Shëndet

Kufiri mes shëndetit dhe sëmundjes

Nga: Shefqet Deliallisi

Në vitin 1978, Susan Sontag në essenë e saj “Sëmundja si metaforë”, ndër të tjera shkruan : “ kushdo që lind në këtë botë ka “shtetësi” të dyfishtë, një për “mbretërinë e shëndetit” dhe një tjetër për “mbretërinë e sëmundjes.”

Herët a vonë, të gjithë ne do të jemi të detyruar ta shohin veten si qytetarë të “mbretërisë së sëmundjes”. Por një prirje vërehet. “Mbretëria e shëndetit” po rrudhet, po gllabërohet me shpejtësi nga “mbretëria e sëmundjes.”

Mjekët po kalojnë një numër gjithnjë e më të madh njerëzish nga shëndeti tek sëmundja, madje më herët se kurrë, madje për një qëndrim gjithnjë e më të gjatë. Mjetet për ta arritur këtë qëllim nxirren nga zgjerimi i përkufizimit të sëmundjes. Duke kthyer në sëmundje edhe ato që në fakt janë faktorë risku për sëmundje. E gjitha kjo ligjërohet me të ashtuquajturën epidemi të sëmundjeve kronike. Sipas Sontag motivi është “kombinimi toksik i qëllimeve të mira, dëshirave, që në fakt janë të parealizueshme, dhe interesave të caktuar ekonomike.”

Sëmundje të reja …

Ajo që po ndodh është se çdo ditë në shifra të konsiderueshme diagnostikohen njerëz me gjendje të reja (nuk po i quaj sëmundje) si: pre-hypertensioni, pre-diabeti, pre-osteoporoza, pre… Dëgjon të përdoren terma si: presion “normal i lartë” i gjakut, tek njerëzit me pre-hypertension, nivel “normal i lartë” i sheqerit në gjak, te njerëzit me pre- diabet, nivel “normal i lartë” i yndyrave në gjak. Nëse vazhdohet kështu, shumica e të rriturve mund të transformohet në pacientë, apo thënë ndryshe në popullsi me risk- shkruan Larm në revistën British Medical Journal. Dhe kur një popullsi është e gjitha me risk, e logjikshme është që e gjitha të trajtohet!?

Të trajtohet por si?

Ndërsa ndryshimi i stilit të jetës (shkaktari kryesor i këtyre gjendjeve të reja) mund të ishte trajtimi origjinal, gjthnjë e më shpesh po rekomandohet edhe përdorimi i medikamenteve. Disa vite më parë tërhoqi vëmendjen publikimi i një mendimi eksperimental i epidemiologëve britanikë, sipas të cilit parashikohej trajtimi i të gjithë adultëve mbi 55 vjeç me një kombinim që përmban tre medikamenteve anti-hypertensivë (për uljen e tensionin e gjakut), një statinë (medikament kundër yndyrnave), aspirinë (për hollim të gjakut). Sot rekomandohet edhe një antidiabetik, për të parandaluar një diabet të mundshëm! Të gjitha këto medikamente rekomandohen në fakt pa qenë ende i sëmurë, madje shpesh pa pasur edhe simptoma!

E gjitha kjo duket jologjike. Për më tepër, s’është dhe pa pasoja. Duke kaluar gjithnjë e më shumë njerëz nga “mbretëria e shëndetit” te “mbretëria e sëmundjes”, devijohen vazhdimisht resurset që do të përdoreshin për të sëmurët, për tek të shëndetshmit. Për pasojë, mbi-diagnoza dhe mbi-trajtimi i njerëzve me shëndet të mirë, pashmangshmërisht do të shkaktojë nën-trajtimin e atyre që janë vërtetë të sëmurë. Nga ana tjetër, s’duhet nënvlerësuar fakti se çdokush i imponuar të hyjë në “mbretërinë e sëmundjes”, detyrohet të heqë dorë nga shumë kënaqësi të jetës, veç kostos individuale, sociale dhe ekonomike të konsiderueshme.

Parametrat normalë ...

Për të përcaktuar kufirin mes shëndetit dhe sëmundjes, ne vazhdojmë të bazohemi në disa parametra të përcaktuara kohë më parë si “normale” për organizmin. Kështu, ne kemi nivelin “normal” të sheqerit në gjak dhe kur ky nivel kalohet, themi që personi ka diabet. Kemi nivel “normal” të presionit të gjakut, dhe kur ky nivel kalohet, kemi hipertension, e kështu me radhë, kemi “norma” të yndyrnave në gjak, etj, etj...

Këto nivele të përcaktuara si “normale” janë kthyer në tabu. Madje të prera me thikë. Mjafton të përmend një fakt: nëse niveli i sheqerit në gjak esëll 100-125mg/dl konsidrohet normal, 126mg/dl, konsiderohet diabet!?

Nga ana tjetër, këto nivele “normale”, në një farë mënyre, janë përcaktuar për të “tjerë njerëz” që jetonin në një kohë të caktuar, në një mjedis të caktuar dhe që kishin të tjera përmasa fizike.

Ne jetojmë sot në një ambient të ndryshuar në të gjitha drejtimet krahasuar 100 vjet, madje dhe 50 vjet më parë. Jetojmë në një modernizim që bën të mundur të kalojmë kontinente dhe oqeane në pak orë. Ushqimi sigurohet më me lehtësi është i bollshëm dhe më i lirë. Automobilat, paisjet shtëpiake, robotizmi në industri, automatizimi në bujqësi, kursejnë punën fizike.

Këto ndryshime, ndër të tjera, kanë bërë që raca njerëzore të ndryshojë dukshëm. Fëmijët të rriten më shpejt, të arrijnë pjekurinë seksuale 3–4 vjet më shpejt se gjyshërit e tyre. Njerëzit kanë përmasa më të mëdha. Mashkulli 70 kg, i cili ne vetëm disa gjenerata më parë e konsideronim si etalon nga studentët e mjeksisë, tashmë është zëvëndësuar me një mashkull 80 kg, madje me tendeca inflamatore...

Me të drejtë lind pyetja: në kushtet e ndryshimit të shpejtë të mjedisit, stilit të jetesës (ushqyerjes dhe aktivitetit fizik), ndryshimit që po pëson (tashmë ka pësuar) raca njerëzore, a duhen të vazhdohet me “norma” të vjetra, apo këto “normat” duhen rishikuar? Mos ka ardhur koha që ajo çfarë ne perceptojmë si sëmundje, nisur nga “normat” e vjetra që vazhdojmë të përdorim, të mos konsiderohet më si e tillë ? Në fund të fundit ne sot jetojmë shumë më gjatë se parardhësit tanë, madje dekada më shumë se paraardhësit tanë të afërt në kohë.

Ka dhe një tjetër paradoks. Ndërsa e llogjikshme përsa thamë më sipër, do të ishte që pragu që ndan kufirin mes shëndetit dhe sëmundjes (normat që përcaktojnë këtë prag), të rritej, e kundërta po ndodh. Ai po ulet më tej duke bërë që të shtohet artificialisht numri i njerëzve që kanë nevojë për trajtim mjeksor. Madje këto norma po ulen deri në atë nivel sa shpesh po bëhen një objektiv i pa arritshëm, stresues dhe demotivues.

Pse nuk rishikohen normat, ose dhe kur mendohet të rishikohen, mendohet të ulen më tej, kur e kundërta në fakt duhet të ndodhte?

E gjitha kjo është e lidhur me faktin se kush vendos për një gjëndje nëse është normale apo sëmundje. Në shekuj ky vendim i është rezervuar profesionit të mjekut, i ndihmuar 150 vite më parë nga shkeca moderne mjeksore që bëri që profesioni mjeksor të zhvillohet shumë pranë atyre që përfitojnë nga përdorimi i medikamenteve për sëmundje të reja. Dhe tashmë s’janë më vetëm mjekët ata që marrin këtë vendim të rëndësishëm.

Fundi i shëndetit dhe fillimi i sëmundjes...

Kufiri mes shëndetit dhe sëmundjes duhet parë edhe në tjetër aspect, atë të moshës. Jam sëmurë apo shqetësimet që kam janë normale për moshën?  

Ja si e përjeton këtë shqetësim një mjek: “Mendoj se jam me shëndet të mirë. Por a jam vërtetë? Flokët më janë zbardhur. Më kanë rënë krejtësisht në disa pjesë. Shikimi më është vështirësuar. Kur sapo ngrihem nga shtrati në mëngjes, lëviz me vështirësi, kam dhimbje të tendineve të Akilit. Jam i sëmurë, apo shqetësimet janë normale për moshën? Para kësaj dileme ndodhen sot shumë njerëz, në kushtet e rritjes së shpejtë të jetëgjatësisë.  

Le të analizojmë  

Ajo çfarë ne konceptojmë si gjendje “normale” të organizmin, e merr origjinën nga gjendja që kemi pasur kur kemi qenë të rinj në moshë. Gjendje që ne pretendojmë ta kemi gjatë gjithë kohës, edhe kur mosha ka ecur. Por a kemi të drejtë për një pretendim të tillë? A duhet të pretendojë dikush ne prag të 60-tave të ketë organizmin e një 20 vjeçari? Sigurisht ndryshimet dhe shqetësimet normale me rritjen e moshës s’janë sëmundje, prandaj dhe s’duhen trajtuar dhe si të tilla.  

Mjeku që më lart përmenda, vazhdon më tej: “Nuk pi duhan. Pi pak alkool. Lëviz shumë në këmbë, por ushtrime fizike bëj pak. Kam kohë që s’e kam matur presionin e gjakut. As yndyrnat. Dyshoj se më është zmadhuar prostata. S’e kam egzaminuar. Duhet ta vë ujin në zjarr për të zbuluar ndonjë tension të lartë të gjakut, apo ndonjë kancer të heshtur diku brenda meje, apo të vazhdoj pa u shqetësuar?

Mendimet janë të ndryshme

Ja ç’shkruan Coelho te “Alkimisti”:

“Pse duhet të interesohemi kaq shumë për të ditur të ardhmen? Përgjigia: për të bërë disa gjëra që t’i paraprijnë të keqes, për tu përgatitur për atë që do të ndodhë. Mirë nëse parashikimet do të ishin të mira, por nëse do të ishin të këqia, çfarë do të ndodhte? S’do bënim gjë tjetër veçse do fillonim të vuanim shumë kohë para se vuajtja të ndodhte. Dhe frika nga vuajtja është më e keqe se vetë vuajtja.”

Pra a ja vlen ta kërkojmë ta dimë të ardhmen e shëndetit tonë ndërkohë që pa-parashikueshmëria e së ardhmes përbën një ngushëllim të madh? Askush me saktësi nuk di se çfarë do të ndodhë nesër. Ne dimë shumë rreth probabilitetit, por probabiliteti është larg të sigurtës. Nëse do të qëndrojmë gjithmonë në të sotmen do të jemi njerëz të lumtur....

Frika nga vdekja, lind bashkë me njeriun, dhe na bën të jemi më të kujdesshëm, na bën të përpiqemi ta shtyjmë sa më larg vdekjen, të kurohemi. Por pavarësisht perfeksionit, pavarësisht se sa larg shkenca mjekësore ka shkuar, dhe vazhdon të shkojë, ajo kurrë s’mund të zhdukë vuajtjen njerëzore, apo vetë vdekjen. Kurimi nuk nënkupton pavdekësinë.

Është në interesin e shoqërisë që të frenohet kalimi i kufirit shëndet-sëmundje. Të forcohet ky kufi, të vendosen “viza” që njerëzit ta kalojnë kufirin vetëm atëherë kur kujdesi kjekësor të jetë i dobishëm, ose të paktën, kur kalimi të prodhojë më shumë dobi se sa dëm.

"Qëllimi nuk duhet të jetë se si të zgjasim vitet e jetës - thotë Thomas Perls - por si të zgjasim vitet e jetës me shëndet të mirë."