Aktualitet

Shqipëria dhe COVID-19: Është koha për masa inteligjente, jo për terminologji frikësimi - Intervistë me Dr. Erion Dasho

Jo në mënyrë të papritur, epidemia nga Koronavirusi ka krijuar një mal kundërshtish dhe teorish konspirative. Në në fillim të epidemisë, parashikimet varionin midis pritshmërisë që Koronavirusi mund të bëjë namin dhe të shkaktojë një skenar hollivudian të fundit të botës dhe interpretimit të tij si një virozë e stinës (anglisht: common cold). “Ftohja” është në fakt një sëmundje infektive. Në ndryshim nga sëmundje infektive si gripi, fruthi, etj, ftohja nuk shkaktohet nga një mikrob i caktuar, por nga më shumë se 200 mikrobe të ndryshëm, ku bëjnë pjesë edhe shumë Koronaviruse të ngjashëm me SARS-CoV-2. Flasshqip  zgjodhi të bisedojë me Dr. Erion Dasho, mjek shqiptar specialist i Shëndetit Publik, i cili jeton e punon në Gjermani, por aktualisht ndodhet në Shqipëri dhe po e ndjek situatën prej andej.

Dr. Erioni, sipas mendimit të ekspertëve, COVID-19 është një sëmundje e shkaktuar nga natyra apo nga njeriu? Qarkullojne madje edhe teori konspirative...

Teoritë konspirative nisën nga fakti që në Wuhan, aty ku nisi epidemia, është një laborator kërkimor mbi viruset, nga më të njohurit dhe më të pajisurit, jo vetëm në Kinë, por në gjithë botën. Këto teori natyrisht i nxiti edhe hipoteza për origjinën e virusit nga lakuriqët e natës dhe pangolini. Duke qenë se qindra milionë njerëz në gjithë botën kanë mësuar për ekzistencën e pangolinit vetëm për shkak të Koronavirusit SARS-CoV-2, vetëm një hap nevojitej për të kaluar nga ekzotizmi në konspiracion. Teoritë konspirative, edhe në qofshin të vërteta, nuk kanë gjasa të vërtetohen apo hidhen poshtë, prandaj edhe nuk dua të merrem shumë me to.

Duke hequr mënjanë konspiracionin, ajo çka mbetet e rëndësishme dhe lehtësisht e verifikueshme janë reagimet e vendeve të ndryshme ndaj epidemisë. Kina, Italia, Spanja dhe, ndoshta, shtete të caktuara në SHBA, duken “të djegura” nga virusi për shkak të kolapsit të sistemeve të tyre shëndetësore. Edhe vetëm skenat që vijnë nga këto vende do të mjaftonin për të krijuar panik.

Nga ana e tij, komuniteti shkencor u fut në panik kur një institucion prestigjioz, ICL (Imperial College of London) hartoi një raport ku parashikohej se në rastin e një epidemie të pakontrolluar në Mbretërinë e Bashkuar do të vdisnin më shumë se 500 mijë persona dhe në SHBA më shumë se 2 milionë.

Skenat në Wuhan dhe Lombardi dhe raporti i ICL bënë që shumë vende në zhvillim të merrnin masa ekstreme. Nga të tre grupmasat e propozuara – masat higjienike, masat e distancimit social dhe masat mjekësore – shumë vende (ku hyn edhe Shqipëria) mund të zbatojnë vetëm masat e higjienës dhe ato të distancimit social. Disa vende më të varfëra, nuk arrijnë të zbatojnë dot as edhe masat e higjienës. Duke patur vetëm një “armë” në “luftë” ato natyrisht që do të zbrasnin vetëm atë.

Nga ana tjetër e spektrit qëndron pikëpamja që minimizon në ekstrem efektin e epidemisë. Sipas kësaj pikëpamje, kjo epidemi duhet trajtuar njëlloj si një virozë stinore, ku një mjek i njohur italian deklaronte para pak ditësh: “po të mos e dinim se qarkullon COVID, këtë situatë në Itali do ta kishim kaluar me një “Sa e keqe ka qënë viroza e kësaj radhe”. Po të mos kishim shkatërruar sistemin tonë shëndetësor dhe të kishim mjaftueshëm shtretër dhe investime, kolapsi i spitaleve nuk do të kishte ndodhur”.

Si qëndron e vërteta, sipas jush? Ç’dimë sot tre muaj pas fillimit të epidemisë?

E vërteta natyrisht ndodhet midis këtyre dy qëndrimeve. Masat e higjienës personale dhe sociale si larja e duarve, higjiena e kollitjes dhe teshtitjes, distancimi në rrugë apo dyqane, etj. janë masa që nuk i kundërshton askush. Ato rekomandohen nga çdo vend dhe organizatë dhe efekti i tyre nuk vihet në dyshim. Por ato nuk janë gjë tjetër, veç masat që i rekomandohen çdokujt si masa prandaluese për “ftohjen” e zakonshme të cilën gjithkush e kalon dy ose tre herë në vit. Edhe në rast “epidemie nga ftohja”, rekomandohet larja e duarve, qëndrimi në distancë nga personat e tjerë dhe respektimi i higjienës sociale.

Izolimi funksionon dhe këtë e tregon edhe përvoja e Shqipërisë. Në se ul kontaktet sociale, ul edhe mundësinë e transmetimit të infeksionit. Në kushte të papenguara, koeficienti i transmetimit të SARS-CoV-2 është 2 deri në 3, çka do të thotë se një person i infektuar rrezikon të infektojë 2 ose 3 persona të tjerë. Në se mbyll shkollat, qendrat e punës, baret e restorantet, stadiumet e kinematë, normal që numri ulet. Kur ai mbetet më i lartë se 1 epidemia vazhdon, kur ai ulet më pak se 1 epidemia “vdes”. Kjo vlen për çdo sëmundje infektive dhe jo vetëm për COVID.

Testimi dhe mjekimi nuk dimë akoma në se funksionojnë apo jo. Nuk dihet akoma në se Korenë e shpëtoi testimi apo masat e tjera që u morën atje. Normalisht që testimi masiv i gjithë popullatës i pasuar nga izolimi i çdo rasti që del pozitiv, ka potencialin ta zhdukë sëmundjen brenda 14 ditëve. Por ç’ndodh kur kufijtë hapen, vjen një infektuar dhe gjithçka rifillon? Mbi të gjitha, sot një test kushton nga 30 deri në 100 apo më tepër Euro. Islanda ka 350 mijë banorë dhe e përballon të testojë këdo. Po India që ka 1 miliard e 300 milionë banorë? Në se testojmë disa persona dhe lëmë pa testuar të tjerë, cili është efekti? Kjo pyetje nuk ka akoma përgjigje....

Por diskutohet aktualisht dhe citohen disa medikament që mund të ndihmojnë shërimin e të prekurve nga virusi...

Mjekimet specifike që përdoren sot kundër COVID nuk bazohen në evidenca shkencore. Pyetja mund të shtrohet në rastin kur një mjek u dha një numri pacientësh një medikament dhe disa prej tyre u shëruan a duhet përdorur ky medikament për të trajtuar këdo? Natyrisht që jo! Sepse ata pacientë që u shëruan mund të ishin shëruar edhe në mungesë të atij medikamenti. Mendoni dikë që ka thyer këmbën dhe mjeku i jep aspirinë. Pasi këmba i ringjitet, a mund të thuhet se aspirina duhet përdorur për të ngjitur këmbën e thyer?

Përfundimisht duhet kuptuar që duhet të kalojnë disa muaj apo vite që të mund të kemi vaksina, medikamente apo teste të besueshme dhe të sakta për të diagnostikuar dhe kuruar infeksionet nga SARS-CoV-2. Tre muaj pas fillimit të epidemisë, do të thoja që kemi akoma më shumë pyetje se përgjigje.

Duke parë precipitimin disa mendojnë që jemi përpara një epidemie apokaliptike...

Sot shumë njerëz çuditen me skenarët e ndryshëm në vende të ndryshme. Pse Gjermania ka po aq të sëmurë sa Franca, por katër tre herë më pak të vdekur? Ndoshta shpjegimi është fare i thjeshtë. Gjermania teston katër herë më shumë se Franca dhe mund të diagnostikojë katër herë më tepër. Gjermania fut në emërues shumë më tepër persona nga ata që nuk kanë asnjë shenjë, ose kanë shenja fare të lehta, në një kohë kur Franca as i llogarit fare ata.

A është vdekshmëria nga COVID e lartë? SARS dhe MERS që shkaktohen po prej Koronaviruseve, kanë një vdekshmëri përkatësisht një në dhjetë dhe një në tre të prekur, pra shumë të lartë. Për COVID nuk dihet ende me saktësi, por shifrat e Gjermanisë flasin për një vdekshmëri 2.8%, kurse ato të Islandës (që testoi pothuajse 10% të popullsisë), flasin për një vdekshmëri prej 0.46%. Situata në Islandë është shumë interesante për tu ndjekur pasi në kushtet e një popullsie të vogël, të izoluar dhe të testuar plotësisht, shkalla e vdekshmërisë atje ka të ngjarë të pranohet si referenca më e saktë për COVID-19.

Këtë pjesë të bisedës, unë doja ta mbyllja me thënien e një epidemiologu të njohur suedez i cili deklaroi se “duke e njohur shumë pak virusin COVID dhe duke mos qënë të sigurt mbi efektshmërinë e masave të veçanta, do të ishte e palogjikshme të merrnim masa ekstreme dobia e të cilave mund të jetë e diskutueshme”.

A mendoni që vërtet funksionojnë masat e izolimit social?

Kuptohet që sa më shumë të izolosh, aq më tepër parandalohet përhapja e epidemisë. Por a izolohemi ne sa herë ka një epidemi gripi apo “ftohje”? Natyrisht që jo, sepse dëmi ekonomik, social dhe, pse jo, shëndetësor do të ishte shumë i madh dhe jo proporcional në raport me rrezikun shëndetësor. Në rastin e COVID-19 deri tani ka qënë e justifikuar marrja e masave ekstreme pasi epidemia ishte një ekuacion me shumë të panjohura, por në vazhdimësi duhen ribërë llogaritë.

Sot dihet që epidemia vendos në rrezik më tepër moshat mbi 65 vjeç dhe personat e prekur nga sëmundje kronike të zemrës, diabeti dhe sëmundjet e mushkërive. Këta janë edhe personat që preken më tepër nga virozat e stinës dhe pikërisht ndaj tyre ne i drejtojmë masat parandaluese gjatë një stine virozash. Është normale që pikërisht kjo pjesë e popullatës të mbrohet më tepër edhe gjatë epidemisë ndaj COVID. Të dhënat e deritanishme tregojnë se komplikacionet, madje edhe vdekjet në persona të rinj dhe të shëndetshëm janë përjashtime tepër të rralla, por gjithsesi ndodhin. Pse? Kjo ndoshta do të kuptohet pas shumë muajsh kur të jenë kryer edhe studime më të thelluara.

A ia vlen që, për të shmangur disa mijëra vdekje në një vend të caktuar, të zbatohen masa të izolimit total? Çdo jetë është e vlefshme dhe a paçmueshme për atë që e jeton, por nuk duhet harruar se masat e izolimit kanë dy pasoja, ato ekonomike dhe shëndetësore. Në Brazil, gjatë pesë viteve të krizës 2012-2017, u llogarit se mbi 30,000 persona humbën jetën si pasojë direkte e papunësisë së krijuar nga kriza. Pasojat shëndetësore të izolimit lidhen me shëndetin mendor dhe atë fizik. Ne mjekët i themi kujtdo se duhet të ketë një jetë aktive për të qënë i shëndetshëm dhe ka prova të besueshme që lidhin aktivitetin fizik me shëndetin e mirë. Një i moshuar që nuk del të shëtisë mund të shpëtojë nga Koronavirusi, por mund të vdesë nga jeta sedentare (nëse izolimi vazhdon për një kohë të gjatë).

Mbi të gjitha, izolimi i vetmuar nuk mund të jetë masë. Izolimi njihej edhe në mesjetë (kujtoni Dekameronin e Bokaçios) por murtaja e asaj kohe zhduku gjysmën e popullatës së Europës. Në rast se nuk mbështetet me masa inteligjente, izolimi i vetëm dhe i zgjatur nuk mund të japë dhe nuk jep rezultat.

Sipas eksperiencës tuaj, a duhet kryer testimi masiv?

Testimi për COVID-19 është masa tjetër që nuk zbatohet njëlloj në çdo vend. Ka vende që kanë kryer 10, 20 apo 30 mijë teste për një milion banorë, ka edhe vende që nuk kanë kryer asnjë test të vetëm. Ka patur opinione nga shkencëtarë të njohur se testimi është shumë i dobishëm, ashtu siç ka patur edhe opinione që e gjykojnë atë të panevojshëm. Sidomos testet që dolën fillimisht kishin çmim shumë të lartë dhe shkallë të lartë gabimi. Tamponi i famshëm është një test i vështirë për t’u realizuar nga kushdo. Ai kërkon profesionalizëm në marrje, ruajtje, transport dhe analizë.

Në listën e vendeve që kanë kryer më shumë se 10 mijë testime për 1 milion banorë vendet më “të varfra” janë Estonia dhe Lituania. Të tjerat janë disa prej vendeve me të ardhura nga më të lartat në botë të cilat kanë mundësi të mjaftueshme ekonomike dhe financiare për ta mbështetur testimin.

Në fund të fundit, çfarë na mëson testimi? Për një mjek të mirë klinicist, testimi është vetëm një mjet ndihmës, pasi në kushtet e epidemisë së COVID, një mjek që viziton një pacient me temperaturë, kollë të thatë dhe dhimje fyti që banon në një lagje ku ka patur edhe katër apo pesë të infektuar nga COVID, nuk ka nevojë të testojë. Për të kjo është aritmetikë e thjeshtë “dy plus dy” dhe me ndërgjegje të plotë profesionale mund të vendosë diagnozën “COVID” sikundër vendos diagnozën “virozë e stinës”.

Testimi mund të zëvendësohet shumë lehtë me një sistem të mbikëqyrjes epidemiologjike dhe me një rrjet të trajnuar mjekësh familjeje të cilët e vizitojnë pacientin ose direkt ose nëpërmjet videoconferencës (telemjeksisë).

Ç’mund të themi si konkluzion momental për këtë epidemi, para se të kalojmë tek pyetjet lidhur me menaxhimin e saj në Shqipëri?

Me njohjen gjithmonë e më të mirë të shkaktarit, shenjave klinike, ecurisë në grupe të ndryshme, komplikacioneve dhe vdekshmërisë nga virusi SARS-CoV-2, paniku dhe terminologjia luftarake duhet t’ia lënë vendin terminologjisë mjekësore.

Izolimi ekstrem natyrisht që e kontrollon epideminë, por dëmton shëndetin (fizik dhe mendor), jetën shoqërore dhe atë ekonomike.

Përgjithësisht, izolimi ka kuptim vetëm kur jemi të bindur se rreziku që po shmangim nëpërmjet izolimit është real dhe i përmasave që dyshoheshin në fillimet e epidemisë. Të dhënat e vendeve si Gjermania, Franca, Suedia, etj. kanë hedhur dyshime të arsyeshme se COVID-19 nuk është as gogol dhe as murtajë, është thjesht një sëmundje e re, akoma e panjohur plotësisht ndaj të cilës duhet të mbrohemi me masa të arsyeshme.

Për mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik tashmë është fare e qartë se SARS-CoV-2 është një patogjen që kërkon një përgjigje serioze të tipit të Shëndetit Publik, e mbështetur nga masa inteligjente.

Duke qenë se aktualisht ndodheni në atdhe, si e vlerësoni menaxhimin e situatës ng autoritetet shqiptare përgjëgjese?

Autoritetet shqiptare kanë patur një përgjigje përgjithësisht të drejtë që ka rezultuar në situatën e kontrolluar që kemi tani. Numri i rasteve të diagnostikuara në një ditë nuk ka kaluar 30, numri total i rasteve është pak më shumë se 500 dhe ai i vdekjeve 26. Por kjo situatë është arritur me një kosto të madhe ekonomike, sociale dhe shëndetësore. Izolimi nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë më gjatë. Tani ka ardhur koha e masave inteligjente ku investigimi i rasteve bëhet me masa digjitale, ku hyn në lojë i gjithë personeli mjekësor dhe jo vetëm ai i disa spitaleve të veçanta, ku numri i testeve shtohet përsëri në përputhje me të dhënat e mbikëqyrjes, ku masat e kufizimit të lëvizjeve merren sipas vatrave të transmetimit të sëmundjes apo sipas gjeografisë dhe demografisë dhe jo universale. Koha për masa të tilla ka qënë që para dy javësh, por tani marrja e tyre është domosdoshmëri.

Si po përjetohet nga qytetarët gjendja e jashtëzakonshme dhe masat e kufizimit të çdo lloj aktiviteti, përjashto shërbimet e domosdoshme?

Popullata ka patur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, në gjykimin tim. Respektohen rregullat e kufizimeve, respektohet radha jashtë dyqaneve dhe tregjeve. Respektohet mbajtja e maskës në mjedise ku ka grumbullim njerëzish, e masa të tjera si këto. Kjo të paktën në Durrës ku banoj unë, pasi nuk mund të flas për gjithë vendin. Në sajë të respektimit të këtyre masave kemi edhe këtë situatë që kemi sot. Por natyrisht, çdo vazhdim i tyre do të shoqërohet me një situatë ku rëndohet ekonomia, jeta sociale dhe shëndeti i njerëzve. Për këtë arsye edhe duhet kaluar tek masat inteligjente që përmenda më lart.

Sa e përgatitur është Shqipëria për situata të tilla? Çfarë duhet përmirësuar në sistemin shëndetësor sipas jush?

Sigurisht që nuk jemi të përgatitur. Shembuj të vendeve të përgatitur janë ato që balancojnë masat e distancimit dhe nuk kanë nevojë të mbyllin gjithçka. P.sh. në Suedi jeta vazhdon normalisht. Ka rritje të numrit të rasteve, ke edhe vdekje, por sistemi shëndetësor e përballon ndonëse ka një ndër numrat më të ulët të shtretërve për frymë në Europë. Po kështu Gjermania apo vende të tjerë. Në rastin e Shqipërisë unë konstatoj një mungesë besimi tek sistemi shëndetësor pavarësisht se sistemi në dukje vlerësohet. Por atëherë pse mbahen masat ekstreme, kur as një përqindje e vogël e shtretërve nuk janë okupuar? Deri tani numri i rasteve në Shqipëri nuk okupon as një gjysmë spitali! Nga përllogaritjet e mia, një shtet me kapacitete spitalore si Shqipëria mund të tolerojë deri në 100,000 apo 150,000 raste të infektuarish në muaj, gjë që do të bëjë që brenda disa muajsh të arrihet imuniteti i grupit dhe vendi t’i kthehet normalitetit. Natyrisht kjo kërkon heqje dorë nga terminologjia frikësuese, besim tek mjekët dhe infermierët e familjes dhe ata të spitaleve jashtë Tiranës, si dhe një sistem logjistik që garanton për këta të fundit pajisjet, medikamentet dhe pajisjet e duhura mbrojtëse.

©Flasshqip.ca