Fëmijët

Kapitulli 3. Mbërritja në Planetin e Kuq

  • Published in Fëmijët

Kapitulli 3 i romanit Presidenti i Planetit të Kuq - nga BEDRI DEDJA 

Mbërritja në Planetin e Kuq.

Çudia më e madhe: njerëzit e Marsit dinin të flisnin edhe shqip 

Shkencëtarët dhe inxhinierët e botës mbushin liqene me djersë duke përgatitur me vite të tëra një sondë. Një sondë për të bërë ca fotografi të Planetit të Kuq. Kurse neve të Sdikuishtit, kryeqytetit të Republikës së Përrallave, na mjafton vetëm një sekondë për të shtypur sustën që autobuzi kozmik me tridhjetë e dy pasagjerë të bëhet gati për udhëtimin 24-orësh drejt Marsit e për të zbritur atje. Ne jemi si Harri Poter me shokët e tij, që edhe tani në shekullin XXI fluturojnë me bishtat e fshesave njëzet-tridhjetë metra mbi tokë.

Autobusi kozmik iu afrua Planetit të Kuq, Marsit. Nga dritaret, përveç shkurreve disa vijave që u ngjanin kanaleve dhe ca vrimave misterioze pranë shkrepave të ulët aty-këtu, nuk shihej asgjë tjetër interesante.

Autobusi hapi parashutën dhe zbriti butë-butë. Menjëherë nxënësit e Akademisë së Kozmosit i dërguan një kozmotelegram Presidentit të Republikës së Përrallave në Sdikuisht. Në telegram shkruhej:

Arritëm mirë. Stop! Jemi të gjithë shëndoshë. Stop! Kolektivi i autobusit kozmik. Stop! Planeti Mars. Stop! Na duket si mëngjes. Stop!

Me skafandra në kokë, kalamajtë e autobusit kozmik bashkë me profesor Kriosin iu afruan njërës prej vrimave misterioze, që ngjante me hyrjen e një tuneli të nëndheshëm. Në njërën anë të hyrjes ndodhej një aparat me buton të kuq, i cili shëmbëllente si telefon. Rreth e rrotull nuk shihej këmbë njeriu.

Ç’të ishte vallë ky aparat si telefon me buton të kuq? Me siguri nuk e kishin vënë kot në atë vend si hyrje tuneli.

Profesor Kriosi, nuk e zgjati shumë, por shtypi menjëherë butonin. U dëgjua një zhurmë e çuditshme, si të binte një tërmet i lehtë. Nuk kaluan as dhjetë sekonda dhe ndodhi çudia…ajo që nuk do ta kishte besuar asnjeri në Tokë, në planetin tonë mëmë, në dalje të tunelit u shfaq ai…njeriu i Marsit, të cilin nuk e kishte parë askush gjer atë ditë. Marsiani ishte më i shkurtër se njeriu i Tokës. Kokën e kishte dy herë më të vogël, ndërsa sytë i kishte dy herë më të gjallë e më të ndezur. Ai u buzëqeshi kalamajve të sapoardhur nga Toka.

Njeriu i Marsit mbante në kokë një skafandër dykatëshe. Në fillim ai bëri një shenjë, me anë të së cilës kuptohej se pyeste nga cili shtet i Tokës vinin vizitorët-kalamaj.

Profesor Kriosi nxori një glob të vogël dhe i tregoi me gisht marsianit republikën tonë me kryeqytet Sdikuishtin.

Marsiani vështroi globin me vëmendje aty ku kishte vënë gishtin Kriosi. Tundi kokën, shtypi një sustë anash në katin e dytë të skafandrës që mbante mbi kokë dhe çuditërisht nisi të fliste shqip. Nga kjo mrekulli e paparë kalamajtë tanë të autobusit kozmik shtangën dhe mbetën pa fjalë. Si ishte e mundur që marsiani të fliste shqip?

Atje në Planetin e Kuq, me kohë kishin shpikur një aparat, të cilin marsianët e mbanin në kokë dhe mund të merreshin vesh në të gjitha gjuhët e Europës, të Afrikës, të Azisë…

-Mirë se arritët!- përshëndeti i pari njeriu i Marsit.-Ne gëzuar shumë miqve.. Shkojmë tani te kryeqyteti jonë atje poshtë…Ne lart nuk jetojmë dot…as ju nuk jetoni dot… pak ajër, shumë pak ujë…Ne jetojmë poshtë nën dhé. Aty ajri dhe uji janë të bollshëm, me temperaturë normale për njerëzit dhe qëniet e gjalla. Këtu filluan mrekullitë e tjera të Planetit të Kuq. Histori më vete!

***

Me një apparat si punë telefoni, që kishte një ekran të vogël, marsiani u lidh me dikë në kryeqytetin e vet, nuk kaloi asnjë minutë dhe te gryka e tunelit u ngjit një vagon me ajër të kondicionuar, i ndriçuar si me dritë diellore. Kalamajtë e tokës, të hutuar e të befasuar u futën pa pipëtirë në vagon bashkë me profesor Kriosin dhe marsianin. Pas një minute ata zbritën në kryeqytet. Sipas tabelës së stacionit ku qëndruan, kryeqyteti i Marsit quhej MARSMREKULLIA.

Kryeqyteti ishte i mbushur me parqe e lulishte, me minikodra dhe miniliqene me vila të vogla një-dhe dy-katëshe. Uzinat, shkollat dhe kopshtet e marsianëve të vegjël ishin të gjitha njëkatëshe dhe të zhytyra në gjelbërim. Dyqanet i kishin vitrinat në degë të trasha drurësh, që uleshin gjer në tokë. Në qendër të kryeqytetit shtrihej një shesh shumë i madh plot me lule mimozash dhe drurë eukaliptesh. Sheshi ishte i mbushur me monumente njerëzish të shquar dhe kafshësh të bukura. Katet e para të vilave ishin të veshura me lule dorëzonjë, era e të cilave t’i ngacmonte aq këndshëm hundët.

Në fund të sheshit ngriheshin vetëm tre rrokaqiej, paralel me njëri-tjetrin. Siç na thanë, i mesit ishte Pallati Presidencial, ai djathtas ishte Akademia e Shkencave dhe majtas Selia e Qeverisë. Presidenti i Marsit më parë këshillohej me akademikët, ndaj dhe i mbante ata kurdoherë në krah të djathtë. Pasi këshillohej me ta, ai shkonte të bënte mbledhjen e qeverisë ose bisedonte me ministrat, të cilët, si kudo në gjithësi, kishin shumë fjalë dhe bënin “shumë zhurmë…shumë zhurmë”

Megjithatë, me gjithë zhurmën e ministrave të atjeshëm, ne jemi si nata me ditën. Këtu në tokë shumë njerëz luftojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.

-Këtu në Mars banorët punojnë e mësojnë, zbaviten e lodrojnë si dhe hanë e pinë mirë.

Qeshin e përqafohen me njëri-tjetrin. Shëtitin nëpër parqe, vrapojnë nëpër stadium, lexojnë në biblioteka e më në fund bëjnë gjumin e qengjit, - u tregoi marsiani kalamajve, që fliste ngadalë si të ishte ndonjë plak i urtë.

Më pas ai i çoi ata në një hotel jo me pesë, por me dhjetë yje. Në këtë hotel thuhej se natën shiheshin vetëm ëndrra të bukura. Para se të ndahej, ai u foli miqve:

-Hani, pini, tregojini përshtypjet njëri-tjetrit dhe pushoni mirë. Nesër do të shkojmë në Festivalin e Përrallave të Kalamajve.

Kalamajtë e Tokës nuk kishin dëgjuar ndonjëherë për festival përrallash. Edhe kjo ishte një çudi tjetër kozmike për ta.

(Vazhdon)