Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 15) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kacimicrri kërcen vallen braziliane lambada.

Ç’është kjo lambada[1]? Ç’është kjo lambada?

Fluturimthi nga stadiumi i Meksikës për në Brazil. Në Brazil, drejt e në qytetin e njohur të Rio de Zhaneiros. Babushi i kishte treguar Kacimicrrit se emri i këtij qyteti mund të përkthehej në shqip “lumi i janarit“, mbasi marinarët e flotës portugeze e kishin zbuluar për herë të parë në 1 janar të vitit 1502.

  • Babush, arrita në Brazil.
  • Bukur!
  • Po, shumë bukur!
  • A e di ti Kacimicërr që Brazili është vëndi i katërt më i madh i botës?
  • Bo-bo-booo! Ç’pyje paska Brazili!
  • Dëgjo, Kacimicërr ! Përpiqu një herë, se mos mban ndonjë fjalim në atë konferencën e gjithë shteteve për të mos u bërë bota pis… aty në Rio de Zhaneiro. Konferenca quhet Brazili-92[2]. Ti mos u trego atyre se Tirana sot është plot e përplot me plehra… e se tani del më shumë tym nga djegia e plehrave se sa nga oxhaqet e fabrikave dhe uzinave…

Më pas, babushi kishte vazhduar. A e di ti Kacimicërr, si ka qënë më parë Brazili ? Po serialin televiziv “Skllavja Izaura“[3], a e mban mënd? Të kujtohet sa shumë vuanin skllevërit zezakë ? Padronët e tyre të bardhë i rrihnin dhe i torturonin sipas qejfit se thonin se i kishin blerë me para. Po a mund të blihet njeriu me para ? Pse, lodër është ai që të shitet e të blihet në dyqan ? Por sot brazilianët kanë turp ta kujtojnë atë kohë. Kanë kaluar më shumë se njëqind vjet që nuk ka më as skllavëri, as padronë mizorë e as skllevër zezakë… Por ama, ka ende fise braziliane që jetojnë nëpër çeltina pylli ose në barraka të mëdha, të gjithë së bashku. Brazili nuk është vetëm ai qyteti i madh që sheh ti, me shtëpi rrokaqielli dhe me plazhe të bukur, mbushur me vizitorë nga e gjithë bota. Nuk është as ai qyteti tjetër i madh me emrin San Paolo, ku jetojnë njëzet e shtatë milionë brazilianë e as qyteti përrallor Brazilia, që ndodhet përtej pyjeve të dendur, andej nga perëndon dielli…

Një pjesë e mirë e Brazilit është e mbuluar me pyje të mëdha e të dëndura, me madhësi sa gjysma e Evropës. Ato quhen pyjet e Amazonisë dhe janë pyjet më të mëdha tropikale që ka globi tokësor. Atje kalon edhe një lumë që me sa di unë, është lumi më i gjatë në botë. Në pyjet e Amazonisë ka pemë, bimë e kafshë të panumërta, me emra e forma nga më të çuditshmet. Kaq shumë gjelbërim dhe ajër të pastër kanë ato pyje, kaq shumë përrenj me ujë të kulluar, sa që njerëzit e gjithë botës i quajnë ato “mushkria e gjelbër e planetit“, ashtu si oqeanet që janë “mushkria e kaltër“ e tij.

Kacimicrri i hodhi sytë nga të katër anët. Vështroi e çfarë nuk vështroi. Pallatet e Rio de Zhaneiros dukeshin njëlloj, si ato kodrat përreth, me nga një majë e nga një shesh, si taracë përsipër. Njerëzit bënin banjo dielli edhe nëpër ballkone. Kalamajtë loznin në rërë me topa të mëdhenj ngjyra-ngjyra e rripa-rripa. Pastaj futeshin në det për t’u larë. Po ç’det ishte ai ? Nuk ishte det, po oqean. Dhe emrin e kishte Oqeani Atlantik. Aq shumë i gjatë ishte ky oqean sa fillonte nga këmbët e mbaronte te koka e globit. Po t’i hypje një anije këtu në breg dhe të lundroje e të lundroje andej nga lind dielli, mund të shkoje o në Afrikë, o në Australi.

Vështro andej e vështro këndej. Kur sapo dielli nisi të perëndojë, Kacimicrri pa në majën e një kodre të lartë-të lartë si piramidë një monument madhështor. Ky monument ngjante si njeri dhe ndriste si flori. Kacimicrri fërkoi sytë. Ç’ishte kjo mrekulli?

U fut në avion. Shkeli sustën për të fluturuar ngadalë, si pulëbardhë dhe i ra monumentit rrotull e rrotull. Afrohej dhe afrohej. Kur ç’të shikonte? Ai ishte Jezu Krishti që lëshonte rreze mbi njerëzit dhe qytetin e madh të Rio de Zhaneiros. Afrohej dhe afrohej… Kishte pak si frikë të afrohej fare pranë. Po pastaj zemra sikur iu çlirua nga prangat. Ai kishte dëgjuar shtatëqind vjet me rradhë se perëndia, Krishti, Muhameti dhe Buda kishin zemra shumë të mëdha. Zemrat e tyre nuk dukeshin, por ato mund të nxinin edhe ujin e gjithë oqeaneve të globit. Atëhere, edhe zemra e Kacimicrrit i hodhi prangat përdhe. U ul te dora e Jezu Krishtit, në kodrat e Rio de Zhaneiros. Doli nga avioni dhe hodhi nja dy çapa në dorën e tij gjigande, e cila ishte e madhe sa Sheshi “Skënderbej“ dhe e gjatë, sa Bulevardi “Dëshmorët e Kombit“ në Tiranë. Pastaj hapi gojën dhe foli.

  • O i madhi Jezu Krisht! A më sheh mua, Kacimicrrin? Unë nuk kam qënë dhe as jam kundër perëndisë. Po ndoshta edhe kam gabuar në të kaluarën. Prandaj, a do të m’i falësh gabimet apo mëkatet, nëse i kam bërë pa dashje?

Jezu Krishti, atje në majë të kodrës, në Rio de Zhaneiro të Brazilit, nuk iu përgjigj. Kacamicrri kujtoi se nuk e dëgjoi, prandaj foli me zë edhe më të lartë.

  • O Jezu Krisht! A do të m’i falësh mëkatet e mia se edhe unë i prisha kishat në përrallat e mia, ashtu siç u prishën në gjithë Shqipërinë?!

Jezu Krishti përsëri nuk u përgjigj. Atëhere Kacamicrri u mendua dhe vendosi të thërrasë:

  • O Jezu Kriiiiiiiishhhshtttt !

Edhe herën e tretë ai nuk u përgjigj. Kacimicrri përsëri u mendua. Pastaj tha me vete: Ndoshta ai nuk flet me gojë. Ndoshta flet me sy e me zemër. I vështroi sytë. Ata, me të vërtetë, jo sikur vështronin, po sikur këndonin. Zemra e tij fliste si një murmurimë që vinte nga larg. Zemra e tij ishte e madhe sa Oqeani… si murmurimat e dallgëve të Atlantikut, atje në plazhin e Rio de Zhaneiros.

Ndoshta, ndoshta kështu ishte. Pastaj Kacimicrri u mendua për të tretën herë. Po Jezu Krishti, me sa di unë, është i dërguari i perëndisë tek ne, në tokë! Po sikur t’i flas direkt Atij ? Ku ndodhet perëndia? Me siguri, atje lart-shumë lart në qiell. Mendoi edhe një herë dhe vendosi të thërrasë.

  • O Zoooot, o perëndiiiii! A do të m’i falësh mëkatet e mia? A do ta ndihmosh Shqipërinë time? Se nuk kanë faj shqiptarët, kanë faj vetëm kokat e tyre! Ndihmoji ata se po vuajnë… Ja, ne i hapëm përsëri kishat dhe xhamitë… Shqiptarët filluan përsëri të falen për ty, o zot, o perëndi! Përgjigjmu një herë, të lutem!

Asnjë përgjigje, as nga perëndia.

  • O Zoooot, o perëndiiiii! Unë të kam lavdëruar shumë ty në Shqipëri! Të kam lavdëruar aq shumë, sa nga bota erdhën e më vunë një dekoratë në gjoks për këto lavdërime…

Asnjë përgjigje. Kacamicrri e përsëriti edhe një herë të njëjtën lutje.

  • O Zoooot, o perëndiiiii! Unë të kam lavdëruar shumë ty në Shqipëri! Të kam lavdëruar aq shumë, sa nga bota erdhën e më vunë një dekoratë në gjoks për këto lavdërime…

Përsëri asnjë përgjigje. Kacimicrri vazhdoi të thërrasë me kokën lart.

  • O Zoooot, o perëndiiiii! Ti je më i madhi që u tregon njerëzve rrugën! Ti i shpëton… Ti i mbron ! Vetëm mua, Kacimicrrin e vogël nuk më ke mbrojtur. Një ditë zbrita nga karroca dhe e vura këmbën keq në tokë. Ajo m’u ndrydh dhe mjeku ma vuri në allçi. Po ti, pse nuk më ruajte ?

Përsëri asnjë përgjigje.

Ndoshta unë nuk di të flas as me perëndinë e as me Jezu Krishtin, - tha Kacimicrri me vete, - edhe pse vij nga bota e përrallave. Mos duhet shkuar edhe një herë në Moskë, që të pyes Ivashkën e asaj përrallës se me çfarë gjuhe merret vesh me perëndinë Savaof ? Ai Ivashka nuk është budalla, siç thonë. Ai di të flasë dhe i kupton gjuhët e perëndive. Ndoshta ma tregon edhe mua atë sekret…

Kur e pa se as perëndia dhe as Jezu Krishti nuk i dhanë përgjigje, Kacimicrri, sipas porosisë së babushit, vendosi të shkojë në Konferencën Brazili-92. Ju kujtohet? Ajo konferenca e të gjitha shteteve që bota të mos bëhet pis.

Kacimicrri hyri në sallën e konferencës. Kur ç’të shikonte? Presidentë, kryeministra, ministra, akademikë, profesorë dhe shkencëtarë të tjerë, mjekë, inxhinierë, mjedisologë, sekretarë, policë e oficerë kishin ardhur në atë sallë nga të gjitha anët e botës. Kishte ardhur edhe presidenti i Amerikës, një i dërguar nga Vatikani me shumë priftërinj me vete e me njerëz të tjerë. Salla e mbushur det. Kacimicrrit iu duk vetja jo sa një gishto, por sa një komçë. Si mund të mbante fjalim ai para tyre? Megjithatë, e bëri zemrën gur dhe dërgoi një pusullë në presidium, në të cilën shkruante se dëshironte të mbante një fjalim, sipas porosisë së babushit…

Prit e prit e prit e prit. Prit e prit e prit e prit. Fjalën nuk po ia jepnin se flisnin presidentë, kryeministra, ministra, akademikë, profesorë dhe shkencëtarë të tjerë, flisnin mjekë, inxhinierë, mjedisologë, oficerë, priftërinj… Më në fund, Kryetari i Konferencës se çfarë tha, që Kacimicrri nuk e morri vesh mirë. Allbejnën, Albania. Kacimicrri hapi shpejt fjalorin dhe e kuptoi se çfarë po thuhej. E ç’po thuhej, pra? Po, Kryetari i Konferencës tha: Këtu ka një delegacion shqiptar. Ç’është ky njeri me emrin Kacimicërr nga Shqipëria që do të flasë përsëri? Ç’janë këto punë more burra dhe gra!? Këtu mezi arrijnë të flasin nga një herë shtetet e mëdha të botës, kurse ju kërkoni të flisni dy herë ! Një herë ju dëgjuam. Morëm vesh se në Tiranë kanë krijuar një ministri, e cila quhet Ministria e Shëndetësisë dhe e Ruajtjes së Ambjentit… Ç’na përrallisni tani? Vetëm fjalime dini të mbani ju? Shkoni një herë e pastroni plehrat dhe pluhurin e rrugëve që kanë mbytur Tiranën… Shkoni e pastroni Lanën në mes të kryeqytetit që të qelb me erë të keqe e pastaj hajdeni e na mbani fjalime të bukura…

Kacimicrri nuk kishte bisht. Por siç thotë fjala popullore, iku me bisht nën shalë nga Konferenca, gati si duke kërcyer vallen braziliane lambada.

Shpjegime:

[1] Lambada është një lloj vallëzimi dhe muzike nga Brazili, e njohur sidomos në fillim të viteve 1990.

[2] Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin, e njohur ndryshe si Samiti i Tokës në Rio de Zhaneiro ose Samiti i Rios, u mbajt në Brazil nga 5 deri më 30 qershor 1992, duke mbledhur 120 kryetarë shtetesh nga 189 vënde të botës.

[3]Skllavja Izaura“ është një telenovelë braziliane e vitit 1976, bazuar në romanin me të njëjtin titull (1875) të shkrimtarit Bernardo Guimarães.

(Vijon...)