Bota Shqiptare

Gjuha jonë, krenari që duhet ruajtur - Nga Zejadin Dedinca

(Fragment nga libri autobiografik “Rrugët e mia”)

A jemi unikë? Po, me plot krenari. Shpesh më pyesin: “Me cilat gjuhë është e ngjashme gjuha shqipe?” Përgjigjja është e thjeshtë dhe e qartë: me asnjë.

Shqipja është një gjuhë më vete, pa degë motra. Ajo është një trung i lashtë që qëndron fuqishëm mes gjuhëve të botës. Një gjuhë që ka mbijetuar mes perandorish, pushtimesh dhe kohësh të vështira. Dhe për këtë ndjehem thellësisht krenar, sepse ne nuk jemi thjesht një popull, ne jemi një trashëgimi unike. Dhe përveç kësaj, ne si popull nuk krahasohemi me asnjë tjetër. Dhe ju mund të pyesni pse, por është e thjeshtë: sepse kemi kaluar vështirësi që popujt e tjerë ndoshta nuk do të mund t’i tejkalonin dhe do të rrezikonin të asimiloheshin tërësisht e të harroheshin. Ne ia dolëm. Treguam qëndresë ndaj çdo sfide që na përplasi jeta. Sfidat na bënë më të fortë. Andaj, kur fituam lirinë, e shfrytëzuam mundësinë që na u dha. U rikthyem fuqishëm dhe të bindur për atë që donim, dhe me shumë punë e përkushtim ia dolëm që brenda një dekade të realizojmë atë që shumë shteteve iu deshën vite ta arrijnë.

Por nuk ndalet me kaq. Kur flas për këtë krenari, gjithmonë përmend edhe Nënën Terezë, një tjetër dëshmi e shpirtit të jashtëzakonshëm shqiptar. Ajo kishte mundësi të jetonte mes luksit dhe pasurisë, por zgjodhi një tjetër rrugë: të jetonte mes më të varfërve, të braktisurve, atyre që nuk kishin asgjë. Ajo nuk zgjodhi të jetë e madhe, ajo zgjodhi të jetë e përulur, dhe kështu u bë e pavdekshme.

Kur e shikon gjuhën tonë, historinë tonë, njerëzit si Nënë Tereza, heronjtë tanë të panjohur e të njohur që e mbajnë gjallë shqiptarinë çdo ditë, si të mos thuash me bindje: Po, ne jemi unikë. Dhe kjo është arsye për t’u ndjerë krenarë çdo ditë. Por një gjë nuk arrij ta kuptoj… Kur jemi në një tavolinë, nëntë shqiptarë dhe vetëm një i huaj, pse flasim në gjuhën e huaj dhe jo në gjuhën tonë? Pse e fshehim atë që na bën unikë? Pse e lëmë mënjanë atë pasuri që na rrjedh nga goja, që na lidh me rrënjët tona, me gjyshërit tanë, me vendin tonë?

Pse nuk tregohemi më rigorozë sa i përket ruajtjes së gjuhës? Apo kemi harruar kohën kur nuk guxonim të flisnim lirshëm gjuhën tonë, dhe pavarësisht asaj, ne prapë flisnim shqip? Po me të rinjtë tanë ç’po ndodh? Flasin më mirë një gjuhë të huaj sesa gjuhën tonë; madje edhe shprehjet e popujve të tjerë kanë filluar t’i marrin dhe t’i vendosin në fjalorin e tyre shqip.

E kuptoj mikpritjen, e kuptoj respektin ndaj tjetrit. Por respekti ndaj vetes nuk duhet të mungojë. Gjuha shqipe është pjesë e identitetit tonë; është një thesar që shumë kombe do ta kishin ëndërr ta kishin.

Kur nuk flasim shqip mes vete, sikur po e fshehim këtë thesar. Dhe më e keqja është se fëmijët tanë na dëgjojnë… dhe mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Gjuha nuk është vetëm fjalë. Është ndjenjë, është histori, është përkatësi. Nëse ne nuk e ruajmë, kush do ta bëjë?

Flisni shqip kudo që jeni. Sepse shqipja nuk është vetëm gjuhë, është krenari. Kjo shkon më shumë se çdo respekt. Kur jemi në një tavolinë me një të huaj dhe ne të tjerët jemi shqiptarë, shpesh kalojmë në gjuhën e huaj për të treguar respekt. Por në të vërtetë, ka diçka që shkon përtej respektit ndaj tjetrit, është respekti ndaj vetes, ndaj gjuhës sonë. Sepse gjuha shqipe nuk është thjesht një mjet komunikimi; është histori, kulturë, gjak, dashuri. Është ajo që na bën unikë, të dallueshëm në këtë botë të madhe.

Shqipja nuk është e zakonshme. Ajo nuk është një degë e zakonshme në pemën e gjuhëve. Ajo është vetë një trung, që qëndron më vete, krenare dhe e pavarur, ashtu siç kemi qëndruar ne si popull ndër shekuj. Kur flasim shqip, nuk flasim thjesht me fjalë, flasim me zemër. Ndaj, le ta mbajmë të gjallë. Le ta flasim mes veti, me fëmijët tanë, në shtëpi, në rrugë, në festë. Sepse në fund, ajo që na lidh të gjithëve në çdo cep të botës është ajo fjalë e parë që kemi mësuar nga nëna: shqipja.

Gjuha jonë ka një ritëm të vetin. Fjalët e saj nuk janë thjesht zëra, janë tinguj që dalin nga shpirti. Janë fjalë shpirti sepse ne dhamë shpirt për ta mbrojtur shqipen, që ishte e vetmja gjë që na mbante gjallë e të bashkuar në kohë të vështira. Ishte e vetmja gjë që kishim, atëherë kur asgjë s’kishim.

Shqipja tingëllon si këngë kur flitet me dashuri, dhe si rrufe kur flitet me zemërim. Ajo i ka të gjitha: butësinë e një përqafimi, forcën e një betimi, ngrohtësinë e një kujtimi të bukur. Çdo fjalë shqipe mban peshë, histori, emocion. Nga “nënë” deri te “atdhe”, nga “dashuri” deri te “besë”, janë fjalë që nuk përkthehen dot plotësisht në gjuhë të tjera, sepse nuk janë vetëm fjalë, janë ndjenja. Dhe ndjenjat nuk përkthehen e as nuk përshkruhen me fjalë; shpesh mbeten vetëm vepra, kujtime e nostalgji.

Prandaj, kur flasim shqip, ne nuk komunikojmë thjesht, por ndajmë me botën atë që kemi në brendësinë tonë. Ne ndajmë një pjesë të vetes. Andaj ruajeni secilën pjesë, se një ditë mund të humbet e mos të rikthehet më!

© Zejadin Dedinca - Montréal