Sanksionet kundër Moskës: cilët janë interesat ekonomikë të Kanadasë? - Nga Gérald Fillion
- Published in Ekonomi

Gérald Fillion Radio-Canada
Pa vënë në pikëpyetje angazhimin e madh të Kanadasë për paqen dhe ndalimin e sulmeve ruse në Ukrainë, nuk mund të nënvlerësohen interesat ekonomikë të vendit në këtë konflikt. Në fakt, sanksionet ekonomike dhe tregtare kundër Rusisë mund të kenë efekte të rëndësishëm në ekonominë kanadeze.
Gruri
Merrni si shembull çmimin e grurit, që arriti në 12 dollarë amerikanë për bushel, një rekord ky që nga viti 2008. Rusia është prodhuesi i tretë më i madh në botë i grurit, pas Kinës dhe Indisë, me 85 milionë tonë të prodhuar në vit. Kanadaja është prodhuesi i shtatë me një kontribut prej 30 deri në 35 milionë tonë grurë në vit. Ukraina është në vendin e nëntë me 26 milionë tonë.
Embargoja e importeve të grurit nga Rusia, bllokimi i aktiviteteve detare të anijeve ruse, pezullimi i aktiviteteve në portet e Rusisë dhe Ukrainës dhe paaftësia e mundshme e fermerëve ukrainas për të realizuar pritshmëritë e prodhimeve të tyre këtë vit, do nxisin akoma më tej çmimet e larta, po ashtu shtimin e tregjeve për Kanadanë.
Si të zëvendësohen rreth 100 milionë tonë grurë nga Rusia dhe Ukraina? A mundet Kanadaja të prodhojë më shumë dhe të eksportojë më shumë grurë në botë? Me rritjen e çmimeve, a mund të jenë në gjendje kultivuesit kanadezë të investojnë më shumë në farëra, plehra kimikë dhe pajisje, për të rritur pjesën e tyre të tregut?
Çmimet më të larta të grurit, farërave dhe potasit mund të avantazhojnë gjithashtu disa prodhues kanadezë. Nga ana tjetër, ky inflacion mund të dëmtojë prodhuesit e tjerë, të cilët do duhet të paguajnë shumë më tepër për të ushqyer kafshët dhe për të mbjellë farërat e tyre. Sigurisht, fatura do t'u kalojë konsumatorëve: çmimet e ushqimeve, në restorante dhe në dyqanet ushqimore, do të rriten edhe më shumë.
Alumini
Çmimi i aluminit tejkaloi 3,700 dollarë për ton, niveli më i lartë i të gjitha kohërave. Pas Kinës (57% e tregut botëror) dhe Indisë (5.5%), Rusia është prodhuesi i tretë më i madh i aluminit në botë (5.5%). Kanadaja është në vendin e katërt (4.8%).
Rusia është vendi që eksporton pjesën më të madhe të prodhimit të saj. Thënë kështu, që nga pushtimi i Krimesë në 2014 dhe sanksionet ekonomike të vendosura në 2018 ndaj Oleg Deripaska, pronar i kompanisë ruse Rusal, prodhuesi i dytë më i madh i aluminit në planet, pjesa e tregut botëror të mbuluar nga Rusia në sektorin e aluminit ra nga 25 në 5.5%.
“Pra, sot, ne mund të supozojmë se përfundimisht Rusia do t'i afrohet zeros, sepse është e vështirë të kuptohet se si dikush do të hynte në një marrëdhënie kontraktuale për të blerë metal rus”, më deklaroi Jean Simard, president dhe CEO i Shoqatës së Aluminit të Kanadasë, në emisionin tim Zona Ekonomike, mbrëmjen e së enjtes (03.03.).
Të mos harrojmë gjithashtu, që duhen dy tonë alumin bruto për të fabrikuar një ton alumin për konsum. Aktualisht, me sulmin ushtarak të Rusisë, rafineria Nikolaev në Ukrainën Jugore, alumini i së cilës eksportohet në Rusi, ka pezulluar aktivitetin.
Konflikti aktual mund të bëjë që Rusia të zhduket nga tregu botëror i aluminit në dobi të Kinës, por kjo mund të sjellë përfitim ndoshta edhe për prodhues të tjerë në botë, veçanërisht për nëntë uzinat e shkrirjes së aluminit në Québec. Ato do të përfitojnë nga kjo, jo duke shtuar prodhimin, sepse ne tashmë po prodhojmë me afro 95% të kapacitetit të fabrikave tona, por sepse çmimi do të mbetet shumë i lartë”, shpjegoi Jean Simard.
Hidrokarburet
Çmimi i naftës është rritur me 100 dollarë në Kanada gjatë javës së kaluar dhe iu afrua 120 dollarëve për fuçi në Londër të enjten. Edhe çmimi i gazit natyror po arrin nivele rekord. Kjo rritje e çmimeve të energjisë po rindez debatin në Kanada për ndërtimin e tubacioneve të reja për të transportuar më shumë gaz dhe naftë nga Perëndimi në Lindje dhe Jug, veçanërisht në tregjet e reja të eksportit.
Është jashtëzakonisht e pamundur që projekti i transportit të naftës Energy East ose ndërtimi i një terminali gazi në Saguenay, projekti LNG Québec, të ringjallen. Megjithatë, duke pasur parasysh reduktimin e mundshëm të eksporteve ruse, duhet parashikuar që vendeve evropiane do t’u duhet të gjejnë burime të reja furnizimi.
Rusia, duhet mbajtur mend, është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite. Është gjithashtu prodhuesi i dytë më i madh në botë i gazit natyror. 25 deri në 40% e energjisë së konsumuar nga Evropa vjen nga Rusia.
Kryeministri Trudeau është treguar i hapur për të përmbushur një kërkesë të mundshme për energji nga Evropa. Pavarësisht angazhimit të Kanadasë për të reduktuar emetimet e gazrave me efekt serrë dhe për të orientuar sektorin e saj të hidrokarbureve drejt një tranzicioni energjetik, duket se qeveria është e hapur, sëbashku me Shtetet e Bashkuara, për të furnizuar me më shumë naftë dhe gaz Evropën.
Megjithatë, çdo gjë mbetet ende e paqartë. Justin Trudeau nuk iu përgjigj qartë thirrjes së Konservatorëve, të cilët janë zëdhënësit e kryeministrit të Alberta-s, Jason Kenney, në favor të ndërtimit të tubacioneve të reja. Ai nuk iu përgjigj qartë as Bllokut Québécois, i cili i kërkoi të mos vazhdonte me ndërtimin e infrastrukturës së re për transportin dhe eksportimin e hidrokarbureve.
Mbetet gjithsesi e pamohueshme që Kanadaja ka një interes të madh ekonomik në këtë kontekst. Të ardhurat nga nafta dhe gazi janë të larta në Kanada dhe retorika e qeverisë synon të promovojë sigurinë energjetike të Evropës, pavarësisht shqetësimeve mjedisore që ngre ky debat. Me çmime rekord, interesi financiar dhe tregtar duket se ka përparësi ndaj emergjencës mjedisore.
Druri
Ekziston edhe industria e drurit e cila mund të përfitojë nga embargoja ndaj produkteve ruse. Në vitin 2017, sipas statistikave të qeverisë, Kanadaja përbënte 30.5% të eksporteve të drurit të përpunuar në mbarë botën, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Kinë dhe Japoni. Rusia doli e dyta me një përqindje prej 13.9%.
Kanadaja përbënte gjithashtu 33.5% të vlerës botërore të eksporteve të letrës që përdoret për printimin e gazetave. Rusia doli e dyta me një përqindje prej 10.3%. Për më tepër, sa i takon paneleve strukturore të drurit (OSB), Kanadaja ishte e dyta pas Kinës në 2017, me 11.9% të vlerës globale të eksportit. Rusia ishte e katërta me 7.1%.
Në vitin 2018, sipas Forestry Production and Trade, Rusia iu bashkua Kanadasë në prodhimin dhe eksportin e lëndës drusore të përpunuar. Rusia ka katërfishuar eksportet e saj të drurit gjatë dy dekadave të fundit.
Edhe një herë, a mund të përfitojnë prodhuesit kanadezë të lëndës drusore nga një treg që do të hapej përfundimisht, domethënë, një treg ku Rusia tashmë nuk do të ishte në gjendje të kishte akses?
Sipas Këshillit të Industrisë Pyjore të Quebec (CIFQ), me reduktimin e eksporteve ruse, prodhuesit evropianë mund të favorizojnë tregun e tyre në dëm të tregut amerikan. Pikërisht për Shtetet e Bashkuara, pylltarët kanadezë mund të rrisin eksportet e tyre për të kompensuar reduktimin e importeve të drurit evropian në Shtetet e Bashkuara.
Për më tepër, Kina mund të importojë më shumë lëndë druri nga Rusia (ajo aktualisht merr 66% të eksporteve ruse), gjë që do ta bënte tregun kinez më konkurues dhe, ndoshta, më të mbyllur ndaj prodhuesve nga British Columbia.
Për të përfituar nga një rritje e eksporteve, qeveria e Québec duhet të vërë në dispozicion një volum shtesë lënde drusore. Vlerësohet se katër milionë metër kub shtesë mund të bëhen gati në një afat të shkurtër pa tejkaluar kufirin e lejuar të prerjes në këtë provincë. Me këtë shtesë mund të prodhohen mbi një miliard këmbë (feet) sipërfaqe, çka do të mbushte një pjesë shumë të madhe të boshllëkut të krijuar nga evropianët.
Politika aktuale e Kanadasë është të marrë pjesë në përpjekjet globale për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë duke i shkaktuar sa më shumë dëme ekonomisë së Rusisë, pa u angazhuar në ndërhyrje ushtarake. Megjithatë, nuk mund të nënvlerësohen interesat ekonomike të Kanadasë në raport me rikonfirgurimin e modelit tregtar botëror që po evoluon dita ditës.
Burimi: Radio-Canada
Shqipëroi: Flasshqip.ca
Në foton kryesore Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Tiff Macklem.
Foto: The Canadian Presse/Justin Tang











