Vende & Zakone

Të "fortët" e qytetit tim - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi - Toronto

Të fortë ka pasur në qytetin tim edhe në atë kohë, por pas ’90 u shtuan shumë. Ndërsa para ’90, një polic i vetëm si Mustafai, i bënte zbor të gjithë të fortëve, pas ‘90, dalja e avokatëve me shumicë në qarkullim, bashkëpunimi i tyre me gjykatës e prokurorë bëri, që ne, jo të fortët, të vuanim karshillëkun e të fortëve, dhunën e tyre, forcën e tyre, erën e qelbur të tyre, këmbët e palara të tyre, veshët gjithë zhul të tyre, zhurmën e makinave të tyre të shtrenjta dhe pordhët e tyre kur ecnin rrugëve, duke u tundur, shoqëruar bile edhe me vajza të bukura.

Fillimisht në qytetin tim, filluan të organizoheshin grupet e rrugaçëve të vegjël të lagjeve, më pas krerët e tyre u bashkuan e u vetëgraduan në “gjeneralë” e “kolonelë” e kur dilnin si grup nëpër qytet, ishte e vështirë t’i shikoje në sy, pasi mund të bije lehtë viktime tyre e me atë sistem drejtësie që kishim e vazhdojmë të kemi, mund të iknim si ushqim derrash pa ndonjë zor dhe atyre mos t’u hynte gjemb në këmbë.

Një pyetje më dilte në atë kohë. A ishin me të vërtetë të fortë? A ishin me të vërtetë trima, si trimat e legjendave që kishim mësuar nëpër shkolla, apo thjesht spurdhjakë që përfitonin nga edukata jonë, që i hapnim rrugë, thjeshtë për t’i qëndruar larg sherrit?

Kam patur një shok të veshur polic në atë kohë, Raq Mëngjezin. Ai kishte qenë mësues fiskulture në gjimnaz për shumë vite dhe me ardhjen e demokracisë, filloi punë si instruktor i edukimit fizik të policëve të rinj.

Raqi ishte një zotni burrë, fjalëpak e më kujtohet njëherë ra fjala për të fortët. Raqi qeshi dhe më thotë se i njihte të gjithë kokërr më kokërr, bile me tregoi se si qanin nëpër birucat e policisë, si dridheshin nga frika e shpesh thonin edhe shprehjen e rëndë:

“Të hëngsha m...n shefo!”

Ata djem hijerëndë me xhakovento meshini e me panatallona me përçina, të binin kaq poshtë e t’i përuleshin çfarëdolloj polici!?

E çuditshme!

***

Ka qenë një ditë vere, viti 1995. Tek bilardo përballë Pallatit te Sportit po luanim, unë me shokun tim të universitetit, Vaso Picin, vëllanë e madh të tij, Nikon dhe një shok i Nikos.

Po luanim për qejfin tonë e papritur në sallën e bilardos hynë shtatë djem, më të fortit e Durrësit, në atë kohë rreth të njëzetepestave. Ishin djem të fuqishëm, të rinj, bile edhe të pashëm. Ata hynë dhe pothuaj e gjithë salla ndaloi së luajturi.

Unë me Vason ndërpremë lojën, por Niko jo. Ai vazhdonte duke mos i bërë fare përshtypje, se ata djem kërkonin respekt, por nga ai, zor se do të merrnin ndonjë vëmendje.

Njëri nga djemtë, duke parë që ne nuk po ndërprisnim lojën, afrohet tek tavolina jonë e i mbledh të gjithë gurët, duke na bërë shënjë që të largoheshim.

Niko, në atë kohë 44, 45 vjeç, i mbeti steka e bilardos në dorë e me shkumës filloi të ngjyroste majën e saj. Djali i forte, po priste që Niko të dorëzonte stekën.

Kuptova që Niko u be nervoz, pasi filloi të fërkonte mustaqet me dy gishta, t’i lëmonte e vështrimin ia nguli djalit drejt e në sy.

U panë për disa sekonda sy më sy, kur të gjithë, ata dhe ne, ngrimë në vend e po prisnim ç’do të ndodhte.

Niko nuk ia ndante shikimin djalit e pas disa sekondash, djali lëshoi sferat e bilardos e i gjithë grupi u largua nga tavolina jonë. Ndoshta djali nuk e përballoi dot shikimin prej cowboy të Nikos, shikim që për të gjithë ata që e kanë njohur, nuk ka ndonjë ndryshim prej aktorëvë amerikanë te Hollywood-it të kohërave të vjetra.

Pasi ata u larguan, Niko na ftoi qe të vazhdonim lojën, per unë me Vason i sugjeruam që të largoheshim. Vendi ishte helmuar nga prezenca e tyre.

Kur dolëm e pyeta Nikon se ç’kishte pasur në mend të bënte. Ai m’u përgjigj:

 “Do t’i thyeja stekën e bilardos në kokë!”

Ai djali, i cili është nga më të fortët e qytetit tim sot, nuk kishte nga ta dinte se Niko Pici, kishte qenë trupi më i bukur i plazhit, në fillim të viteve ’70, ai nuk e dinte që muskujt e tij ishin çelik, ai nuk e dinte se Nikos nuk mund t’i dilte njeri përballë e ta nënshtronte, por Niko nuk i binte njeriu në qafë. Ai e kishte forcën e krahut dhe të grushtit, thjesht për qejfin e tij, thjeshtë për sport.

Nga ata shtatë djem qe hynë atë ditë ne bilardo, sot jetojne vetëm tre, edhe ata të fshehur e të zhdukur diku, ndërsa katër të tjerët kanë kohë, që i kanë thënë lamtumirë kësaj bote. Niko jeton ashtu me hallet e veta, se po i afrohet të shtatëdhjetave, por prej tij mësova, se “trimat”, bëhen “trima” kur gjejnë njerëz të dobët, shtet të dobët, polici të dobët, sistem drejtësie të dobët.

Një mësues kavajas në vitin 1996, u bë minister i Brendshëm. Nuk e di se ku ndodhet tani por kujtoj se ai vetëm për tre muaj i arrestoi të gjithë të fortët që ndotnin qytetin tim në atë kohë.

Nëse do shteti, “të fortët” nuk gjejnë dot vrimë ku të futen, vetëm nëse…

E nëse Shqipëria shpëton nga “të fortët”, atëhere me siguri do të shikojmë se çfarë energjie mund të gjenerojnë njerëzit normalë, që Zoti nuk i ka pajisur me forcën e kurajon e Nikos e sa shpejt mund të ngrihet Atdheu ynë.

©Bamir Bebeziqi