Aktualitet

Hapat që duhen ndërmarrë nga Trojka kombëtare dhe ndihma ndërkombëtare - Nga Lisen Bashkurti

Tragjedia shqiptare ka krijuar dhimbje, por edhe panik në mbarë qytetarët shqiptarë. Por mbi dhimbjen dhe panikun janë humanizmi dhe solidariteti mbarëshqiptar kryq e tërthor kufijve politikë në mbarë Ballkanin dhe në diasporë që po ngrihet me përmasa të jashtëzakonshme dhe shpejtësi të paparë.

Humanizmi dhe solidariteti për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto ditë tragjike po vijnë edhe nga popujt e qeveritë fqinje, nga popujt dhe qeveri të shteteve evropiane dhe SHBA. Këto momente po dëshmojnë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë vetëm.

Situata aktuale kerkon marrjen e këtyre hapave:

  1. Identifikimi sa më i shpejtë dhe i saktë i problemeve në terren. Entet statistikore sëbashku me ekspertët lypet të zbresin në çdo familje dhe metër katror të dëmtuar. Identifikimi lypet të skanojë gjendjen e popullsisë dhe të dëmit kolateral.
  2. Pas identifikimit të problemeve lypet të prioritizohen ato në grup-probleme emergjente, pra afatshkurtra; grup-probleme afatmesme, që lidhen me stabilizimin e përkohshëm të popullsisë së dëmtuar dhe akomodimin e saj; grup-problemet afatgjata, që kanë të bëjnë me rehabilitimin, restaurimin dhe rindërtimin e plotë.
  3. Kërkohet të formulohet dokumenti strategjik i plotë, i cili të parashtrojë qëllimin, objektivat, prioritetet, afatet, masat e veprimit që nevojiten të adoptohen nga institucionet politikbërëse dhe vendimmarrëse.
  4. Të alokohet buxheti maksimal shtetëror: të mobilizohen burimet njerëzore vendase dhe të huaja; të aktivizohen ose të ngrihen nga e para agjenci ad hoc ose edhe të perhershme publike.
  5. Të krijohet strukture menaxheriale e tipit kompleks trojkë: institucionet publike, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile. Kjo trojkë garanton mobilizim burimesh financiare jashtëbuxhetore, siguron mirëmenaxhimin e tyre dhe realizon transparencën e plotë dhe të vazhdueshme të financimeve.
  6. Bazuar në identifikimin e problemeve, formulimin e dokumentit strategjik, adoptimin e tij nga organet vendimmarrese, alokimin e buxhetit publik dhe përllogaritjen e kontributeve jo publike, mobilizimin e burimeve njerëzore dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale, është e domosdoshme t’u drejtohemi ndihmave ndërkombëtare me kërkesa konkrete, projekte të përgatitura, me parashikueshmeri financiare, ekspertizë, teknikë e logjistikë. Sigurimi i ndihmës ndërkombëtare varet kryekeput nga mënyra se si do të përpilohen kërkesat, projektet, peëllogaritjet për financa, burime ekspertize, teknikë e logjistikë.
  7. Zbatimi i plotë dhe në kohë i strategjisë për rehabilitimin, restaurimin dhe rindërtimin e gjithë zonave të dëmtuara, stabilizimin e njerëzve dhe gjendjes materiale.
  8. Kërkohet një analizë e thellë dhe e gjithanshme për politikat zhvillimore të vendit në plane afatgjata, për parandalimin dhe minimalizimin e situatave të tilla në të ardhmen, duke hartuar politika, ligje, kode zhvillimore ndërtimore, urbane dhe infrastrukturore dhe përmes ngritjes së kapaciteteteve njerëzore dhe institucionale.
  9. Të përmirësohet sistemi i informim-komunikimit që të sigurohet plotësisht dhe në menyre të përhershme transparenca me opinionin publik kombëtar dhe ndërkombetar.

Këto do të ishin disa nga hapat që sugjerohen të ndermerren nga Qeveria dhe institucionet publike, bizneset dhe shoqeria civile në nivel kombëtar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë që do perfshihen në këtë strategji.