Ekonomi

Kanada, vazhdon rritja e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor për shkak të COVID - Nga Armando Mosho

  • Published in Ekonomi

Armando Mosho - Mississauga

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot (30 Nëntor 2020) numri dy i qeverisë, Ministrja e Financave të Kanadasë Chrystia Freeland bëri një prezantim të situatës financiare në vend. Fokusi i kësaj konference ishte kryesisht tek impakti që Covid 19 ka pasur mbi ekonominë kanadeze dhe deficitin buxhetor të krijuar nga kjo situatë si dhe masat që do të vazhdojë të ndërmarrë qeveria kanadeze edhe pas vendosjes nën kontroll të Covid 19.

Deficiti buxhetor i Kanadasë parashikohet të mbërrijë në nivelin rekord prej 381.6 miliardë dollarë kanadezë në ndihmën emergjente COVID-19.

Tek kjo shumë pritet të përfshihet një tjetër stimul i qeverisë federale që planifikon të injektojë edhe 100 miliardë dollarë të tjerë për t'u përdorur pasi virusi të jetë vendosur nën kontroll. Parashikimi i deficitit buxhetor është 11.2% më i lartë sesa parashikimi që ishte bërë gjatë muajit Korrik 2020. Rishikimi me rritje i deficitit buxhetor ka ardhur kryesisht për shkak të shpenzimeve të rimëkëmbjes emergjente që kanë qënë në nivelin e 25.1 miliardë dollarë.

Nga ana e qeverisë federale kanadeze është vendosur që totali i borxhit federal të kalojë mbi nivelin e 1.12 trilionë dollarë deri në fundin e vitit 2020.

"Ne po jetojmë një vale të dytë shumë të egër të Koronavirusit dhe mendoj se të gjithë e dimë se dimri do të jetë i vështirë", deklaroi Chrystia Freeland. “Ne kemi një plan për të kaluar dimrin, ne kemi një plan për të siguruar vaksina për kanadezët dhe ne kemi një plan për të ndërtuar ekonominë tonë përsëri. Kanada ka shpenzuar 1 miliard dollarë në marrëveshjet e vaksinave për të siguruar 429 milion doza nga shtatë kandidatët për prodhimin e vaksinave. Kanada ka shpenzuar 322 miliardë dollarë kanadezë në mbështetje të drejtpërdrejtë për COVID-19 deri më tani. Sapo virusi të jetë nën kontroll”, pohoi kreu i Finanacave, “qeveria e udhëhequr nga Liberalët do të investojë deri në 100 miliardë dollarë për tre vite për të ‘filluar’ rimëkëmbjen e ekonomisë kanadeze”.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Freeland vuri theksin gjithashtu te angazhimi i qeverisë Trudeau për të siguruar mbështetje fiskale derisa ekonomia të kthehet në rrugën e duhur. Gjithsesi, masat e propozuara do t'i nënshtrohen një votëbesimi dhe në rast të një vote kundër qeveria në minorancë mund të rrëzohet, por gjasat që kjo të ndodhë janë thuajse inekzistente, sepse asnjëra nga partitë nuk duket se është e interesuar të provokohen zgjedhje të parakohshme tani. Skenari më i mundshëm për këtë mbetet pranvera e 2021.

Ndërkohë disa nga stimujt e programit financiar në vazhdim përfshijnë një shumë prej 20 milion dollarësh për të mbështetur hartimin dhe zbatimin e një programi kombëtar të kujdesit për fëmijët, së bashku me mbështetjen më të drejtpërdrejtë për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme me fëmijë të vegjël, duke filluar që këtë vit. Qeveria kanadeze gjithashtu do të shpenzojë më shumë se 3 miliardë dollarë për 10 vjet për të mbjellë dy miliardë pemë dhe 2.6 miliardë dollarë të tjerë për shtatë vjet për t’i ndihmuar kanadezët që t'i kenë shtëpitë e tyre më efikase nga pikpamja e konsumit të energjisë.

Stimuli shtesë do të ndërpritet pasi të jetë rimëkëmbur ekonomia dhe në ketë pikë Kanadaja do të rifillojë të ecë një "rrugë fiskale të kujdesshme dhe të përgjegjshme", theksoi gjithashtu Ministrja e Financave. Gjatë fjalimit nuk u përshkrua ndonjë afat konkret për këtë, por u premtua që kjo do të ndodhë vetëm pasi "ekonomia të jetë bërë më e qëndrueshme". Masa e borxhit federal në raport me PBB parashikohet të arrijë deri tek niveli 50.70% në 2020-21, nga 49.10% që ishte parashikuar në Korrik 2020, dhe per të arritur kulmin prej 52.60% në vitet 2021-22, dhe më pas do të bjerë në vitet në vijim në terma afatmesme.