Fëmijët

Presidenti i Planetit të Kuq

  • Published in Fëmijët

Roman për fëmijë - Nga BEDRI DEDJA

Kapitulli 1 dhe 2

Gjer më sot unë kam ruajtur një sekret të madh, të cilin nuk ka mundur ta zbulojë asnjeri. Madje këtë sekret nuk e dinë as gruaja ime dhe as kalamajtë e mi, njerëzit më të afërt. Mos u çuditni! Janë histori që ndonjëherë ndodhin në botë. E të gjithë këtë mbulesë të errët unë nuk e quaj as faj, as gabim. “Pandershmëri”mund të quhet kur sekretin e mbulon me egoizëm dhjetra metra nën tokë për të mos e zbuluar askush. “Ndershmëri” mund të quhet kur sekretin e nxjerr mbi tokë dhe ia tregon njerëzisë në kohën e duhur. E pra, mua më duket se erdhi koha ta zbuloj atë, megjithëse nga kjo që po them, shkencëtarëve amerikanë, rusë, kinezë, francezë etj etj,  mund t’u vijë inat. Por besoj se si shkencëtarë që janë do të më kuptojnë drejt.

***

Cili është ky sekret?

Jam shumë i bindur se mjaft njerëz e sidomos ata që merren me shkencë, nuk do të më besojnë dhe pa një pa dy do të thërrasin: “Ç’janë këto gënjeshtra! Ç’janë këto mashtrime!” Ata me siguri do të shkruajnë nëpër gazeta dhe do të flasin nëpër emisione televizive kundër meje: Gënjeshtër! Mashtrim! Ne kemi vite e dekada që punojmë dhe nuk kemi arritur aty ku duhet!..Mos i besoni këtij shkrimtari që merret me rroça-poça! Ai sheh ëndrra në diell! Ai është çmendur! Ai fluturon me presh!..”

Unë nuk mërzitem nga këto sharje e fyerje dhe as që më ha meraku të më besojnë sepse e di që me mua është i gjithë populli i kalamajve. Kalamajtë jo vetëm më besojnë por edhe më japin kurajë të vazhdoj studimet dhe eksperimentet e mëtejshme shkencore. Madje ata krenohen që unë ua kam kaluar shkencëtarëve amerikanë, rusë kinezë e francezë, etj, etj, të kozmosit. Për këtë popull kalamajsh vendosa ta zbuloj sekretin, sepse ky zbulim është vetëm pasuri e tyre dhe u shërben vetëm atyre…

***

E pra, ta dini të gjithë: unë jam i pari që kam nisur raketat ndërplanetare shumë larg përtej tokës. Raketat e mia kanë qenë të pajisura jo vetëm me aparate kozmotelevizive nga më modernet, por edhe të mbushura me njerëz të gjallë e të fortë, të cilët kanë dalë edhe nga përrallat popullore shqiptare, edhe drejtpërdrejtë nga sheshi “Skënderbej” i Tiranës.

Këta heronj bota e sotme nuk i ka njohur ende. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi sepse po vjen dita që t’i njohë. Do t’i njohë sapo romani im të dalë nga shtypshkronja dhe të ekspozohet në vitrinat e librarive ose në panairet e librave.

Pastaj përshtypjet tuaja në daç i shkruani në gazetat e Tiranës, në daç mos i shkruani.

Unë, për shkak të kontratës që kam lidhur me popullin e kalamajve, jam i detyruar të tregoj me çiltërsi se si ka nisur dhe si ka rrjedhur kjo histori. Dhe po tregoj…

 

Kreu që flet për Planetin e Kuq dhe autobusin kozmik

E po kështu nisi kjo histori…

Qyteti Sdikuisht, kryeqyteti i Republikës së Përrallave të mia, atë ditë po gumëzhinte nga gjallëria. Aty po zinte fill historia e zbulimit dhe e udhëtimit për në Planetin e Kuq.

Para shumë vitesh, në Sdikuisht ishte krijuar për herë të parë Akademia e Kozmosit. Aty mësonin shumë kalamaj që kishin dëshirë të bënin zbulime në hapësirat qiellore. Njerëzimi nuk e dinte se në Sdikuisht kishte një akademi të tillë. Por edhe ndonjë tek-tuk që e kishte dëgjuar historinë e kësaj pune, nxirrte gjuhën jashtë me tallje e thoshte me qesëndi: “Këta kalamajtë e Sdikuishtit janë mburravecë! U ngjajnë pakëz bijve të Nastradinit. Na thonë se do të zbulojnë kozmosin! E kush, ca palo kalamaj si puna e Kacamicrit, që nuk bën dot as hije mbi tokë. Një palo profesor Krisoi, i cili megjithëse po mbush trembëdhjetë vjeç, nuk peshon me gjithë trup e kokë, me gjithë rroba e këpucë, as tridhjetë kile e dyqind e tridhjetë e pesë gramë.

Akademia e Kozmosit në qytetin Sdikuisht nuk merrej me mburrka. Nxënësit e saj zhyteshin në libra thuajse gjithë ditën e ndonjëherë edhe gjithë natën. Ata merreshin me vizatime teknike. Me eksperimentime dhe ushtrime në kabina raketash kozmike. Merreshin me sport, me ski e me rrëshqitje në akull, me vrapime e not..

Kjo punë vazhdoi gjatë, gjersa erdhi dita e udhëtimit të parë në kozmos.

***

Një ditë në auditorin e mësimeve të Akademisë së Kozmosit hyri profesori i parë me emrin Krios. Ai ishte ndryshe nga ish-mbreti i pyllit dhe i kafshëve, ish-mbreti i dikurshëm i Mbretërisë së Përrallave, diktatori Shtatë Pëllëmbë Mjekra e Tri pëllëmbë Shtati, i cili i dënuar me burgim të përjetshëm, tani mbahej në një kështjellë të Sdikuishtit.

Profesor Kriosi trupin e kishte njëzet e një pëllëmbë, kurse mjekrën dy gisht, sa për lezet. Mendja e tij nuk ishte shkarpë si mendja e diktatorit, por xixë e shpuzë si e një kryedemokrati të vërtetë.

Mësimi filloi dhe professor Kriosi iu drejtua nxënësve:

-Shihni këtu në ekran! Ky është planeti Mars. Shkencëtarët përtej kufijve të republikës sonë thinë se në Mars nuk ka njerëz. Kurse unë kam bindjen se atje ka njerëz.

Dhe mësimi vazhdoi gjatë…

Tregimi i Kriosit ishte i bukur. U tha e ç’nuk u tha. U tha se planeti Mars ka ngjyrë të kuqe e nga larg duket si mollë starkinge, se është larg Tokës me miliona kilometra. Po sa miliona? Aq sa të numërosh njëmbëdhjetë herë gishtat e njërës dorë.

-Po ditë dhe natë ka atje?

-Ka, edhe ato së bashku zgjatin edhe tridhjetë e shtatë minuta më shumë se 24-orëshi në Tokë.

-Po Dielli a e ngroh Marsin?

-Pak. Temperatura më e lartë ditën është dhjetë gjer në njëzet gradë, kurse natën gjashtëdhjetë gjer në shtatëdhejtë gradë nën zero.

-Bërrrr!..Sa ftohtë qenka!-thirrën njëzëri kalamajtë e akademisë.

-Që të jetosh e të dalësh natën, atje u dashka një pallto e madhe me një kuintal lesh, një qylaf i trashë, gjyzlykë me njëzet palë xhama e galloshet e këmbëve sa putra e elefantit!-tha një nxënës shakaxhi.

Profesor Kriosi vazhdoi më tej:

-Në Mars ka pak ujë. Sikur juve t’ju teket të pini ujë njëherësh, Planeti i Kuq mbetet pa një pikë ujë. Ka pak ajër, aq sa mund të marrin frymë disa shkurre shkurtabiqe në sipërfaqe.

Një piciruk pyeti:

-Kush ia ka vënë emrin dhe a e kanë pagëzuar në kishë Marsin?

Gjithë kalamajtë ia dhanë të qeshurit, sepse e kuptuan që picirruku kujtonte se planeti Mars ishte bebe e mund të pagëzohej në kishë. Qeshi edhe profesor Kriosi. Pastaj vazhdoi të shpjegonte:

-Marsi të kujton zjarrin, prandaj romakët në lashtësi e quajtën Perëndia e Luftës siç besonin në ato kohë. Picirruku ka të drejtë, pasi edhe Perëndia e Luftës, kur ka qenë foshnjë mund të jetë pagëzuar.

-Po hënë që bën dritë natën ka atje?

-Ka dy hëna, por me emra të tjerë. Ajo që është më afër, quhet Fobos, kurse tjetra që ndodhet shumë larg, quhet Deimos,- vazhdoi profesori, -por ama atje nuk ka njerëz që të shëtitin natën nën dritën e këtyre dy hënave. Njerëzit dhe kafshët që jetojnë në Tokë, nuk mund të jetojnë në sipërfaqen e Planetit të Kuq.

-Po diktator si Shtatë Pëllëmbë Mjekra dhe Tri Pëllëmbë Shtati i “Heroizmave të Fatbardh Pikaloshit”, a ka atje?

-Atë do ta shohim me sytë tanë kur të vemi në Mars,-u përgjigj profesor Kriosi.

***

Kur mbaroi mësimi, ai iu drejtua kalamajve:

-Kush është gati të vijë me mua në Mars?

Në fillim u ngri një gisht. Pas një çerek minute edhe një gisht tjetër..E kështu, për nja dy minuta e gjysmë dolën vullnetarë nja njëzet e ca kalamaj.

Kush qenë këta?

Fatbardh Pikaloshi, tre vëllezërit e “Përrallës së rrenave”, Qerosi, Kokëfirifiu i “Një Udhëtim i Rrezikshëm” e Sokoli i “Kalamajve të pallatit tim”. Bashkë me ta noeli dhe Arbi, Musa i vogël e ca kalamaj të tjerë rusë, amerikanë, kanadezë, zviceranë, japonezë, etj.., etj.

Po atë ditë profesor Kriosi vajti te Presidenti i Republikës së Përrallave dhe i kërkoi një autobus kozmik me tridhjetë e dy vende.

***

Autobusi u përgatit dhe të nesërmen, në orën dhjetë paradite, do bëhej nisja me ceremoni nga kozmodromi i Sdikuishtit.

(Vazhdon)