Vende & Zakone

Dedinaci i harruar dhe i paharruar - Nga Zejadin Dedinca

Vetëm 81 km larg Prishtinës në një sipërfaqe të vogël ndodhet Dedinaci ose Dedinca e dikurshme, amaneti i tim eti. Kronologjia e një udhëtimi që moralisht duhet ta kryeja, nisi ashtu si për çdo udhëtar të Republikës së Kosovës që hyn në Serbi me ndërrimin e targave dhe pajisjen me ca copa letre me mbishkrime tipike të targave të tyre. Vendosja e tyre në mënyrë të dukshme në automjet dukej sikur po lajmëronte vendasit që të huaj po hyjnë në shtëpi, ndaj “vëzhgojini”. Burgu i mendjes nuk i lë të gjithë të ecin përpara…

Kam lëvizur në shtetet më të zhvilluara të botës dhe si në çdo pikë kufitare apo aeroport është folur gjuha e biznesit ndërkombëtar, nëse nuk e kuptoje apo flisje gjuhën vendase, por nuk më ngjau kështu në Merdarë. Punonjësi doganor nuk kuptonte as shqip dhe as anglisht, sipas tij, e reagimet e tij ishin sikur ne që vinim nga Kosova çfarëdo gjuhe të flisnim i dukeshim qesharakë dhe jashtëtokësorë. Punonjës më joprofesionistë në një shtet të zhvilluar nuk kam takuar kurrë, sepse s’mund të mësojnë serbisht gjithë vizitorët që hyjnë në atë shtet.

Vazhdonte më tej e njëjta sjellje arrogante nëpër zyrat e tyre. Çfarë prezantimi!? Duan apo jo ata, do të qëndrojmë përgjithmonë fqinjë. As ne s’do të lëvizim dhe as ata. Nuk nuk kërkojmë dashurinë e tyre, por ama është e turpshme që në një shtet europian të ketë standarde të tilla. Vite më parë i kisha njohur “barbarët” në kurrizin tim, por ka rrjedhur shumë ujë që atëherë dhe mesa duket ende turbull duket për ta. Në errësirën dhe amullinë e tyre për të na marrë “kalanë nga brenda”me politikbërjen e tyre ndoqa rrugën për në destinacionin tim.

Qysh në kilometrat e parë në Merdare papastërti në të dy anët e rrugës nacionale që kishte një asfalt andra-andra përgjatë gjithë gjatësisë së saj. A thua ishte një metropol në atë vend ku as mjete nuk kalonin dhe shtëpitë ishin aq të rralla.  E tillë pamje të shoqëronte për dhjetra kilometra. Më ra ndërmend që askund nuk investon në një tokë që nuk është realisht e tij, nuk iu bëri zemra as atyre, as krahët jo.

Një bukuri e pamatë natyrore, kishte shpërthyer në çdo cep të mundshëm, por një varfëri e skajshme që të kujtonte mesjetën me llampën që ndriçonte gjithë shtëpinë, banesat gati të rrënuara dhe pa kanalizim të ujërave të zeza dhe të bardha. Pritshmëritë e mia ranë përtokë. Për këtë na kishin dëbuar ne një shekull më parë, për ta lënë shkretë? Ne s’na lanë ta gëzonin vendlindjen e të parëve tanë por as ata nuk e kishin gëzuar. Mallkimi i gjakut tonë nuk i kishte bërë ata më të mirë.

Pas shumë kthesash e një rruge që ndoshta është shumë kohë para epokës së Titos, mbërrij në Dedinac, ose Dedincën e zemrës së tim eti. Mrekullia e vetme që kishte shkuar në atë fshat malor ishte elektriciteti. Varfëria e ulur këmbëkryq dukej ngado, në shtëpitë me baltë, në dyert e drunjta, në rrugicat që s’kishin parë kurrë asfalt… Për këtë na dëbuan ne?

Grykësia e shkaut nuk është thjesht territoriale, grykësia për arin e zi do të vazhdojë me pëllëmbë, hapa, metra dhe hektarë derisa të mund të ecin edhe sa të mund t’i lejojmë.

©Zejadin Dedinca