Bota Shqiptare

Për shqipen në përgjithësi, standardin dhe Gegnishten

Qemal Guri dhe Artan Gjyzel Hasani

Duke marrë shkas nga shkrimi i Artan Gjyzel Hasanit “Abuzimi katundaresk me Gegnishten” publikuar në FlasShqip më 28 Dhjetor, lexuesi njëherësh edhe studiuesi Qemal Guri, ka dërguar shkrimin e mëposhtëm në adresën Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo., të cilin redaksia vendosi ta publikojë duke nxitur kështu debatin mbi gjuhën shqipe.

Për shqipen në përgjithësi, standardin dhe Gegnishten

Qemal Guri

"Gegnishtja" që na e sjell si një "tallava", shkruesi i artikullit "Abuzimi katundaresk me Gegnishten", z. Artan Gjyzel Hasani, që e mirëkuptoj për shqetësimin, nuk është Gegnishtja e shqipes, por thjesht, është ajo që ai quan tallava, thjeshtë, nakatosja e krahinave dhe fiseve të ndryshme mga të gjitha trevat e Shqipërisë prej lëvizjes demografike që është vërejtur si një dyndje e pas ‘91-shit. Gegnishtja është tjetër. Dhe ashtu si është vrarë e sakatuar shqipja standarde nga injoranca dhe nga digjitalizmi, pra nga shkurtimi mesazhik i komunikimit shkrimor me celularë, ashtu është shpartalluar edhe Gegnishtja, ajo koineja më e pasur e kombit tonë me të cilën ka fillesat edhe vetë shkrimi shqip, që nuk njihet ende si gjuhë e shkruar para Mesharit të Buzukut dhe përfundon me arritjen madhore të shrimeve të At Zef Pllumit, ku lexuesi, me atë Gegnishte aq emotive dhe, aq të pastër arrin të të bëjë, të gëzohesh e të qash nga fuqia e përshkrimeve mjeshtërore të kësaj koineje të vetme shqipe dhe të përkryer. Kjo është dhe do të jetë Gegnishtja, por jo ajo e paçavaruar, e sotme, nga gjithfarë folësish të pa identitet kulturor e gjuhësor.

Nuk është vetëm "ekspansioni tekstor kosovar", "mënyrat e të folurit dhe të shkruarit në hapësirën urbane dhe suburbane nga Shkumbini e lart" ku autorshkruesi radhit "çdo dialekt krahinor, çdo e folur katundi, kodre, mali, çdo e folur lagjeje dhe fisi", që ai thekson se janë duke "folur dhe shkruar "Gegnisht"", por diçka tjetër më përtej kësaj.

Nuk konkludova se çfarë është, sepse jam dakord me konkluzionin tuaj artikullshkrues, se kjo shpreh një paformim "analfabetësh, neglizhentësh, injorantësh apo njerëzish me arsim të cunguar, këtej dhe andej kufirit të të Shqipërisë "londineze"", që kurrë ndonjëherë nuk e ka bërë "Gegnishten kaq të bastarduar".

Unë, këtë nuk do ta quaja Gegnishte, në ligjërimin shkrimor të autorit, por do të vendosja fjalën "Shqipe" në vend të "Gegnishte". E dyta, që është e para, kjo bëhet qëllimisht nga shteti ynë, që t'i ketë njerëzit sa më injorant, për t'i sunduar më lehtë. Kjo lloj vrastarie e Koinesë Genishte, si gjuha e vetme më prodhimtare e shqipes, me të cilën studiohet edhe vetë shqipja, i ka dhënë shkas dhe "argumente" edhe luftëtarëve "akademik" e atyre të ashtuquajtur "studiues të shqipes", që ta luftojnë Gegnishten dhe ta përjashtojnë imponimisht nga pasurimi i standardit. Por ata, që janë studiues të vërtetë të shqipes e kuptojnë edhe nga vetë shqipja e At Zef Pllumit se sa eficiente dhe sa e pasur është Gegnishtja edhe sot. Asnjë vepër tjetër nuk ka kaq pasuri shkrimore stilistika sa kjo vepër në fjalë. Përse nuk janë përkthyer dhe ende nuk përkthehen dot, edhe sot e kësaj dite, vepra madhore si ato të Homerit, Iliada e Odiseja, të Dante Aligerit, triptiku i Komedisë hynjore, apo Virgjili etj, vepra të klasikëve, në shqipen standarde apo zyrtare? Përgjigja është, sepse shqipja standarde edhe pse është një arritje e madhe për kohën, ende nuk i plotëson kushtet e një gjuhe, që përligjet në përkthime e përshtatje të tilla si gegnishtja. Kjo dëshmon se ende shqipja është larg përkthimit dinjitoz të veprave botërore me standard të lartë silistik, siç është prodhimtaria antike klasike, apo e klasicizmit, në përgjithësi. Edhe krijimtaria e Shekspirit e përshtatur mjeshtërisht nga Noli, është më e përkryer në leximin shijues se sa përkthimet në standard. Pse? Sepse Gegnishtja ka qenë aq e lëvruar sa mund të themi se është aq e fuqishme, sa edhe gjuha që përdori Dante kur zhduku njëherë e përgjithmonë Latinishten e letërsisë dhe të shkencës. Kur autori flet, se Gegnishtja është bërë "perçja e mediokritetit" dhe thekson mosmundkthimin e vargjeve të saj në shqipen standarde, sepse "nuk kanë asnjë vlerë artistike" dhe ai iluzionon se tingëllimi poetik i Gengnishtes qenka një abuzim.

Pa dashur të replikoj, por duke iu përmbajtur respektit që më karakterizon si specialist për gjuhën shqipe, po përtheksoj, se standardi apo shqipja zyrtare, as nuk ka pasur dhe as nuk ka ende këllqe të përkthejë krijimtarinë klasike antike apo mesjetare, të korifejve si Shekspiri e Dante, siç pahova më sipër, gjë që Gegnishtja e ka bërë me sukses dhe mjaft lehtësi. Prandaj, standardi, jo vetëm që nuk mund të kthejë në gjuhën standarde, Gegërishten, e cila është një koine e shkruar me shekuj dhe mjaft stilistike, por aq më pak, Gegnishten e zhargonizuar të sotme. Prandaj këto nuk janë argumente për të vënë në shënjestër Gegërishten, këtë thesar të vetëm e të pazëvendësueshëm të shqipes. Eshtrat nuk mund t'i dridhen aspakësisht, as Mjedës, as Fishtës, as Filip Shirokës dhe as Koliqi, për pazotësinë e shqipes zyrtare, që nuk është asnjëherë më lart se Gegnishtja në stilistikë dhe shprehësi, sepse ata janë kontigjenti final i pasurimit stilistik të saj. Këtë e ka vërtetuar edhe Tosku i Madh, Kristoforidhi me përdorimin mjeshtëror dhe plot respekt të Gegnishtes, sidomos te përkthimi i Dhjatës së Re.

Prandaj është fakt kokëfortë në gjuhësinë shqipe; ligjësia absolute, që e ka argumentuar përfundimisht koha dhe, nuk mund të anashkalohet më pa pësuar pasoja gjuhësore: Gjuha shqipe nuk mund të bëjë përpara asnjë hap nëse nuk i hap udhë të lirë, në brendësitë e saj, Gegnishtes. Gegnishtja si koine letrare e lëvruar e pasuron shqipen standarde, kurse ktheshpinja Standardit ndaj saj e varfëron këtë standard zyrtar. Edhe pse autori ka mendimin se ka vetëm një shqipe të shkruar, siç ka një anglishte dhe gjermanishte, kur evidenton padrejtësitë e Kongresit të Drejtshkrimit ndaj Gegnishtes, unë mendoj dhe vërtetoj, se ka dy ligjërime të shkruara në shqipen e sotme, Gegnishtja dhe standardi.

Defekti i tallavaizmit, për të cilin flet autori, nuk është faturë e Gegnishtes, por është një sëmundje mbarëkombëtare, edhe për toskërishten. Unë nuk jam, cunguarthi me/për shqetësimin e autorshkruesit. Jam e do të jem për lëvrimin e shqipes siç e kanë dashur dhe kanë insistuar korifejtë e shqipes në vitet tridhjetë dhe, edhe në lënien të lirë të vazhdimit të lëvrimit të Gegnishtes. Synimi i sakatimit të Gegnishtes ka shpartalluar vetë shqipen; pa Gegnishten nuk ka shqipe, sepse ajo e shpjegon edhe historikisht shqipen dhe, sipas disa studiuesve seriozë të saj, argumentohet, se Gegnishtja është shqipja e vjetër, e cila është dëshmuar edhe në Athinën antike.

Edhe të huajt që njohin mirë literaturën shqipe dhe lexojnë të përkthyer letërsinë antike klasike dhe atë të mesjetës, nuk thonë se e kemi lexuar në Gegnisht, këtë apo atë vepër të Homerit, Dantes apo Shekspirit, por pohojnë, se e kanë shijuar në shqip. Në këtë aspektësi, Gegnishtja është sinonim i shqipes dhe, shqipja nuk mund të kuptohet pa këtë prani adekuate të Gegnishtes dhe do të ishte e asfiksuar pa të. Kjo është Gegnishtja dhe, nuk ka patur e nuk do të ketë kurrë një Gegnishte tjetër tallava. Ndoshta tallavaizmi vjen nga prania e të gjitha popullsive krahinore në të njëjtat vende, për hir të lëvizjes demografike të pas viteve '90-të. E kështu, do të kishim, parë nga kjo pikëpamje, edhe një tallavaitet toskërisht.  

Troç dhe flash, nuk ka dhe s'mund të ketë gjuhë shqipe pa Gegnishten, sikundër Gegnishtja ka qenë dhe është një koine shqipe e lëvruar dhe e përfaqësuar. Pa historinë e Gegnishtes nuk mund të ketë histori të shqipes dhe shqipja duhet të jetë krenare se ka patur dhe ka një koine stilistiko-estetike si Gegnishtja.

29 Dhjetor, 2019