Psikologji

Jeta e vërtetë fillon rreth të pesëdhjetave  

Në qoftë se duam të dimë më shumë rreth nesh dhe jetës, atëherë duhet ta shikonim njëherë në distancë rrugën e jetës së shumicës së njerëzve. Përmes saj ne mund të kuptojmë jetën tonë, veçanërisht situatën e tanishme. Në pamje të parë, duket sikur rrjedhjet individuale të jetës ndryshojnë shumë nga njëra tjetra. Por po ta shikojmë me vëmendje rezultojnë shumë ngjashmëri.

Dhjetë deri pesëmbëdhjetë vitet e para, gati të gjithë njerëzit, i kalojnë në një lloj burgu. Familja (ose shtëpia, në të cilën rritet dikush) nga perceptimi i fëmijës nuk është një vend i përkujdesjes dhe i lirisë, por më e pakta një burg, pavarësisht nga mirëqenia, profesioni apo shkollimi i prindërve. Çdo fëmijë do të lindi në një sistem varësie të plotë, domethënë mungese lirie. Ai nuk është vetëm fizikisht komplet i varur nga të tjerët, por para së gjithash edhe psiqikisht dhe mendërisht. Ai mëson, që në vitet e para, se çfarë besojnë dhe mendojnë nëna dhe babai, se çfarë mendojnë ata mbi njerëzit dhe botën. Po aq rrjedhshëm siç merr qumështin e nënës ai fillon të njihet me botën mendore të prindërve të tij, para së gjithash me mendimet e tyre themelore, bindjet dhe dogmat e tyre, dhe bashkë me to edhe me mënyrat tipike të sjelljes së tyre. Një fëmijë nuk ka rrugë tjetër, përveç se ti përvetësojë ato.

Në fund të fazës së parë të jetës, fëmija i rritur, është i mbushur plot e përplot me mendime mbi botën, mbi veten dhe mbi të tjerët, të cilat që të gjitha nuk buruan prej tij. Me këto mendime si dhe me ndjenjat e lidhura me to, ai del në jetë. Çfarë bën njeriu i zakonshëm në të njëzetat apo tridhjetat? Ai është i zellshëm, ai do t’ja arrijë diçkaje. Para së gjithash ai do të realizojë diçka në botën e jashtme në fushën materiale, të bëhet dikush; të mësojë një profesion dhe të jetë i suksesshëm, të blejë një banesë ose një shtëpi dhe ta kompletoj mirë atë; vetura duhet të jetë për të qenë, dhe nuk do ishte keq të jetonte edhe me një partner  nën një çati të përbashkët, qoftë me apo pa celebrim.

Ne investojmë gati gjithë energjinë tonë për këtë qëllim, me dëshirën për të patur dhe arritur diçka, dhe shpesh jemi të shtyrë nga mendimi: “Unë duhet t´ja dal mbanë”! Që do të thotë, se ne jemi ata fëmijët e zellshëm, që donin të kishin prindërit tanë. Ne mundohemi, i përvishemi punës dhe duam ta arrijmë këtë, ashtu si gjithë të tjerët. 

Pasi kemi arritur këtë apo atë objektiv (një pozitë në karrierën profesionale, kemi bërë një siguracion për jetën apo kemi siguruar disa letra aksionesh me vlerë, kemi paguar gjysmën e borxhit të shtëpisë) dhe ndoshta kemi bërë edhe një ose dy fëmijë që i quajm tanët, shumicës së njerëzve i ndodh diçka vendimtare. Nga shkaqe të ndryshme, në moshën midis të tridhjetepesave dhe pesëdhjetave ata rrokullisen ose bien në një krizë jetësore. Nëna ose babai vdes, dikush  braktiset nga partneri, ndokush dëbohet nga puna; të tjerë marrin fund fizikisht për shkak të lodhjes e këputjes apo për shkak të ndonjë sëmundjeje si kanceri ose infarkti i zemrës, ata pësojnë rënie të aftësisë së dëgjimit, probleme me meniskun, lëvizje të ruazave të shtyllës kurrizore, i zë migrena apo bëjnë aksidente të rënda automobilistike. Këto shoqërohen edhe me zhgënjime në marrëdhëniet bashkëshortore ose në partneritet. Kjo marrëdhënie degradohet në çështje rutine pa ndjenja të thella. Ftohtësia, rutina e përditshme dhe agresionet subtile përcaktojnë klimën emocionale pas një bashkëjetese më shumë se dhjetëvjeçare. Si ana e jashtme e jetës së shumë njerëzve ashtu edhe ajo e brendshme, bota e tyre e ndjenjave dhe mendimeve, i përngjajnë shpesh një kaosi.

Kjo periudhë krize është një thirrje për t’u zgjuar. Në qoftë se ti gjendesh sot pikërisht në një krizë të tillë, atëherë ndoshta mendon, se duhet të kesh bërë ndonjë gabim. Jo, ti ke jetuar vetëm jetën fare të zakonshme të një evropiani perëndimor të shekullit të 21-të. Tani, në moshën dyzet ose pesëdhjetëvjeçare apo më të madhe, jeta të ofron ty një mundësi të veçantë, për të nisur jetën tënde të vërtetë.

Për shumë njerëz kjo fazë e jetës është një periudhë ndryshimi dhe transformimi. Pasi simptomat e jashtme të krizës na nxorrën jashtë rruge, për herë të parë në jetën tonë ne jemi të detyruar, të merremi me veten tonë dhe çështjet më thelbësore. Në mënyrë të veçantë sëmundjet dhe aksidentet na detyrojnë të shkojmë nga pozicioni vertikal, në të cilin dominuesi pra koka menduese është sipër dhe drejton regjimentin, në pozicionin horizontal. Në këtë gjendje njeriu nuk mund t’i shmanget vetes aq lehtë, prandaj ai mund të fillojë prap të thellohet dhe të reflektojë. I mbërthyer në krevat ai është për herë të parë për një kohë të gjatë vetëm me veten dhe mund të gjej vetveten. Jo të gjithë e shfrytëzojnë këtë mundësi, dhe mendojnë, se sëmundja, aksidenti duhet të ishte vetëm një anomali e vogël. Në raste të tilla zakonisht duhet të ndodhi diçka edhe më e rëndë.

Këto vite, që rrjedhin të shoqëruara me dobësi, kaos, frikë, depresion, vese, sëmundje dhe shpesh të shoqëruara edhe me mungesë lekësh, janë një periudhë fatmirësie tepër e thellë, se ajo mund t’i hapi rrugën procesit të rilindjes së njeriut. Në të vërtetë kjo është lindja e vërtetë e njeriut si qenie vetëvlerësuese, vetëvendosëse, e kthjelluar, e dashur dhe mirënjohëse. Kjo është lindja e vërtetë, që synon shpirti ynë.

Dyzet apo pesëdhjet vitet tona të para ishin si një lloj loje parapërgatitore, një jetë shumë e pavetëdijshme. Megjithatë ato ishin shumë të vlershme dhe duan të nderohen dhe legjitimohen. Se çdo vetëdijësim mundet të shfaqet vetëm mbi bazën e pavetëdijes; vetëm po qe më parë errësirë, unë mundem ta njoh dhe vlerësoj dritën si të tillë; vetëm kush përjeton më parë frikën dhe shushatjen, e di se çdo të thotë, t’i besosh jetës dhe forcave të tua të brendshme.

“Pesëdhjetë vjet lojë parapërgatitore”?, ndoshta mund të pyesje. “A nuk është çmenduri kjo”? Po, e matur në bazë të asaj, që ne e quajmë i menduari “normal”, tingëllon si çmenduri. ”Dhe gjithë kjo, për të jetuar pastaj ndoshta edhe dhjetë, njëzetë apo tridhjetë vjet”?. Unë them po. Ndoshta brezat e ardhshëm do e jetojnë jetën e tyre ndryshe dhe do zgjohen më herët. Por sipas pikëpamjes sime, vendimtar nuk është numri i viteve, gjatë të cilëve ne jetojmë një jetë me dëshira të plotësuara e të lumtur në këtë botë, por fakti që ne gjejmë rrugën për një jetë në vetëdijshmëri, vetëvendosje, gëzim dhe paqe me veten tonë dhe botën. Edhe sikur në fund të jetës tënde të kesh jetuar qoftë edhe një vit të vetëm në këtë gjendje, nga kjo pikëpamje, jeta jote ja ka vlejtur.

 

Pjesë nga Libri “Zhvishi Këpucët e vjetra” të autorit gjerman Robert Betz

Përktheu: Krenar Arifi;  Botime Ideart