RRSP ose si të kursesh për moshën e pensionit në Kanada - Nga Hasan Misiri
- Published in Ekonomi

- Nga: Hasan Misiri
Plani RRSP (Registered Retirement Savings Plan) është krijuar qysh në vitin 1957 me synimin që të nxisë të punësuarit dhe të vetëpunësuarit në Kanada të kursejnë për periudhen kur kanë të ardhura të ulëta dhe më tipike në këtë rast është koha e pensionit.
RRSP janë llogari kursimi të regjistruara nën autoritetin e qeverisë Kanadeze dhe mbikqyren nga Agjensia Kanadeze e të Ardhurave (Canada Revenue Agency), e cila përcakton dhe kufirin për maksimumin e kontributeve vjetore, kohën e kontributit dhe çfarë investimesh mund të përfshihen në to.
Duhet theksuar që kontributet në RRSP, varësisht nga situata financiare e ndryshme e individeve, i kanë edhe përfitimet të ndryshme.
Parimi bazë është parimi sipas të cilit përfitimi taksor është më i ndjeshëm për individet që kanë diferencë të madhe të të ardhurave midis periudhës kur janë në marrëdhënie pune dhe asaj në pension.
RRSP-të kanë dy avantazhe kryesore në taksa:
Së pari, përfitohet në formën e uljes së taksave për tu paguar. Për shembull, nëse niveli i taksës së një kontribuesi është 40%, çdo 1000 dollarë të kontribuar në RRSP do rezultojnë në 400 dollarë kursim në taksa që mund të konkretizohet në pakësim të shumës për tu paguar ose kreditim në llogari nga Canada Revenue Agency.
Së dyti, në dallim nga investimet e paregjistruara, çdo fitim i realizuar në formë interesi apo kthim nga investimi gjatë kohës që fondet janë në RRSP nuk raportohet si e ardhur e për rrjedhojë nuk tatohet deri në momentin e tërheqjes kur presupozohet që taksat janë të ulëta.
Rritja e shumës së kursimeve në RRSP varet nga lloji i investimit brenda llogarisë. Ndër llojet që ekzistojnë, më të preferuara janë tre zgjedhje investimi:
1) Depozita me afat, Guaranteed Investment Certificate (GIC) në të cilën është i paracaktuar afati dhe përqindja e interesit. GIC janë të përshtatshme për investitorët që nuk duan të rrezikojnë principalin;
2) Fonde investimesh, të quajtura Mutual Funds, që janë një shportë investimesh e përbëre nga bono ose aksione. Mutual Funds janë të përshtatshme për investitorët që pranojnë luhatje të kufizuara të vlerës fillestare të investimit, por që mund të përfitojnë nga rritja e tregut financiar;
3) Llogaritë ku investitorët bëjnë zgjedhjen e tyre të pavarur nga rekomandimet e këshilltarëve financiarë. Përmes këtyre llogarive mund të blihen aksione të kompanive ose instrumente të tjerë financiarë, por duhet patur parasysh që rreziku i humbjeve është me i lartë se në rastin e investimeve të tjera.
Data e fundit për të kontribuar në RRSP për vitin 2019 ishte 2 Marsi 2020. Kufiri maksimal i kontributit RRSP për vitin 2020 ishte 18% e të ardhurave të raportuara në deklaratën tatimore për vitin 2019, deri në 27.230 dollarë. Kjo shumë mund të ishte më e lartë për individët që nuk kanë kontribuar në vitet e mëparshme.
RRSP mund të jetë individuale ose e përbashkët me partnerin (spousal), me synim që të perfitohet nëse kontribuesi është me të ardhura më të larta se partneri në kohën e tërheqjes së kursimeve.
Plani i blerësve për shtëpine e parë, Home Buyers Program (HBP) favorizon blerësit e shtepisë së parë, pasi tërheqja nga RRSP deri në shumën $35,000 dollarë për individ, nuk konsiderohet si e ardhur në atë vit. Që nga viti 1992 janë tërhequr më shumë se 19 miliardë dollarë përmes këtij programi.
Fakte rreth RRSP
Numri i individeve me RRSP në Kanada është rreth 6 milion;
Kontributet totale arrijnë shumën rreth 33.9 miliardë dollarë;
Kontributi mesatar në nivel federal është 2,790 dollarë;
Kontributi vjetor më i lartë mesatar për individ figuron në Calgary, 3,900 dollarë;
Kontributi vjetor më i ulët mesatar për individ figuron në Saint Catharine, Ontario, 2,240 dollarë.
Autori është këshilltar financiar pranë njerës prej bankave kryesore kanadeze