Vende & Zakone

Sinops mbi emrin e qytetit të mallit tim - Nga Vangjush Ziko

Herën e parë emri i Korçës del i shkruar në Regjistrin Kadastral Osman të vitit 1431.

Ky emër përmendet dhe në fermanin e lëshuar prej Sulltan Bajazitit të dytë në vitin 1496, që i dha pronësinë Iljaz Koxha Mirahorit.

Në dokumentin historik “Historia dhe gjenealogjia e derës së Muzakajve” me origjinë nga malësia e Korçës, nga Opari, shkruar prej Gjon Muzakës për të bijtë e tij, thuhet shprehimisht: “Pranoj dhe zotëroj qytetin e Korçës dhe vendin e qojtur Sovjan”.

Duke patur parasysh se viti 1280 përmendet nga Gjon Muzaka si themelimi i Dinastisë së Muzakajve nga Andrea Muzaka, qyteti i Korçës ka qenë i njohur, të paktën, që nga fundi i shekullin të XIII-të.

Historikisht, sipas burimeve tregimtare bizantine dëshmohet se treva e Korçës ndodhej nën zotërimin bullgar. Shteti bullgar i atyre viteve përmendet për një administratë të organizuar në mënyrë rigoroze, që është quajtur figurativisht “kumbar jetëgjatë”.

Lind pyetja se këtë emër ia vuri këtij vendbanimi kjo administratë apo e gjeti të mirëqenë?

Është i njohur historikisht fakti se makrotoponimia, mund të ndryshohet administrativisht nga një pushtues apo kolonizator. Kështu që është e pranueshme që këtë emër ia vunë bullgarët, të cilët e administronin këtë zonë që përpara se të kishte lindur dinastia e Muzakajve. Sipas dokumenteve historike, familja e Muzakajve dihet se ka nisur sundimin e vet që nga viti 1279, kurse bullgarët e patën zotëruar këtë trevë që nga shekulli i X-të, domethënë shumë më përpara se Muzakajt.

Duke ndjekur këtë kronologji të dokumentave historike, mendoj se emri i qytetit e ka prejardhjen nga emri bullgarisht “Gorica”, që në gjuhën turke është transkriptuar “Gjoriça”.

Emri i Korçës në pikëpamje etimologjike shpegohet nga fjala “gorica”, që ka të bëjë me vende të vogla malore (shih A. Selishçev, Sllavianskoe naselenie v Albanii, Sofje 1931, fq 214).

Të tjerë mendojnë se emri i Korçës lidhet me fjalën “goricë”, dardhë e egër (Petraq Pepo, “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, f. 274).

Na duket e arsyeshme se pse dhe pema “dardha e egër”, që rritet në zona malore, e ka marrë emrin “goricë”.

Një dëshmi tjetër për ta pranuar këtë tezë, na e përforcon dhe fakti se në zonën e Korçës, përveç emrit të qytetit tonë, ka plot emra të vendbanimeve të tjera, që kanë marrë emra me origjinë sllavo-bullgare: Kamenicë, Vishocicë, Dishnicë, Bulgarec, Podgorie etj.

Korça është e vendosur dhe zhvilluar si qytet në ultësirën kodrinore në rrëzë të malit të Moravës. Kjo i ka sugjeruar administratës bullgare t’i verë këtë emër. Si e ka patur emrin më përpara ky vend, nuk dihet.

Hipotezat e tjera se ky emër rrjedh nga titulli “koxha” (në turqisht “i madh, i nderuar”) i dhënë Iljaz Koxha Mirahorit, ku qenka shtuar shkronja “r” në mes të fjalës, apo hipoteza tjetër se vjen nga fjala greqisht “κορίτσι”, që ia vuri hegjemoni i Kalasë së Mborjes, duke ia dedikuar vajzës së tij, janë më shumë se të diskutueshme.

Qytetit të vendosur në këtë “malësi të vogël” (Gorica) pa diskutim, iu vu ky emër nga administrata bullgare, emër i cili shekuj më vonë nga administrata osmane u shkrua në dokumentat e saj i transkriptuar turqisht “Gjoriça”, kurse banorët e saj autoktonë dhe Gjon Muzaka e transkriptuan “Korça”.

Ç’emër ka patur qyteti ynë i themeluar para pushtimit bullgar, nuk dihet. Siç ndodh zakonisht, me makrotoponimet e fosilizuara në rrjedhën e shekujve, ato mbeten, thjesht, emërtime simbolike, pa u thelluar nga brezat pasardhës për kuptimin dhe domethënien e tyre dhe, aq më vështirë, për t’i ndryshuar ato.

Banorët e qytetit tim e trashëguan këtë emër deri në ditët tona të pandryshuar (dhe kështu do të vazhdojnë), u familjarizuan dhe e bënë të tyrin pa asnjë paragjykim. Korça mbeti Korçë në harta, në dokumente historike, në ato të identitetit individual, në adresat e zarfeve postare, në kujtime të shkruara, në libra dhe në këngë.

Emri i Korçës u bë simbol i kulturës, i zakoneve, i traditave të përparuara jo vetëm për qytetin, por dhe për të gjithë vendin tonë. Në çdo shkronjë dhe tingëllim të tij, në çdo zanore e bashkëtingëllore jehojnë emocionet e tërë brezave, që kanë jetuar dhe janë varrosur në varrezat e qytetit. Korça është fjala obelisk e tyre.

© Vangjush Ziko