Fëmijët

Operacioni 'Mjekra e Zezë'-nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kreu 15

Operacioni “Mjekra e Zezë”

Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”

Nga Bedri DEDJA

Pas zbulimit të dokumentit sekret të gjendur në satelitin Kalisto, për presidentin e Planetit të Kuq nisi një vit i vështirë. Një vit kur ai nuk pa as pranverë, as verë dhe as vjeshtë. Vetëm dimër dhe borë. Borë, borë, borë!...

Presidentit iu mbush koka me flokë të bardhë. Të dukej se edhe mbi kokën e tij binte borë. Një ditë prej ditësh ai nxori një dekret me katër pika:

  1. Të krijohet dhe të mblidhet Këshilli Shkencor i Marsit.
  2. Të lidhen marrëdhëniet diplomatike me Tokën dhe të hapet atje ambasada e Planetit Mars.
  3. Të krijohen forcat speciale të komandove marsiane dhe të stërviten për luftë në hapësirën kozmike.
  4. Të ndërtohet një anije e madhe kozmike për njëmijë trupa luftarake, e pajisur me raketa ofensive kundër gjarpërinjve të zjarrtë.

Në dekret nuk thuhej asnjë fjalë për rrezikun që kërcënonte systemin diellor dhe banorët e dy planeteve-Tokës dhe Marsit.

Ky dekret nuk u botua as në gazetën zyrtare dhe nuk u transmetua as në radio e as në television.

Përmes valëve zanore, dekreti iu lexua me zë të ulët në vesh të gjithë marsianëve nga mosha pesë vjeç e lart. Marsianët filluan të pyesnin veten: “Çfarë po ngjet? Çfarë po ngjet?” Të gjithë ranë në mendime, por asnjë nuk foli. Ata kishin një zakon të mirë, nuk bënin alarm as në kohë rreziku.

Po ç’ndodhi pastaj?

Presidenti mblodhi Këshillin Shkencor të Marsit. Akademikët me mjekra, profesorët pa mjekra. Doktorët e shkencave me flokë e pa flokë. Inxhinierët me skica nëpër duar e me formula në kokë. Teknikët dhe sekretarët. Në takim u fol shumë gjatë dy ditëve e dy netëve. Pa bërë pushim asnjë minutë. Se çfarë u tha në këtë mbledhje, përveç presidentit, akademikëve me mjekra, profesorëve pa mjekra, doktorëve të shkencave me flokë e pa flokë, inxhinierëve me skica në duar dhe formula në kokë, teknikëve dhe sekretarëve, asnjëri nuk mori vesh gjë.

Drejt planetit Tokë u nis ambasadori i planetit Mars.

Të nesërmen trupat komando filluan stërvitjen në hapësirën kozmike.

Në uzinën kryesore të kryeqytetit Marsmrekullia, nisi ndërtimi i anijes gjigante kozmike për një mijë trupa luftarake, e pajisur me raketa ofensive kundër gjarpërinjve të zjarrtë të mafies kozmike.

Si vazhdon historia më tej?

Ngjarjet rrodhën njëra pas tjetrës, prandaj dhe unë do t’i tregoj sipas rradhës:

Një ditë prej ditësh në Mars mbërriti edhe ambasadori i Tokës. Ai u takua me presidentin e Planetit të Kuq dhe e njoftoi se Toka, si aleate, do të dërgonte një superanije kozmike me dy mijë komando të armatosur gjer në dhëmbë me raketa. Ajo priste vetëm lajmin nga Marsi për t’i nisur këto forca. Kur u dha lajmi, superanija e Tokës u nis dhe u pozicionua gati për mbrojtje, si satelit i Marsit.

Por ngjarja më e pakuptueshme në prag të sulmit “Mjekra e zezë” ishte nisja nga kozmodromi nëntokësor i Marsit i një anijeje të vogël kozmike, që ngjante me një meteorit dhe shkëlqente si argjendi. Ajo mori drejtimin për në satelitin Europa të Jupiterit, nga ku mund të shihej hapësira kozmike midis tij dhe Marsit si dhe të kontrollohej sateliti Kalisto. Kjo anije e vogël kozmike ishte pa emër. Në planin e kundëroperacionit mbrojtës “Mjekra e zezë”, presidenti shënoi vetëm emrin e profesor Kriosit. Pra, asnjeri tjetër nuk mori vesh nëse kjo anije kishte këtë emër apo se profesor Kriosi ishte komandant i saj. Mundet edhe kështu. Mundet edhe ashtu. Në planin e kundëroperacionit thuhej se kjo anije kishte një kod valësh elektromagnetike sekret dhe mund të merrej vesh vetëm me presidentin e Planetit të Kuq nëpërmjet pikave dhe presjeve:

.,.,.,.,.,.,., ose ,,.,,.,,.,,..

Kur erdhi nata e Vitit të Ri në Mars, pas 687 ditëve të vitit tokësor, në Tokë po përgatiteshin të festonin pas një muaji e pak një vit të ri të dytë. Në Mars atë natë trokitnin gotat rreth tryezës, kurse në Tokë blinin gjela deti dhe mendonin se ku do ta kalonin festën këtë vit. Kur në Mars ra ora 12 e 37 minuta e 27 sekonda e gjysmë në mbarim të vitit, në Tokë kishin kaluar një natë e Vitit të Ri dhe 322 ditë të vitit tjetër.

Ditën e parë të Vitit të Ri marsian kundëroperacioni mbrojtës “Mjekra e Zezë” ishte gati për sulm mmbi gjarpërinjtë e zjarrtë në hapësirën kozmike midis Jupiterit dhe Marsit. Shtabi i Përgjithshëm kishte zënë vend në satelitin Kalisto. Anija kozmike pa emër me pamje të një meteoriti, që më në fund u mor vesh se drejtohej nga profesor Kriosi, vëzhgonte duke ardhur rreth e rrotull satelitit Europa.

Në këto çaste shkëlqeu dhe talenti i tij prej shkencëtari. Gjatë qëndrimit në Mars, profesor Kriosi nuk e kishte lënë mendjen e vet pa punuar. Kishte shpikur një aparat, i cili me anë të rrezeve SKOKF bënte fotografimin e pjesës së pasme të kokës në çdo lloj largësie.

Sapo forcat ushtarake të mafies kozmike u vendosën në pozicione luftimi, Kriosi fotografoi pjesën e pasme të kokës së komandantit të tyre të përgjithshëm, të një oficeri dhe të një ushtari.

Në Mars ulëriu aparati i komunikimit kozmik të presidentit. Mbi ekran, në një shirit të bardhë u dukën shenjat: .,.,.,.,.,.,.,.,.,.,etj, etj,

Presidenti i Planetit të Kuq hovi më këmbë nga gëzimi.

-Lajme të mira! Lajme të mira! Robotis! Robotis!

-As akademikët me mjekra, as profesorët pa mjekra, as doktorët e shkencave me flokë e pa flokë, inxhinierët, teknikët dhe sekretarët nuk e kuptuan se ç’donte të thoshte presidenti aq i gëzuar.

- Të presim! Të presim!

Të gjithë heshtën dhe po prisnin.

Kriosi vazhdoi të transmetonte në aparat:

.,.,.,.,.,.,.,.,.,.,.,.,.,.,.,,…,.,.,.,etj, etj.

-Po, po…kuptoj, kuptoj! …Lajme të mira, lajme të mira!...Koka, koka me çelës prapa!..Robotis!...Çelësi me katër funksione? Po, po..kuptoj, kuptoj!...Çelësi lart-luftë; çelësi djathtas-vigjilencë; majtas-zjarr pa pushim; çelësi poshtë-robotis fle. Lajme të mira! Lajme të mira!

Nga gëzimi për lajmet që mori, presidenti shtroi një drekë të pasur për akademikët me mjekra, profesorët pa mjekra, doktorët e shkencave me flokë e pa flokë, inxhinierët, teknikët dhe sekretarët. Secili kishte pesë tableta përpara: një me supë zarzavatesh nga të gjitha llojet, një me mish kaprolli, një me byrek me lule lakër, një me sallatë frutash dhe një me katër lloje akulloresh.

Kur dreka po i afrohej fundit, u dëgjuan përsëri sinjalet që dërgonte Kriosi përmes aparatit të komunikimit kozmik: .,.,.,.,.,.,.,.,.,,,.,,.,.

Operacioni: “Mjekra e Zezë” ishte shpartalluar. Kriosi dhe shokët e tij ua kishin kthyer çelësin pas kokës në drejtimin poshtë të gjithë robotëve dhe ata kishin ngrirë në gjumë. Po kështu edhe robotëve të shtabit në satelitin Kalisto. Superanijen kozmike me gjithë robotët robër e kishin drejtuar në Mars.

.,.,.,.,.,.,.,,.,,.,

-Çfarë do të bëjmë me robotët robër?-pyeti Kriosi nga anija e tij e vogël.

-Nuk do t’i dënojmë duke i çuar në uzinë për t’i shkrirë, por do t’i ushtrojmë për të punuar në bujqësi,-iu përgjigj presidenti.

Në ato çaste, kur dy anijet kozmike i ishin afruar Marsit dhe kishin hyrë në orbitën e tij si satelitë, u shfaq një pamje e mrekullueshme…

Me miliona kilometra larg, u duk lindja e diellit. Kozmosi me ngjyrë të errët blu sikur u prarua me një napë të qëndisur me fije ari. Kjo napë e hollë u duk sikur ra edhe në fytyrën e Kriosit dhe e ndriçoi atë. Sytë e tij vezulluan. Rreth pesëdhjetë e gjashtë milionë kilometra larg ai pa se si u ndriçua gjysma e Tokës.  Nën këtë ngjyrim kishte lindur dita e re dhe njerëzit me siguri ishin ngritur shtrati dhe po freskonin fytyrën me ujë.

Ai ndjeu se e kishte marrë shumë malli për Tokën dhe nga buzët i rrëshqitën disa fjalë e gjysmë zëri:

-Mirëmëngjes, Tokë e dashur! Ne e ruajtëm qetësinë tënde dhe të Marsit. Tani që ti u zgjove, ne do të shkojmë të marrim një sy gjumë...  (vijon)

©FlasShqip.ca