Gruaja që diti të jetojë gjatë
- Published in Jetë dhe stil
Jeanne Louise Calment është gruaja që jetoi 122 vjet e 164 ditë. Ajo lindi në Arles, Francë, më 21 shkurt 1875 dhe vdiq më 4 Gusht 1997 në vendlindje.
U bë e famshme vetëm sepse kaloi normat e jetëgjatësisë. Ka shkrime që hedhin idetë se Jeanne ka thënë të pavërteta gjatë intervistave të saj. Si për shembull në lidhje me takimin e saj me Vincent Van Gogh. Diku ka thënë se e takoi në moshën 14 vjecare diku tjetër që e kishte takuar në moshë të madhe. Ku i dihet ndoshta ka patur dhe Jeanne momentet e saj të dobëta të kujtesës edhe pse mjekët e saj kanë deklaruar se ajo paraqiste kthjelltësi mendore.
Jeanne vazhdonte të ngiste biçikletën kur arriti të 100-at. Në moshën 114-vjeçare, ajo luajti në një film për jetën e saj, në moshën 115-vjeçare iu nënshtrua një operacioni në ijë dhe në moshën 117-vjeçare ajo la duhanin, të cilin e kishte nisur në moshën 21-vjeçare.
Ajo nuk e la duhanin për arsye shëndetësore; e la vetëm se nuk i pëlqente t'i kërkonte dikujt që ta ndihmonte të ndizte një cigare kur ishte pothuajse e verbër.
Në vitin 1965, Jeanne ishte 90 vjeç dhe nuk kishte trashëgimtarë. Ajo nënshkroi një marrëveshje për t'i shitur apartamentin e saj një avokati 47-vjeçar të quajtur André-François Raffray. Ai pranoi t'i paguante asaj një shumë mujore prej 2500 frangash me kusht që të trashëgonte apartamentin e saj pasi ajo të vdiste.
Avokati jo vetëm që përfundoi duke e paguar Jeanne-n për 30 vjet, por ai vdiq para saj në moshën 77-vjeçare. E veja e tij ishte ligjërisht e detyruar të vazhdonte të paguante Madam Calment deri në fund.
Jeanne ruajti aftësi të mprehta mendore. Kur ajo u pyet në ditëlindjen e saj të 120-të se çfarë të ardhme priste të kishte, përgjigja e saj ishte "Një të shkurtër fare."
Këtu janë rregullat e jetës nga Jeanne Louise Calment:
"Unë dashuroj verën."
"Adhuroj foshnjat."
“Mendoj se do të vdes nga të qeshurit”.
"Unë jam një e harruar nga Zoti."
"Nuk vras mendjen për rrudhat."
"Unë kurrë nuk lyej qerpikët me maskara; shpesh qesh aq shumë sa arrij deri të qaj."
"Nëse nuk mundem të ndryshoj diçka, nuk shqetësohem për të."
"Unë buzëqesh gjithmonë. Kështu e shpjegoj jetën time të gjatë."
"Unë nuk shoh, nuk dëgjoj dhe nuk ndihem mirë, por punë e madhe."
“Kam një dëshirë të pafundme për të jetuar dhe një oreks të paparë veçanërisht për ëmbëlsirat”.
"Unë kam këmbë prej hekuri, por të them të drejtën, ato kanë filluar të ndryshken dhe të shtrëngohen pak."
"Jam argëtuar sa herë kam mundur. Kam vepruar moralisht dhe pa pendim. Jam shumë me fat."
“Të jesh i ri është një gjendje shpirtërore, nuk varet nga trupi i dikujt. Unë në fakt jam ende një vajzë e re, thjesht nuk jam dukur aq mirë për 70 vitet e fundit."
Në fund të një interviste, gazetari tha: "Zonjë, shpresoj se do të takohemi përsëri vitin e ardhshëm."
Jeanne u përgjigj: "Pse jo? Nuk je aq i vjetër; do të jesh akoma këtu!"
Përktheu: Flasshqip.ca
Fot. allthatsinteresting.com












