Shëndet

Çfarë po ndodh me diabetin? - Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit

“Diabeti – thekson presidenti i Federatës Botërore të Diabetit (IDF) - nuk është vetëm një krizë shëndetsore por një katastrofë sociale globale."

Studimet e fundit tregojnë se numri i njerëzve me diabet në botë është 425 milion. Projeksioni për vitin 2030 : 552 milion! Në vitin 2017 kosto e kujdesit shëndetsor për diabetin dhe komplikacionet shkaktuar prej tij në mbarë botën : 723 billion dollare (8% më e lartë se në vitin 2015).

Shifrat janë alarmante.

Dy anë të medaljes

Nga njëra anë vërehet progres i madh në thellimin e dijeve mbi diabetin, trajtimin mjeksor të tij. Pa fund studime për mekanizmat, epidemiologjinë, strategjitë farmaceutike...

Nga ana tjetër, dështim i plotë në frenimin e epidemisë botërore të diabetit, e krahasuar me një tsunam me pasoja sociale dhe ekonomike shkatërrimtare. Një barrë katasrofike ekonomike për sistemin. Në mënyrë të veçantë në vendet me të ardhura të ulta dhe mesatare, ku ndodhet 80% e njerëzve me diabet. Për më tepër janë këto vende ku diabeti nuk trajtohet si duhet, nga pamundësia e një trajtim të avancuar prej disavantazheve sociale.

Ky "tsunam" që po përhapet me shpejtësi në gjithë botën, padyshim do përfshijë, madje ka filluar ta përfshijë edhe Shqipërinë...

A jemi rrugën e duhur për frenimin e kësaj epidemie?

Ne jemi duke fituar betejën me uljen e nivelit të sheqerit në gjak, por jemi duke humbur luftën me diabetin. Mendoni për një çast sikur me një kovë do na duhej të zbrazim një pishinë e cila vazhdon pa u ndalur të mbushet. Sigurisht më parë duhet të ndalim furnizimin me ujë. Të ndalim epideminë. Përqëndrimi te kujdesi mjekësor, s'është zgjidhja. Ai mund të zgjasë jetën për shumë njerëz me diabet, por nuk frenon epideminë (pishina vazhdon të mbushet).

A mundemi ne ta ndryshojmë diabetin ?

Në një nga kongreset europiane të diabetit, disa vite më parë në Barcelonë, më tërhoqi vëmendjen slogani: “Diabeti po ndryshon botën. A mundemi ne ta ndryshojmë diabetin?!”

Janë faktorët socialë dhe ekonomikë, që i bëjnë njerëzit me diabet. Dhe ndryshimi i tyre kërkon aktivizimin jo vetëm të institucioneve të kujdesit mjekësor. Përtej tyre kërkohet aktivizim i fuqishëm i Shëndetit Publik, përtej tij aktivizimi i fuqishëm i qeverive.

Një keqkuptim egziston. Shëndeti reduktohet dhe keqparaqitet si kujdes mjekësor. Kjo bën që politikat për shëndetin të keqndërtohen si politika të kujdesit mjekësor. Kjo ka bërë që politikanët t’i shmangen problemeve të shëndetit, duke ia faturuar domenit mjekësor, duke e shmangur fokusin nga forcat sociale dhe politike që krijojnë shëndetin dhe sëmundjen.

Politikat shëndetësore duhet të shkojnë përtej sigurimit dhe financimit të kujdesit mjekësor. Kjo për faktin se edhe shumë nga faktorët që shkaktojnë diabetin janë jashtë sektorit shëndetësor.

Vetë qeveritë duhet të luajnë një rol aktiv në nxitjen dhe ruajtjen e një ambienti që mbështet rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, monitorim të tregut ushqimor, lehtësim të iniciativat komunitare që nxisin ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik. Gjeneratat e ardhshme s'mund të jenë përjetësisht të dënuara prej stilit diabetogjenik të jetesës.

Nuk mjafton vetëm mesazhi “Hani ushqime të shëndetshme, mos hani me tepricë, bëni jetë fizikisht aktive.” Ushqyerja e shëndetshme në mjedisin e sotëm është si të notosh kundër rrymës. Shumica e njerëzve kanë nevojë ta njohin shkencën e ushqyerjes. Të aftësohen për të përzgjedhur ushqimet e duhura, të spostojnë konsumin drejt më shumë ushqimeve me të shëndetshme. Qeveria duhet të financojë fushatat që promovojnë shprehi të shëndetshme, duhet të subvencionojë koston e ushqimeve me pak kalori për t’i bërë ato të aksesueshme edhe për familjet me të ardhura të ulëta, të vendosë taksa për pijet dhe ushqime të pashëndetshme.

Një sfidë të rëndësishme, tepër urgjente, përbën krijimi i mundësive për aktivitet fizik. Ambientet e banuara duhet të ndërtohen në mënyrë që të kenë rrugë për këmbësorë, rrugë për biçikleta, parqe, kampe sportive, hapësira pa makina. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme edhe për shkak të migrimit të njerëzve nga zonat rurale drejt qendrave urbane. Argëtimi urban duhet të jetë jo vetëm i mundshëm, lehtësisht i aksesuar, por dhe në zona të sigurta për fëmijët, kërkesa të cilëve për ushtrime fizike janë më të mëdha. Ndërtuesit nga njëra anë duhet të stimulohen për krijimin e ambienteve të shëndetshme, nga ana tjetër duhet të penalizohen kur shkelin kondicionet urbanistike.

Pra përqëndrimi i luftës kundër diabetit vetëm në trajtimin medikanentoz, qoftë ky dhe i përkryer, jo vetëm që nuk zvogëlon përmasat e problemit, por zvogëlon rolin e individëve, përjashton komunitetet, shkollat, planifikuesit urbanë, potenciali i të cilëve për frenimin e epidemise së diabetit është i rëndësishëm.

Së pari duhet të fokusohemi te fëmijët. Në pamje të parë mund të duket paradoksale, që për një çrregullim si diabeti, karakteristik për moshat e rritura, të fokusohemi tek fëmijët. Por e vërteta është se janë pikërisht këto mosha kur formohen shprehitë, moshat kur mbillet fara e diabetit.

Le t’i kthehemi “shtëpisë”…

Tashmë drejt epidemisë së diabetit po vrapon me shpejtësi edhe Shqipëria, ku veç përmasave epidemike diabeti nuk trajtohet edhe si duhet. Shumica e pacientëve vazhdojnë të përdorin medikamente te vjetra me risk te larte per hipoglicemi. Ndryshe nga shumë vende, ne ende nuk kemi një strategji kombëtare për luftën kundër diabetit. Ne ende nuk kemi një regjistër kombëtar për diabetin. Ne ende nuk kemi mjekë të familjes të përgatitur për të trajtuar si duhet diabetin. Sigurisht që të bëhen të gjitha kërkohen “para”, por shumë, shumë më pak se trajtimi i komplikacioneve të diabetit.

Mjafton të përmendim rritjen progresive shumë të madhe të nevojave për dializë nga dëmtimi i veshkave prej diabetit që po gllabëron pjesë të konsiderueshme të fondeve të shëndetësisë, që me ritmet që priten në të ardhmen e afërt do të bëhet ekonomikisht e papërballueshme. Dhe mendoni që veshkat janë vetëm një prej komplikimeve të diabetit. Të gjitha këto probleme, sigurisht që nuk mund të zgjidhen nga pak mjekë specialistë që merren me diabetin.

Duke e mbyllur…

"Nëse jemi për të bërë ndonjë përparim në ndalimin e rritjes së diabetit, ne duhet të rishohim jetën tonë të përditshme: për të ngrënë shëndetshem, per të qene fizikisht aktivë, dhe për të shmangur peshën e tepërt," thotë Dr Margaret Chan, OBSH Drejtori i Përgjithshëm. "Edhe në vendet më të varfra, qeveritë duhet të sigurojnë që njerëzit te jenë në gjendje të bëjnë këto zgjedhje të shëndetshme dhe sistemet shëndetësore te jenë në gjendje për të diagnostikuar dhe trajtuar njerëzit me diabet."

Është e vërtetë që diabeti po ndryshon botën. Por edhe ne mundemi ta ndryshojmë diabetin. Duhet të lëvizim!