Psikologji

Yti mishin ta ha, por kockën ta ruan

Shumica e njerëzve mendojnë se xhelozia mes motrave e vëllezërve ndodh vetëm në fëmijëri, gjatë viteve të shkollës kur grinden për libra, lojëra apo vëmendjen e prindërve. Por në fakt xhelozia vazhdon edhe në moshë të rritur, madje mund të bëhet faktor edhe i ndasive mes tyre. Zakonisht xhelozët më të mëdhenj janë të lindurit e parë, të cilëve u zënë territoret e shtëpisë dhe dashurisë të lindurit më pas. Ata ndihen të rrëzuar nga froni dhe përmes sjelljeve agresive përpiqen të vendosin pozitat e tyre. Por nuk ia arrijnë dot, pasi kjo nuk është një luftë e ligjshme apo e hapur. Kjo është një luftë që shpesh bëhet me manovra nën rrogoz. Në gjithë këtë stuhi xhelozie luajnë rol edhe prindërit. Janë ata që vendosin pritshmëri, etiketime dhe favorizime ndaj fëmijëve. Nëse prindërit kënaqen me sukseset e fëmijës më të vogël duke i shprehur preferencat e tyre për të, apo duke i bërë vlerësime për arritjet në sy të fëmijës së madh, atëherë i madhi do ndihet një dështak dhe do bëjë ç’është e mundur të arrijë pritshmëritë e prindërve. Ndodh që për shkak të zemërimit dhe xhelozisë, të dështojë në arritje dhe kjo do t’ia trefishojë xhelozinë ndaj vëllait/motrës së vogël që i arrin objektivat me më pak inat dhe përpjekje. Disa studime mbrojnë tezën se zakonisht më të vegjëlit bëhen të suksesshëm për shkak se edhe vetë prindërimi ndaj tyre zhvillohet më me kompetencë.  Bie niveli i kontrollit prindëror ndaj tyre gjë që i çon drejt marrjes së inisiativave dhe mungesës së frikës nga dështimi dhe ndëshkimi. Këto fakte zemërojnë më të medhenjtë të cilët ndihen të nënvlerësuar dhe trajtuar më ashpër. Dhe arrijnë në përfundimin se jeta është luftë edhe në familje. Dhe si në një luftë, armikut i rrihet larg. Prandaj ka raste që mes motrave e vëllezërve nuk ka komunikim. Kjo është një zile për prindërit që të kenë kujdes në trajtimin e fëmijëve, pasi siç thotë dhe një fjalë e urtë “Yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”.
 
©Flasshqip.ca