Dy visare natyrore të Mirditës - Nga Ndue Dedaj
Ujëvara e Qafë Munazit
Për një ujëvarë të rrallë si ajo e Grunjasit, bëjmë dyqind kilometra rrugë, nga Rubiku në Theth dhe nuk marrim mundimin të ngjitemi tërmales së Qafë Munazit, as katër kilometra nga qyteti i Shelbuemit dhe arit, ku na pret një ujëvarë po aq tërheqëse sa ato alpine, që për herë të parë e kemi “zbuluar” përmes videove të Info-Kullës Rubik dhe sot shkuam në vend për ta parë, duke pasur udhërrëfyes pikërisht njerëzit e kësaj qendre të promovimit turistik të rajonit Mirditë-Mat-Pukë. Zor se ka një gurrë të dytë si kjo në këto male.
Një ujëvarë e panjohur, ani se në pragun e shtëpisë. Nganjëherë “mrekullitë” natyrore i kemi kaq pranë, por nuk i shohim. Është turizmi që po na bën të ndjeshëm ndaj kësaj pasurie të lakmueshme. Po të ishte parë me këtë sy, mbase do të ishte gjetur një tjetër zgjidhje për ndërtimin e ujësjellësit të Rubikut, pasi objekti e ka cënuar sadopak unitetin natyror të kësaj gurre-ujëvarë.
Patëm rastin të fotografonim dhe boshtrën luleverdhë në shkrepa, që e hasim rrallë, një nga bimët endemike të vendit.
Bërsheni i Velës, pemë e Jezusit?
Sa afër i kemi visaret natyrore dhe sa të paditur e të pandjeshëm jemi ndaj tyre.
Të shkruash për drurët është si të shkruash për njerëzit, pasi janë dhe ata frymorë të një lloji tjetër; lisat e bungës, qarrit e shpardhit, frashëri e bushi, aguliçet e ilçet, pishat e ahet, arrneni e mështeknat, boshtra e dëllinja, rrapet e palmat, plepat e selvitë e të tjera që shpesh nuk ua dimë emrat. Ja dhe bërsheni, thuajse i panjohur. Me një kurorë aq të rregullt. Monument natyror i spikatur. Thua më vete për një çast, sikur të ishte në sheshin Skënderbej e ta shihnin krejt shqiptarët, si dhe turistët. Po, pse, larg është, që të mos vijnë e ta shohin aty në trollin e vet!?
Të jetë bërsheni, dru i vetëm? Si Pisha e Shën Françeskut? Siç është dhe sot një man i çuditshëm gjethebardhë në Sheshaj. Dru i rrallë po (kuptohet me dy-tre “vocrrakë” të vetët përreth), por jo domosdo i vetmi, pasi nuk mund të ketë një dru unik. Të rrallë ishin dhe ultinjtë e Oroshit, por të paktën dy erdhën deri vonë. Drurët e një lloji janë gjithsesi një familje, e vogël apo e madhe...
Në një guidë të disa viteve më parë rreth pasurive natyrore të natyrës në Mirditë, shkruhet se bërsheni (Juniperus foetidissima) gjendet në masivin e Malit të Velës, në afërsi të “Gurit të Qytetës”, lartësia e tij është rreth 13-15 metra, me diametër mbi 1 metër. Mosha nuk është llogaritur shkencërisht, por është sigurisht disashekullor, qoftë dhe për faktin se ashtu mbahet mend nga më të vjetrit. Ka vlera shkencore, didaktike dhe turistike. Ai shërben si pikë orientimi për udhëtarët e këtyre anëve. Bërsheni haset dhe si mbiemër në vise të Shkodrës, duke hyrë në antropologji, ashtu si mbiemri “Frashëri” në Përmet, “Pisha” në Theth etj., çka tregon për vjetërsinë e tij në hapësirën shqiptare.
Nuk kemi në raftin e librave ndonjë enciklopedi bimësh për të shfletuar dhe bëjmë atë më të kollajtën, “pyesim” në botën virtuale dhe mënjëherë buisin informacionet, sipas të cilave bërsheni është një pemë e lashtë shumëshekullore, që gjendet në një varrezë të Uellsit, pema më vjetër në Mbretërinë e Bashkuar, që vjen që nga epoka e bronzit. Një pemë jetëgjatë, që rron deri në 600 vjet e shkon duke u ripërtërirë. “Mendohet se aftësia e pemës për të jetuar për kaq shumë vite mund të jetë për shkak të klimës me shi dhe numrit të madh të ditëve të vrenjtura në Uells”, thuhet.
Po ashtu mësojmë se bërshenjtë shihen shpesh në oborret e kishave në Evropë dhe për keltët ishin pemë të shenjta. Me kalimin e kohës, pema u bë gjithashtu një simbol i fuqishëm i krishterë. Për shkak të jetëgjatësisë së tij dhe mosrënies së gjetheve, bërsheni filloi të simbolizonte ringjalljen e Jezusit. Ka dhe më, por qëllimi ynë nuk është historia e këtij druri në botë, por origjina e këtij bërshenit të vetëm në kreshtat e Velës. Ky nga ka ardhur dhe si ndodhet këtu mes nesh, gjithsesi “i panjohur”? Të ketë qenë aty ndonjë kishë dhe të jetë sjellë nga priftërnjtë? Si ultinjtë e Oroshit nga fretërit? Nuk është i rastit aty toponimi Guri i Qytetës, aq më tepër rrënojat e mureve të vjetra.
© Ndue Dedaj
Fotot : Ndue Dedaj dhe Nik Nikolli, Info-Kulla Rubik