Ekonomi

Vazhdon tkurrja e ekonomisë kanadeze prej pandemisë, PBB ra 11% gjatë Prillit - Nga Armando Mosho

  • Published in Ekonomi

Ekonomia në Kanada gjatë muajit Prill 2020 u tkurr me një nivel rekord rënie të PBB prej 11% në raport me muajin Mars. Kjo rënie sigurisht i atribuohet situatës së krijuar nga COVID-19 pasi shumë prej bizneseve e ndaluan aktivitetin e tyre për të kufizuar sa më shumë përhapjen e virusit.

Një rënie kaq e madhe e Prodhimit të Brendshëm Bruto e bën krejt të paqartë se sa shpejt do të mundet të rikuperohet në vijim ekonomia. PBB kishte pësuar një tjetër rënie me 7.2%  në muajin Mars 2020, krahasuar me muajin Shkurt, ndonëse rënia ishte më pak se 9% se parashikimet që ishin bërë më parë nga analistët.

Statistics Canada ka deklaruar se rëniet në Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë muajve Mars dhe Prill ka të ngjarë të jenë rëniet më të mëdha të njëpasnjëshme mujore të regjistruara. Rritja vjetore e tremujorit të parë për vitin 2020 është ngadalsuar me 8.2% dhe kjo është rënia më e madhe që pas tremujorit të parë të vitit 2009, kur gjatë zhvillimeve të recesionit të madh, ngadalësimi ekonomik ishte në nivelin prej 8.7%.

Analistët patën parashikuar që rënia në tremujorin e parë të vitit 2020 të ishte në nivelin prej 10% dhe ndërkohë ata presin që të dhënat e tremujorit të dytë të jenë edhe më të përkeqësuara se të dhënat e tremujorit të parë.

Pavarësisht nëse ekonomia mund të pësojë rënie me 5%, 6%, 7% ose 8% gjatë vitit 2020, ajo mbetet ende në një sfond jashtëzakonisht sfidues që do të kërkojë shumë mbështetje si nga politika monetare ashtu edhe nga ajo fiskale.

Në këtë prizëm Banka e Kanadasë pritet të mbajë normat e interesit në një rekord të ulët prej 0.25% të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa parashikohet që ekonomia të mbetet e rrethuar nga kriza e Koronavirusit.

Provincat Kanadeze kanë filluar të rihapen ngadalë pas mbylljes së detyruar nga pandemia që ka infektuar rreth 88,000 vetë deri sot, ndërsa të vdekur janë afro 7,000.

Mbyllja provokoi pothuajse një ndërprerje të plotë aktivitetin ekonomik, duke e çuar vendin drejt recesionit më të thellë të regjistruar ndonjëherë, por do të duhet te kalojnë edhe disa muaj para se të bëhet e qartë cila është goditja reale mbi ekonominë dhe tregun e banesave.

Marrë shkas nga gjithë situatat e pafavorshme të deritanishme si dhe ato të pritshme, analistët besojnë që Banka e Kanadasë do vijojë programin e lehtësimeve sasiore të filluar në muajin Mars.

Programi i  lehtësimeve sasiore deri më tani ka injektuar në ekonomi 10 miliard dollarë në obligacione të korporatave dhe 50 miliardë dollarë në obligacione te provincave, për të mbështetur ekonominë, në mënyrë që të zgjerohen më tej blerjet e aseteve.

Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Stephen Poloz, i cili do të pasohet nga Tiff Macklem në 3 Qershor, ka pohuar që dëmi i bërë nga pandemia globale mund të mos jetë aq i madh sa mendohej.

Kësisoj, duket se politikëbërësit dhe tregjet financiare mbeten optimistë dhe sipas tyre kriza e tanishme është vetëm një krizë që po godet nga kufizimi i përkohshëm i konsumit, çka do të thotë me fjalë të tjera se do ta lejojë ekonominë të kthehet përsëri në rritje pasi të hiqen kufizimet.

Pavarësisht prirjeve optimiste, pritet qe përkeqësimi në tregun e punës të jetë shumë më i vazhdueshëm dhe rikuperimi do të jetë shumë më i ngadaltë e do të kërkojë më shumë kohë.