libri po merrte formë, ia tregova idenë profesorit tim Bajazit Shehut. Ai ishte i vetmi që më kish nxitur e motivuar pa fund për të lexuar sa më shumë e për të guxuar të shkruaja. Profesori u ndje mirë dhe tha se kur ta botoja librin do ta koptoja se çfarë kisha bërë.

Pasi mbarova dorëshkrimin, doja të sigurohesha mirë që nuk kishte gabime ideologjike. Për fatin tim të mirë njihja një profesor me emër të madh të asaj kohe, profesor Bajram Prezën, mjek neuropsikiatër e akademik, që drejtonte Katedrën e Neuropsikiatrisë, Neurologjisë dhe Neurokirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Profesori jo vetëm që konsiderohej një nga yjet e mjekësisë në atë kohë, por ishte edhe njeri me zemër të madhe, që punonte shumë me studentët dhe të rinjtë.

E takova profesorin dhe iu luta ta shikonte dorëshkrimin para se ta dorëzoja në shtëpinë botuese. Profesori, për habinë time pranoi me kënaqësi dhe më tha se do ta shikonte me shumë kujdes. I lashë kohën e duhur dhe prita si në ethe mendimin e tij. Për fatin tim të mirë ai e vlerësoi shumë ndërmarrjen time dhe më inkurajoi ta botoja menjëherë. U ndjeva i lehtësuar.  Fjala e tij për mirë apo për keq ishte vendimtare. Ai ishte njeriu i duhur dhe më i dituri në këtë fushë.

E dorëzova librin në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, që ishte e specializuar për përkthime e botime politike, por edhe ato teknike e shkencore. Filtrat në të cilët kalonte çdo botim ishin të jashtëzakonshëm. E njëta gjë ndodhte edhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, e specializuar për botimet letrare. Autorët prisnin me ankth aprovimin ose jo të shkrimeve të tyre.

Unë qesh me fat, libri im u pranua për botim. U gëzova shumë. Ia kisha arritur qëllimit. Tani materiali ishte në duart e redaktorëve. Shteti merrte përsipër gjithçka, kopertinën, reçensat, redaktimin, shpërnadrjen e shitjen e librit. Autori merrte vetëm disa kopje falas dhe një honorar më shumë se simbolik.

Kur libri doli nga shtypi nuk më mbante vendi. Kisha përmbushur një ëndërr që më kish lindur qysh në fëmijëri. Kur më ra libri i parë në dorë, thosha me vete sa i ditur paska qenë ky që ka shkruar këtë libër. Ëndërroja nëse një ditë do të mund ta bëja edhe unë një gjë të tillë. Ajo ditë kishte mbritur. Më dukej gjë e madhe, ndonse ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë në fushën e botimeve.

Të marrësh guximin për të shkruar nuk është e lehtë. Duhet të përballesh me opinionin, me ata që të vlerësojnë, me ata që të nënçmojnë dhe për më tepër, me ata që të kritikojnë e sulmojnë. Thonë se ferri nuk ka vend për ata që shkruajnë. Për ta nuk është i nevojshëm gjykimi i fundit, sepse gjykohen së gjalli nga lexuesit, kritikët e botuesit e tyre. 

Me këtë botim dola nga auditorët e universitetit për të “pushtuar” një auditor më të madh, atë të publikut të gjerë. Nuk e kisha besuar se ky botim do të pëlqehej kaq shumë nga lexuesit shqiptarë, megjithëse bëhej fjalë për një botim të thjeshtë shkencor. Botimet popullarizuese duan një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, të qartë e sa më tërheqëse. Unë arrita ta fitoja këtë provë të madhe qysh në fillimet e karrierës sime si biolog i ri.

Botimi “Të fshehtat e trurit” u fut në arkivat e gjithë bibliotekave universitare të Shqipërisë. Ai filloi të rekomandohej gjerësisht nga pedagogë si material shtesë për seminaret e psikologjisë. Atë e shfrytëzuan mijëra studentë për vite e vite me radhë. Libri ka fuqi të jashtëzakonshme për transformimin kulturor të njeriut dhe gjithë shoqërisë. Ky botim më dha pa kuptuar dimensionin publik, të cilin nuk e fiton dot aq lehtë.

Për fat të keq botimet shkencore plaken shpejt.  Kështu ndodhi edhe me librin tim “Të fshehtat e trurit”. Shkenca ecën me shpejtësi marramendëse dhe sjell fakte të reja. Shkencëtarët e kanë “detyruar” trurin të flasë e të tregojë më shumë për enigmat që “bluan” brenda tij.

Ai nuk është më një kuti e zezë ku dimë çfarë hyn e çfarë del prej tij, por një “superkompiuter biologjik”, që përpunon në heshtje e në mënyrë magjike një masë të paimagjinueshme informacioni. Ai është pasuria jonë më e madhe, është organi që duhet të dimë ta shfrytëzojmë sa më mire, në çdo rrethanë e etapë të jetës.

Përballë këtij progresi mendova se do ishte mirë ta ribotoja librin tim të parë, por me një titull të ri, “Truri, kryevepra e natyrës”. Kështu bëra. Edhe ky botim u pëlqye shumë dhe tirazhi i tij u konsumua shumë shpejt nga lexuesit shqiptarë.

Kaq i duhet një njeriu për të vazhduar pa u lodhur në rrugën e botimeve. Dëshira për të shkruar e komunikuar me publikun shndërrohet në një lloj “droge”, prej së cilës nuk shpëton dot asnjëherë gjatë gjithë jetës. Është e rëndësishme të lexosh e studiosh për të shuar kureshtjen tënde intelektuale, por është po kaq e rëndësishme ta transmentosh atë te të tjerët.

©Ethem Ruka