2 Kallëzime nga Gjyshe Pastërtorja
Llahtaria e një nate (kallëzimi i tretë)
nga Bedri Dedja
Një natë, Furça e dhëmbëve, Pasta e dhëmbëve dhe Sapuni u zgjuan të llahtarisur. E para hapi sytë Furça e dhëmbëve, e cila dëgjoi rënkime e të qara që vinin nga jashtë sertarit të komodinës. Më pas, ajo mundi të dallojë edhe një zë që bërtiti :
"Mami moj ! Më dhëmb dhëmballa… O le-le dhëmballa !"
Furça u trëmb dhe menjëherë zgjoi Pastën dhe Sapunin. Më pas, të përqafuar nga frika që të tre, zgjatën veshët për të dëgjuar. Të çuditur shumë, ata shkëmbyen vështrime me njëri-tjetrin, pasi deri atë natë ata nuk kishin dëgjuar askënd duke qarë. Atje në parfumeri, më të shumtën e kohës kishte muzikë ose dëgjoheshin fjalë apo të qeshura me zë të lartë.
Enua vazhdonte te qante me të madhe dhe herë pas here dëgjohej zëri i mamasë së tij që i thoshte :
« Mos qaj, se nesër do të vemi bashkë te dentisti për ti hequr të gjitha dhëmbët dhe dhëmballët e kalbura…Sa keq, që do të mbetesh si pleqtë, pa dhëmbë !" (vazhdon)
Pasta e dhëmbëve tundi kokën me keqardhje. Sapuni psherëtiu.
Në sirtarin e komodinës vazhdonin të dëgjoheshin ende të qarat dhe të çirrurat e çamarokut të vogël.
- Sa keq më vjen për Enon ! – murmuriti përsëri Furça e dhëmbëve. – Po sikur të mbetet me të vërtetë pa asnjë dhëmb e dhëmballë ?
- Po sikur të verbohet nga sklepat e syve ? – shtoi Sapuni me dyshim.
- Po ne, pse qëndrojmë duarkryq ? – ndërhyri Pasta. - Ne duhet ta shpëtojmë Enon.
- Ta shpëtojmë përpara se të mbetet pa dhëmbë e dhëmballë, përpara se të verbohet ! – bërtiti edhe Sapuni.
E kështu, në sirtarin e komodinës u formua ushtria për shpëtimin e Enos.










