Shëndet

Dr. Deliallisi: Çfarë të besojmë për dietën?

    Dr. Shefqet Deliallisi

Shkak për këtë shkrim u bë një takim ndërkombëtar për diabetin, "Diabetes Dialog", i zhvilluar në Barcelonë. Gjatë u diskutua për rolin e dietës në parandalimin, trajtimin e obezitetit, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës. Ajo çfarë më tërhoqi vëmendjen, ishte fjala mbyllëse nga profesor Bernard Zinman i Universitetit të Torontos, personalitetet në fushën e diabetit, i cili e përfundoi fjalën e tij kështu:

"Japonezët hanë shumë pak yndyra dhe vuajnë më pak nga ataku i zemrës krahasuar me britanikët dhe amerikanët. Nga ana tjetër, francezët hanë shumë yndyra dhe vuajnë me pak nga ataku i zemrës se britanikët dhe amerikanët. Japonezët pinë pak verë të kuqe dhe vuajnë më pak nga ataku i zemrës se britaniket dhe amerikanët. Italianët dhe francezët pinë sasi të madhe verë të kuqe dhe vuajnë më pak nga ataku i zemrës se britanikët dhe amerikanët. Konkluzion: Hani dhe pini çfarë t'ju pëlqejë. Është të folurit anglisht i britanikëve dhe amerikanëve ai që vret!”

Mesazhi: Një shkencë e paqartë vazhdon ta drejtojë politikën e ushqyerjes.

Duket përcaktimi cinik i Mark Twen-it për informacionin shëndetsor i një shekulli më parë: “Kujdes me leximin e librave mbi shëndetin, mund të vdisni nga një gabim shtypi", vazhdon të jetë aktual. Veçanërisht për dietën dhe ushqyrjen.

NË KËRKIM TË LAJMIT...

Në kërkim të ushqimeve që do t’i siguronin një jetë sa më të gjatë dhe të shëndetshme, njerëzit janë shumë të interesuar të njihen me rezultatet e studimeve të fundit, që i konsiderojnë më të mirat.

Këtë interesim kaq të madh, mediat e shfrytëzojnë duke i kushtuar një kujdes më të veçantë lajmeve që vijnë nga shkeca e ushqyerjes. Pa mbarim ato servirin larmi lajmesh nga dieta dhe ushqyerja. Hapat "fëminore" të kërkimeve shkencore i paraqesin si “hapa gjigande,” “zbulime mbresëlenëse”, apo ”kurime të sigurta”!

Por, pas pak kohe “zbulimet” zbehen, dalin "jashtë mode, dhe… hidhen poshtë si të pa vlera. Madje ushqime më parë të akuzuara si “vrasëse” të shëndetit, konsiderohen "shpëtimtare" të tij!

Para këtij konfuzioni, që vazhdon prej vitesh, për sanksionimin e udhëzimeve të qëndrueshme për ushqyerjen, Departamenti Amerikan i Agrikulturës (USDA), përgjegjës për ushqyerjen, në vitin 2000 organizoi një debat të madh me ekspertë të shquar, autorë të librave “best-seller” për ushqyerjen. Por, ende pa filluar “Great Nutrition Debate” dështoi. Studjuesit “kokëfortë”, në vend që të pranonin se evidencat mbi të cilat mbështeteshin studimet tyre ishin të paplota, hidhnin poshtë studimet e njëri tjetrit.

Ky konfuzioni vazhdon të vazhdojë…

                                        

UDHËZIME ME “SKADENCË” TË SHPEJTË ...

Deri në mesin e shekullit të kaluar shkenca mjeksore e injoronte ushqyerjen. Obeziteti ishte një gjendje shumë e rallë. Sëmundjet e zemrës, diabeti ... po ashtu. Dieta me shumë kalori dhe yndyrna konsiderohej e shëndetshme. Madje, mendohej se të mbronte nga sëmundjet dhe ndihmonte në shërimin e tyre. Vëmendja ishte e përqëndruar te sigurimi i ushqimit të përshtatshëm për fëmijët, që të rriteshin të shëndetshëm, dhe gratë, që të riprodhonin. Ushqimet më të mira konsideroheshin ato shtazore, qumështi, gjalpi, mishi, veza …

Njerëzit ushqeheshin të shkujdesur. Në vitet ’50-të, shkujdesja mori fund ... Vendet e zhvilluara u përfshinë nga paniku. Ushqyerja u “akuzua” si shkak i rritjes maramendëse të sëmundjeve të zemrës te meshkujt e moshës së mesme. Në vitin 1961, Shoqata Amerikane e Zemrës, publikoi udhëzimet e para dietetike për parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Yndyrat dhe kolesteroli ishin shpallur “armik publik” i rrezikshëm. Për dy breza njerëzit u bënë subjekt i eksperimenteve dietetike... Pjatat e tyre u pastruan nga mishi dhe vezët (yndyra dhe proteina). Udhëzimi i ri:   

“Përdorni pa kufizim karbohidratet (kufizoni vetëm sheqerin).”

Por edhe ky udhëzim ka marë rrugën e ndryshimit, madje të ndryshimit radikal. Mbështetësit jo të pakët të tij theksojnë: “Ka të dhëna shkencore se dieta e pasur me karbohidrate (jo vetëm sheqeri, por dhe buka, orizi, makaronat, patatet,etj...) shtojnë rrezikun për obezitet, diabet dhe sëmundjet të zemrës shumë me tepër se një dietë e pasur në yndyrë dhe kolesterol! Kufizimi i yndyrës dhe kolesterolit, nuk ka ndikuar, madje mund të ketë përkeqësuar shëndetin. Të tërhiqen udhëzimet për dietë me shumë karbohidrate të rekomanduara zyrtarisht për 35 vjet! Është mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë shtimit të obezitetit, diabetit, dhe sëmundjeve të zemrës.”

Por çfarë rekomandohet? Dietë me shumë yndyrë, si mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të siguruar rënie të qëndrueshme në peshë!

Në 2014, Komiteti Kombëtar, që harton udhëzimet për dietën në Amerikë, hodhi poshtë dietën me pak yndyrë, dhe ngriti kufirin e kolesterolit të lejuar. Sipas tij, “asnjë lidhje të dukshme" nuk ka mes kolesterolit në dietë dhe kolesterolit në gjak! Por, nuk mbaron këtu. Dyshime serioze janë ngritur tashmë edhe për “armikun” e madh, yndyrat e ngopura (gjalpi, dhjami...). “Nuk ka evidenca se shkaktojnë sëmundje të zemrës. Të rehabilitohen yndyrat e ngopura (ushqimet shtazore) janë pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme, veçanërisht për fëmijët dhe gratë….”

Udhëzime, kundër-udhëzime, pa fund…Përdorni margarinën në vend të gjalpit, më pas: margarina bën më keq se gjalpi; hani drithra çdo mëngjes janë të pasura me fibra, parandalojnë kancerin e zorrës, më pas: fibrat nuk e parandalojnë kancerin e zorrës! Kafja rrit mundësinë për kancer të pankreasit, më pas: kafja është e dobishme, fajin e ka duhanpirja që shoqëron kafen! Dieta me pak mish bën mirë për të gjithë, proteinat me shumicë favorizojnë kancerin! Më pas: nuk ka të dhëna bindëse! Nuk mund të thuhet se konsumoni një dietë të shëndetshme nëse nuk konsumoni mish!? E kështu me radhë. Bën mirë vera, s’bën mirë vera. Bën mirë kripa, s’bën mirë kripa … Jeta vazhdon.

“Jemi duke jetuar kohën e një çvlerësimi shumë të shpejtë të lajmeve mjeksore mbi ushqyerjen - shkruan kolumnistja e Boston Globe, Ellen Goodman - Ajo që sot konsiderohet mbrojtëse e shëndetit apo kuruese, nesër konsiderohet "helm" që shkatërron shëndetin. Studimet e freskëta kanë “datë skadence” më të shkurtër se një pako me drithra”.

Përballë kësaj situate kotradiktore, në pozitë më të vështirë janë mjekët dhe dietistët, të cilët rrallë marrin rezultat nga këshillat dietetike, ndërkohë që para syve të tyre obeziteti shtohet, rënia në peshë nuk ndodh, apo edhe nëse ndodh, rimerret shpejt. Një gjë është e sigurtë. Shkak s’janë njerëzit, që nuk zbatojnë këshillat. Janë këshillat që s'funksionojnë.

                                                               

STUDIMET EPIDEMIOLOGJIKE …

Pjesa më e madhe e të dhënave epidemiologjike mbi të cilat mbështeten udhëzimet dietetike vijnë nga studimet e drejtuara nga Shkolla e Shëndetit Publik e Harvardit. Në vitin 2011, drejtuesit e Institutit Kombëtar të Shkencave Statistikore Amerikane analizuan shumë nga zbulimet më të rëndësishme të Harvardit dhe gjetën se ato nuk mund të riprodhohen në eksperimente klinike. Pa nënvlerësuar ndikimin që mund të ketë industria ushqimore me lobimet e saj, problemi kryesor është se politikat e ushqyerjes prej kohësh mbështeten në studimet epidemiologjike, apo "observuese" në grupe të mëdha njerëzish për vite. Por, edhe studimet më rigoroze epidemiologjike, vuajnë nga një kufizim themelor. Në rastin më të mirë ata mund të tregojnë vetëm lidhjen, jo shkakun. Të dhënat epidemiologjike mund të përdoret për të sugjeruar hipoteza, por jo për t'i provuar ato.

Arsye për kontradiksionet e shpeshta dhe të shumta është edhe fakti që udhezimet me peshë rreth dietës janë të bazuara në evidenca jo të përshtatshme dhe jo të plota.

Nga ana tjetër, sëmundjet kronike që të zhvillohen duhet një kohë e gjatë. Prandaj studimet epidemiologjike në shumicen e rasteve, përdorin ndryshimet e ndërmjetme që ndodhin, jo sëmundjen që ende s'ka ndodhur, përshembull: ngushtimin e arterieve të zemrës, por jo atakun e zemrës që ende s’ka ndodhur. Dhe mund të mos ndodhë kurrë ... Jo çdo njeri që është obez sëmuret, apo vdes para kohe. Ashtu si dhe një dietë e mirë nuk siguron gjithmonë mbrojtje të plotë. Është edhe gjenetika një faktor i rëndësishëm.   

DUKE E MBYLLUR...

Dogmat, të tilla si, mjafton te hash më pak dhe lëvizesh më shumë, mjafton të ruash ekuilibrin ndërmjet kalorive të marra dhe kalorive të shpenzuara, hani ushqime jo me shumicë, kryesisht bimore apo paksoni yndyrat se shkaktojnë sëmundjet e zemrës dhe obezitetin, duket se nuk po funksionojnë në praktikë.  

Politikat e ushqyerjes duhet të rivlerësohen.

Duhet t’i rikthehemi ushqyerjes që ka funksionuar mirë për shumë gjenerata apo…?

Ndërkohë s'duhet të neglizhojmë faktet. Ne nuk ushqehemi vetëm që të jetojmë. Ne ushqehemi edhe për të jetuar më mirë dhe më gjatë. Nuk është e arsyeshme që organizmin ta konsiderojmë thjeshtë një makinë djegëse dhe ushqimin karburant. Ashtu si nuk është e arsyeshme që ushqimin ta konsiderojmë një ilaç. Ushqimi përbën një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës.

Udhëzimi i fillimshekullit 21 për ushqyerjen: asnjë ushqim nuk duhet të ndalohet! Të gjitha ushqimet lejohen të hahen, por duke u përshtatur në dietë, përbën fillimin e ndryshimit. Le të shpresojmë të jetë jetegjatë!

Parim i pa ndryshueshëm për një ushqyerje të shëndetshme është dhe do të jetë: çdo gjë me moderim, përfshi vetë moderimin …

Autori është mjek endokrinolog.