Stil & Jetë

Muharrem Çobo dhe një “Master Class” me somelierin më të mirë të botës - Nga Luan Rama

Luan Rama - Paris

Kam patur rast të njoh në Francë disa somelierë, këta përfaqësues të denjë të verës, ambasadorë të vërtetë të shpirtit të saj. Më 1995 kam takuar dhe kam pirë verë në restorantin e somelierit më të mirë të botës për vitin 1992, Philippe Faure-Brac. Dhe ai kishte dëshirë t’i fuste klientët e tij në brendësi të botës së verës. Ti porosisje për të ngrënë, por ishte ai që sillte verën, gjithnjë në shishe pa etiketë. Dhe ti pyesje: ç’verë është? Vështirë ta zbuloje ndër mijëra lloje verërash. Dhe kur nuk e gjenim, si zakonisht, ai niste të të tregonte se ç’verë ishte, e cilit vit, e cilës vreshtë dhe pse kishte atë shije, sipas kohës dhe shirave që kishin rënë, përbërjes së tokës, sileksit, etj.

Përgjithësisht somelierët janë njerëz të paqtë, të heshtur, që flasin pak dhe me një inteligjencë të madhe. Qiellza e tyre është një instrument më vete për të kapur të gjitha llojet e shijeve. Por ai që takova para disa netësh në Tiranë, në “Kalanë e Tiranës”, në restorantin e Muharrem Çobos, ishte i një lloji tjetër. Luca Gardinin kinematografët do kishin dëshirë ta filmonin, këtë personazh të veçantë të verës dhe fitues si somelieri më i mirë i botës në vitin 2010. Para gotës së verës për të cilën duhet të flasë, pasi ta shijojë dhe kundrojë, ai tregohet si një shef orkestre.

Duart e tij me gotën përpara lëvizin me shpejtësi, si në një arenë cirku apo si një aktor mbi skenë ku gjithë qenia e tij është e përqëndruar tek gota e verës, ngjyra, duke ndjekur rrotullimin e verës brenda saj, mënyrën se si ajo bie në qetësi, nëse faqet e gotës janë veshur disi, etj. Flet për verën dhe ndërkohë e afron para hundës, e lëviz sërish dhe e afron përsëri për të ndjerë më afër aromat e saj. Gjithçka bëhet me një energji të çuditshme, me duar e trup që lëviz. Ai depërton vështrimin në gotë për të kapur nuancat e verës së bardhë. Kthen gotën, lëpihet, përtypet sikur të ketë diçka në gojë, duke e mbajtur disi në gotë që qiellza të mbartë sa më shumë shijet, aromat… Një verë e përkryer që çon gjithnjë në një tjetër gjendje.

Muharrem Çobo

Muharrem Çobo që tashmë njihet si një nga kultivuesit dhe prodhuesit më të mirë në Shqipëri e ndjek Luca-n me një admirim të veçantë. Eshte i gëzuar që Luca ka ardhur për një “master class” mbi verën në zemër të Tiranës. Askush deri tani nuk ka sjellë një somelier të tillë për një “master class”, për më tepër kampion bote. E ka njohur në Verona dhe ka mësuar jo pak nga ai, i cili tashmë është një nga figurat më të njohura në botën e verërave italiane, i nderuar si “Cavaliere della Republica” në moshën më të re për një titull të tillë honorifik. Eshtë puna dhe dashuria për verën që e kanë bërë një figurë të tillë, i cili ndërkohe është një bashkëpunëtor i çmuar me Forbes apo “Expresso”.

I afrohem në tavolinë dhe e pyes nëse e ka njohur kampinonin francez për vitin1992 dhe ai menjëherë më thotë emrin e tij: Philippe Faure-Brac. E njihte mirë. Ndërkohë “suareja” vazhdon. Pihet verë, shijohet thjesht me një djath për të mos i mbytur aromat dhe shijet e verës. “Luca-n unë nuk e konsideroj vetëm somelier por dhe kritik të verës!” - më thotë Çobo. Një ditë më parë, Çobo e kishte çuar të shihte vreshtat e tij në Manalat dhe i kishte treguar vendin ku prodhonte verën.

Një bisedë e gjatë midis somelierit kampion dhe mjeshtrit prodhues që i tregon për verën “Puls” apo të kuqen “Shëndeverë” siç e ka pagëzuar ai me një emër simbolik e domethënës. “Puls” është një verë e mrekullueshme pasi ky rrush kultivohet vetëm në Berat. Kur e tund verën në gotë, pasi bën rrotullimin e saj duke nxjerrë aromat, vera bie menjëherë, shenjë se kemi të bëjmë me një verë të mirë.

Luca Gardini

Luca Gardini provoi atë mbrëmje disa lloj verërash. Pas “Puls”-it, një verë “vlosh”, unikale në shijen e vet, një verë e kuqe. “Eshtë mbajtur 7 vjet e gjysmë në qilar dhe ju jeni të parët që po e shijoni!” - thotë Çobo. Dhe fjalëve të tij i shtohen ato të Luca-s i cili përmend me italishten e tij fjalët “brilante”, “luminosa” …me një aromë pjeshke dhe lavande që të ekkzalton. “Verën duhet ta përtypësh, - thotë Çobo dhe ai na tregon historinë sesi një ditë, në fillim të shekullit XX, Faik Konica priste babanë që kishte ardhur ta shikonte në Paris. Ai e çoi në një restorant dhe kamarieri u shërbeu verë. Kur pa djalin e tij si e pinte verën, i ati i tha: “Vera nuk pihet kështu, atë duhet ta mbllaçitësh në gojë!”

Pasi kemi pirë të kuqen me rrushin “vlosh” Luca merr në dorë një tjetër gotë me verë të kuqe të vitit 2017, me një ngjyrë të kuqe të kthjellët, me një “robe” disi “cramosi”, thonë francezët. Ai tund trupin, duart në një gjendje kënaqësie duke përmendur shijet e qershisë, kakaos, çokollatës. Pastaj e tund gotën sërish, e vështron me admirim dhe flet për kompaktësinë e saj si një verë perfekte, homogjene, “salvatico”.

Shërbimet për verën janë të shumta dhe ja pse Çobo vigjëlon që në përtëritjen e vreshtave, mirëmbajtjen e tyre, ndjek lastarët e rinj, vëzhgon qiellin kur thatësira nis dhe kërcënon, hardhinë kur nuk ndjehet mirë, vëzhgon frutin e parë, vjeljen, shtypjen, fermetimin… gjithë jeta e tij njësohet kështu me verën, për verën. Vetëm kështu vera të shpërblen. Dhe Çobo e mësoi këtë që kur ishte në Itali emigrant ku, me inteligjencën e tij natyrale, kur u kthye vendosi t’i kushtohet vreshtarisë, verës, pijes më të vjetër të botës për çka flet antikiteti edhe në Iliri. “Eshtë vera që të pi”, - thotë ai.

Ndërkohë vera na ka përqafuar të gjithëve. Më së fundi është Çobo që na vë në provë. Secilit i afrohen tre gota vere të ndryshme, të treja të kuqe, ku gotat kanë vetëm numrat 1, 2, 3. Askush nuk e di se ç’verë është. Duhet ta gjejmë. Dhe pasi ne i provojmë, secili duhet të japë gjykimin e tij se cila është vera e Çobos. Pasi i provova të treja, përzgjodha verën e gotës 2, edhe pse kisha një ndjesi të veçantë edhe për gotën 3, me një verë delikate e plot aroma. Në fund Çobo na zbuloi se vera e prodhuar prej tij ishte ajo në gotën 1 dhe 2… pra dy lloje të kuqesh (e dyta një “vlosh” i 2012), ndërsa për verën e gotës 3, ajo ishte një “Petrus” i zakonshëm i familjes së Saint Emilion, një verë franceze shumë e famshme, që bëri emër në mbretërinë e Anglisë.

Emërtimi somelier vjen nga fjala “sommerier”. Në Mesjetë, cilësohej kështu ai që udhëhiqte bagëtitë ose që kujdesej për ushqimet (shek. XIV). Në shekullin e XIX filluan të quajnë kështu atë që merrej me cilësinë e verës dhe u jepte këshilla klientëve. Vështroj Luca-n dhe dëgjoj fjalët e tij të bukura rreth verës. Ç’dashuri!

Po, vera ka gjuhën e vet. Për një verë “Lafite”, somelierët thonë se është “një verë sublime”, “një kthim në klasiçizëm”. “Lafite” është si një “dalai-lama” thotë një tjetër që kërkon të rikujtojë efektin e paqes së madhe që të pushton përpara një “dalai-lama”. “Ajo ka një robë të bukur (une belle robe) apo “një robë të artë”, thuhet për ndonjë verë; ajo është “velouté” kur vera që kalon nëpër fyt të lë një ndjesi kadifeje plot aroma e që të pushton qiellzën dhe fytin; “ka stof” (étoffé), thotë dikush në tavolinë, duke nënkuptuar se është e qëndrueshme; ajo është “bujare” (genereuse), thotë një tjetër, pra që të jep ngrohtësi në stomak, etj.

“Cave” (qilar), i ngjan një lloj biblioteke, që ka hyrë në enciklopedie njerëzore. Ronsard, Montesquie, Lamartine, Mauriac, e shumë të tjerë, kishin të drejtë që i këndonin verës. Dhe kur shikon ndonjë bashkëatdhetar të vendosë verën e kuqe në frigorifer, që të ta shërbejë të ftohtë, e kupton se ai s’ka marrë vesh fare sesi pihet vera… Por le t’i kthehemi sërish gjuhës së verës dhe atyre që rreth tavolinës, pasi ngrejnë gotën, e rrotullojnë lehtas verën brenda gotës, i marrin pak erë që të mbushen me aromën e saj dhe e kthejnë lehtë, duke e mbajtur pak çaste në gojë. E pastaj ata thonë lehtas: “Eshtë e parfumuar, … ka elegancë, ka trup të bukur… është ekspresive dhe ka velur… Në historikun e verës ka hyrë shprehja: “Vetëm barbari e kthen gotën me fund”, ndërkohë që Victor Hugo shkruante se “Zoti krijoi ujin, njeriun dhe verën”.

Afër mesnatës përshëndesim Çobon dhe somelierin virtuoz Luca Gardini. Eshtë ngrohtë. Rrugët bosh e bëjnë akoma më poetike Tiranën. Aromë vere. Arti i verës është rikthyer në Shqipëri. Shkatërrimi i vreshtave në vitet 1991-1992 i përket një të kaluare, një kujtim i hidhur. Tradita jonë është tepër e lashtë. Vreshtat tashmë gjithnjë e më shumë po u ngjiten kodrinave të Shqipërisë në të gjithë vendin.

Historia e verës është një histori e gjatë, një histori e bukur e njeriut për tokën, vreshtin, apo thjesht një histori dashurie që pleks njerëzit, miqtë, burrin dhe gruan, që ndih në ngjizjen e dashurisë, vera, ai lëng e nektar që është gjithnjë e pranishme në festën universale të njeriut. Pa verë bota do të ishte padyshim e mangët… Sigurisht, vera është diçka e gëzueshme, por siç thotë dhe një thënie latine, ajo duhet pirë me masë. A nuk thoshin latinët se “pa verë, jeta shkon si një valë e ftohtë” (sine Bachio vita friget) Atëherë “pini verë tani! - Sine Bacchio Venus friget”!

Sahati i vjetër i qytetit shenon mesnatën dhe unë mendoj për verën shqiptare, vreshtën e brigjeve ilire që në shekullin e parë të erës sonë kishte kapërcyer Adriatikun e Mesdheun dhe kishte ardhur në jugun e vendit të galëve, në Francë dhe ishte mbjellur në bregun e majtë të lumit Garonne duke u quajtur “Vitis Biturica”, pra vreshta e biturgëve, meqë ajo tribu quhej kështu në këtë kohë. Ishte ajo që do të ishte paraardhësja e hardhive të llojeve “Graves” dhe “Medoc”, që duhet të jetë dhe pararendësja e hershme e Cabernet-Franc dhe Cabernet-Sauvignon. Këtë të dhënë që ka të bëjë me shekullin e parë të erës sonë do të na e mësonte historiani i verërave R. Pijassou.

Shumë kronistë të Antikitetit, si grekë, por veçanërisht romakë, në librat e tyre shkruajnë dhe për verërat shqiptare. Catulle i Romës, duke shkruar për Dyrrachium, shkruan se ai konsiderohej si “Taverna e Adriatikut”, meqë ishte një port i rëndësishëm ku ndalonin shumë anije, e padyshim, tavernat kërkonin verë. Ai thotë se ky qytet kishte më shumë prostituta se në çdo vend tjetër të Mesdheut. Të dhënat rreth vreshtave në shekujt e mëvonshëm janë të rralla, meqë studimet dhe kërkimet në këtë fushë kanë munguar, ndryshe nga interesimi i treguar për arkeologjinë, historinë kombëtare, gjuhën, etj.

Po të vizitosh vetëm muzeun e Apolonisë së Fierit, një mori gjetjesh arkeologjike flasin për kultivimin e rrushit si dhe prodhimin e verës. Të ekspozuara në stenda të veçanta aty janë gjithë objektet e gjetura që tregojnë se ku mbahej vera, me çfarë shërbehej, me çfarë kupash pihej, etj. Gjetjet janë të mrekullueshme dhe shumë prej tyre të zbuluara nga arkeologu francez Leon Rey, por dhe arkeologët shqiptarë më pas, deri në ditët tona. Janë aty kupa të ndryshe, enë disi të sheshta, në metal apo në qeramikë, enë të mëdha e të thella ku depozitohej vera, apo amfora; ishin kratere, hidrie, kylikse, kupa jonike e dorike, ojnohe… Straboni shkruante për vreshtat e mira të brigjeve të Ilirisë e po kështu Aristoteli për verën e ëmbël ilire me mjaltë, të fisit të Taulantëve. Madje, hardhitë shqiptare të Ilirisë udhëtuan nëpër Mesdhe e gjer në jug të Francës, siç e dokumenton dhe historiani R. Pijossou.

Vetëm kërkimet e viteve të fundit, veçanërisht në zonën e Ballshit, pra rreth bazilikave të vjetra ortodokse të Bylisit të lashtë, kanë hedhur dritë mbi kulturën e vreshtit dhe prodhimin e verës dhe kjo padyshim nga prania e murgjëve, ku vera ishte e domosdoshme për ata, siç ishte ajo në gjithë vendet e tjera të Perëndimit kristian. Gjetja para disa viteve e 21 pitosave (të cilat kanë deri në tre hektolitra) si dhe kantina e vjetër prej guri e peshkopatës së Bylis, me vendin ku shtypej rrushi dhe ullukun nga rridhte vera, tregojnë për traditën e lashtë të prodhimit të verës në Shqipëri në shekujt IV, V apo VI. Që nga ajo kohë shumë shekuj janë kaluar dhe padyshim që pushtimi i gjatë osman e rrënoi traditën e vreshtarisë rreth kuvendeve fetare, kishave e manastireve. 

Sot, pronarët e restoranteve me emër, mendojnë të prodhojnë verërat e tyre, siç ndodh dhe në Francë, Itali apo Spanjë, ku vera është art dhe një nga vlerat e tyre të mëdha. Dëshira e tyre është të prodhojnë verë. Por jo vetëm kaq. Eshtë një pasion i ngjashëm me ata që adhurojnë artet, që koleksionojnë pikturat, etj. Për më tepër është diçka e shëndetshme, e këndshme, që të afron me miqtë. A nuk thoshte Plutarku se “Vera ka vetinë që të bën të flasësh hapur, lirshëm dhe të thuash të vërtetën”? A nuk fliste Shakespeare për “shpirtin e padukshëm të verës”, ndërkohë që Napoleon-i kishte shprehjen e famshme: “Pas de vin, pas de soldats”, (Po s’ka verë, s’ka as ushtarë).

© Luan Rama