Si në rrugë pa krye - Nga Sejdin Cekani
- Published in Bota Shqiptare

Këto ditë të javës së parë të shkurtit po dëgjojmë e po lexojmë si asnjëherë tjetër për vrasje apo vetëvrasje, për përndjekje e dhunë të pashembullt në familjet shqiptare jo vetëm këtu në Shqipëri, po dhe nëpër vende të ndryshme të botës.
Po ashtu, emra shqiptarësh përmenden këto ditë nëpër kronikat e zeza të lajmeve të shteteve fqinje - madje deri në Ekuadorin e largët - si të arrestuar për krijimin e bandave kriminale dhe trafikut të narkotikëve.
Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të molepsur prej urrejtjes së verbër, vazhdojnë të mos merren vesh e janë gati t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit.
Në anën tjetër, mediat i përtypin të gjitha këto dhe i bluajnë qetësisht, si një lëndë e parë që iu vjen e gatshme e madje del e tepron për të mbushur faqet e portaleve dhe emisionet televizive.
Nëse e gjithë shoqëria jonë - ende në tranzicion të zgjatur, traumatizues e të dhimbshëm - do të dilte para pasqyrës që të shikonte veten, do të trandej e do të trembej prej pamjes së saj të shformuar.
Në këtë pasqyrë të historisë së këtyre viteve të fillimit të shekullit XXI - ku jemi shënjuar edhe falë televizioneve e portaleve - ne shfaqemi në disa pamje, por më shumë bien në sy veset dhe të metat tona: të padrejtë e të pasinqertë; ziliqarë e smirëzinj për arritjet e tjetrit, madje edhe ndaj njerëzve më të afërm; bjerraditës e dembelë proverbialë; mbushur mllef e urrejtje, që mezi presim çastin për t’u hakmarrë; mosbesues e hileqarë; kokëfortë e ngrehalucë; lehtësisht të manipulueshëm për shkak të skamjes apo babëzisë për t’u pasuruar me çdo kusht e për të përfituar padrejtësisht; llafazanë, por edhe heshtanakë të pashembullt, kokulur e servilë para atyre që i kemi mbi vete; zemërakë e inatçorë në përditshmëri.
Duket se vuajmë e lëngojmë jo vetëm nga varfëria, por edhe nga plagë sociale që nuk po i shërojmë dot. Mbi të gjitha, nuk po arrijmë dot të shëndoshim as qelizën bazë të shoqërisë - familjen.
Kësisoj, duket sikur vetëdija për lirinë që e dëshiruam aq shumë dhe mezi e pritëm, është shformuar aq sa, në vend që të përsosim virtytet, në të vërtetë ushqejmë veset dhe po harrojmë ta jetojmë të sotmen me dinjitet, pa vënë ndërkaq asnjë piketë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave pasardhës.
© Sejdin Cekani