Kanada - Shitjet e shtëpive në nivelin më të ulët në 5 vjet
- Published in Ekonomi

- Nga: Greg Quinn/Bloomberg News
Si pasojë e rregullit hipotekor “dëm kolateral”, shitjet u ulën në 60 për qind të të gjitha tregjeve, kryesuar nga Fraser Valley (BC), duke u ndjekur nga Calgary, Ottawa dhe Montreali.
Shitjet e shtëpive në Kanada ranë në shkallën më të ulët për një periudhë më shumë se pesë vjeçare në muajin prill 2018, pasi rregullat shumë të ashpra të kualifikimit për kredi penguan blerësit.
Numri i shtëpive të shitura muajin e kaluar ka rënë 2.9 përqind nga marsi, u deklarua nga Shoqata Kanadeze e Pasurive të Patundshme (CREA) të martën në Ottawa. Rëniet u regjistruan në rreth 60 për qind të qyteteve duke përfshirë Vancouver, Calgary, Toronto dhe Montreal.
Ishte një fillim zhgënjyes për sezonin e ngarkuar të shitjes së pranverës për agjentet e shitblerjes që tregon se tregjet ende po luftojnë me rregulla shumë të ashpra që kërkojnë nga huamarrësit të provojnë se janë në gjendje të përballojnë norma më të larta interesi.
Krijuesit e politikave së bashku me hapa të tjerë, bënë ndryshime për të frenuar një rritje të çmimeve siç ndodhi vitin e kaluar, gjë që frikësoi shumë individë se ky mund të ishte një rrezik për sistemin financiar.
Rënia që shitjet pësuan në muajin prill, është rënia e tretë mujore gjatë këtij viti, duke u ulur 20 për qind që nga dhjetori. Rregullat e reja të kualifikimit të kredive u vunë në zbatim në 1 Janar.
"Testi i stresit” i këtij viti, ka ulur aktivitetin e shitjeve dhe ka destabilizuar balancën e tregut, për tregun e banesave në Alberta, Saskatchewan dhe Newfoundland", shkruante në raport ekonomisti i CREA, Gregory Klump. "Ky është pikërisht dëmi kolateral për te cilin CREA paralajmëroi qeverinë."
Edhe me uljen e shitjeve, çmimet vazhdojnë të mbesin aty ku ishin. Indeksi i referencës u rrit 0.6 për qind në muaj dhe është 1.5 për qind më shumë se një vit më parë. Gjithashtu numri i shtëpive të reja të listuara për shitje ra 4.8 për qind në muajin Prill.
Burimi: business.financialpost.com
Përgatiti: Ariola Mani