Shqipëria, vendi im - Nga Edison Ypi

Edison Ypi
Vendi im është i tëri një makth tronditës pafundësisht i bukur. Është e Mërkurë, por të duket e Premte. Pas së Enjtes vjen e Marta. E Hëna zgjat tre javë. E Shtuna dhe e Diela mungojnë me vite ose nuk çfaqen kurrë.
Kodrat i bien flautit. Liqeret luajnë në harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Interneti nuk është shpikur. Selfie nuk bëhen. Televizor nuk ka. Qiellin e prek me dorë. Nositët e liqereve kullosin nëpër korije.
Lushnja me Elbasanin duke u puthur mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një muzg me dy hëna.
Italia prapa derës. Gjermania përtej gardhit. Amerika duke bërë muhabet në kafene me ca laçjanë.
Elbasani po ha tavë dheu. Skrapari po ia lyp Kolonjës. Përmeti po bën dashuri me Tepelenën rrëzë një gardhi. Shkodra me pantallona të shkurtra dhe gjysmat e sisëve përjashta ta bën me dorë ta marrësh deri në Milot.
Lezha topless po lan Benzin me ujë pusi. Puka me flokët e zeza që ia merr era ka ndalur anës rrugës se i është çpuar goma.
Në qiell kullosin re si dele të bardha. Kopenë e reve e ruan një çoban nga Roskoveci, i lartë sa Shpiragu, me kërrabë sa Tomorri, gunë sa Myzeqeja, fyell me njëmijë brima të gjatë sa Drini, të përdredhur sa Vjosa.
©Edison Ypi












