Fëmijët

Mbi të papriturën që bie si rrufe nga planeti Pluton

  • Published in Fëmijët

 

Kapitulli 10- Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të kuq”

nga Bedri Dedja

Presidenti i Planetit të Kuq na kishte qenë njeriu më i çuditshëm në gjithë sistemin diellor. Pasi kalamajtë-shkencëtarë pushuan një çerek ore dhe pinë nga një kafe marsiane, presidenti u tha:

-Tani do të nisim mësimin e dytë mbi sekretet dhe satelitët e Jupiterit…Ky mësim nuk është me fjalë dhe me ilustrime. Me shkumës në dërrasë të zezë apo me fletore e mbajtje shënimesh. Ky mësim është praktik dhe do të zhvillohet në terrenin kozmik. Pra, kush është trim që të vijë me mua? Anija kozmike “X=Jupiter-2” është gati për t’u nisur.

Kalamajtë shkencëtarë në fillim e humbën pak pusullën nga kjo e papritur, por sapo morën frymë dy-tri herë erdhën në vete.

-Unë jam gati!-tha profesor Kriosi.

-Edhe unë jam gati!-tha Teodor Metalori.

-Edhe unë!

-Edhe unë!

Këto fjalë u dëgjuan nja njëqind herë. Vetëm një kalama, i njëqind e njëti dhe i fundit tha:

-Edhe unë….jam…gaaaati, vetëm më lini sa t’i marr leje mamit tim.

Pas këtyre fjalëve, kozmosi ushtoi nga të qeshurat e kalamajve-shkencëtarë. Kur pushuan të qeshurat, të cilat sipas të dhënave të stacioneve kozmike sizmiologjike të sistemit diellor kishin bërë të dridheshin si në kohë tërmeti Marsi, Toka dhe Jupiteri, presidenti u tha kalamajve-shkencëtarë që para nisjes të shikonin në ekran satelitët e këtij të fundit. Satelitët do të vizitoheshin gjatë ekspeditës.

Në ekran u shfaq madhështor Jupiteri: ngjyrë portokalli, me pikën e madhe të errët në sipërfaqe në madhësinë e një kokrre lajthie. Rreth tij silleshin gjithë ata satelitë në përmasat e saçmeve të fishekut të çiftes së gjahut. Ca vraponin nga e majta, ca nga e djathta. Me miliona kilometra larg njëri-tjetrit.

-Shikoni, o kalamaj-shkencëtarë! Këta që rrotullohen më afër janë katër satelitë. Ata i ka zbuluar nga Toka që në vitin 1610 shkencëtari i madh Galileo-Galilei, i cili i ka pagëzuar sikur të ishin kalamajtë e tij katërnjakë. Të parin ai e quajti “Io”, të dytit i dha emrin “Europa”, të kontinentit ku kishte lindur vetë, të tretit “Ganimede” dhe të katërtit “Kalisto”. Pastaj vijnë dy grupe satelitësh, pesë që rrotullohen majtas dhe shtatë që rrotullohen djathtas e që të duket sikur janë dy skuadra basketbolli, që luajnë me njëra-tjetrën. Ne do të zbresim me anijen tonë në të gjithë këta satelitë. Do të na duhet të zbulojmë sekretin e Jupiterit dhe të mbrojtjes së tij nga mafia kozmike. Ne duhet t’i mbrojmë pasuritë e Jupiterit dhe t’i vëmë ato në shërbim të sistemit tonë diellor…Kaq kisha për t’ju thënë. A jeni gati të nisemi, o kalamaj-shkencëtarë? Kaloni në rresht për tre nga ky korridor dhe dilni në fushën e kozmodromit të nëndheshëm të Marsit!- i drejtoi presidenti.

Oh ç’mrekulli që ishte aty! Një anije gjigande kozmike rrinte gati për t’u nisur në fluturim përmes një tuneli që të nxirrte drejtpërdrejt në qiellin e Marsit. Ndriçimi i llambave neon të kozmodromit të përkëdhelte sytë. Silueta ngjyra-ngjyra e anijes dukej si një shqiponjë gjigande, gati për të kapur me kthetrat e saj çdo gjarpër të zjarrtë të mafies kozmike që mund të livadhiste në hapësirë për të penguar misionin e presidentit të Planetit të Kuq.

Grupi i madh i kalamjave-shkencëtarë u rreshtua para anijes kozmike. Nga porta e saj doli komandanti i ekuipazhit të drejtimit. Duke i raportuar presidentit me qëndrim ushtarak, ai tha:

Presidenti ynë i dashur! Anija kozmzike “X=Jupiter-2” është gati për nisje. Ekuipazhi pret urdhrat tuaj.

Duke ndjekur nga pas presidentin, kalamajtë-shkencëtarë hynë në anije. Një çast u fikën dritat. Më pas shpërtheu një si vetëtimë dhe për tri-katër sekonda anija doli nga tuneli nëntokësor dhe u sul drejt kozmosit.

Në skaj të sistemit diellor, mbi planetin Pluton, u dëgjuan valët e një radioje të panjohur, e cila komunikoi më afër: “Bëhuni gati të kollofitim një goxha anije të majme në kufirin e galaktikës sonë!” ( vijon..)

©Flasshqip.ca