Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 11 - Punimi i shkronjës D

Përgatiti: Danjela Lumani

Si e shtunë që është besoj keni programuar mësimin e gjuhës shqipe, duke luajtur mësuesish. Ndërroni rolet edhe sot meqë është ora e dytë e shkronjës “D”, lëreni fëmijën t'iu udhëheqë. Duke luajtur e dukë mësuar, duke folur e duke hyrë në botën magjepsëse të fëmijës tuaj. Mësuesja duhet të përgatitet paraprakisht apo jo? Jepini këtë video (Kliko këtu) fëmijës ta shohë dhe më pas ashtu si folësja t’ua shpjegojë juve.

Shpejt e shpejt gjeni objektet që kanë lidhje me fjalët e mëposhtme për 30 sekonda: 

DARDHA

DERA

DORDOLECI

DRITA

DASHURIA

Dashuria? Po si do e gjejmë dashurinë? Nëse stepet dhe nuk di si ta shpjegojë, jepini një përqafim dhe thuajini që kjo është dashuria, dashuria tregohet edhe me një përqafim.  Nëse i gjen të gjitha për 30 sekonda, hidheni guralecin te kavanozi i dëshirave.

Dhe kështu kemi hyrë në orën e dytë të shkronjës Dd.

Punimi i shkronjës Dd

Situata e të nxënit: Përrallëzat e shkronjave: Drita, dritëza dhe dituria

Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

  • Fëmija ritregon tregimin pasi e dëgjon atë.
  • Lexon tekstin me intonacion.

Fjalë kyçe: dita, drita, dituria

Teknika dhe strategji:  Bisedë, lexim me ndalesa, punë individuale

Burimet e informacionit dhe mjete: PC/laptop; shkronja Dd, 

Lidhje me fushat e tjera: Arte

Përshkrimi kontekstual i situatës

Kërkoji fëmijës të hapë e të mbyllë dritën. Dhe të tregojë dallimin mes dy rasteve. A mund të shikojë në errësirë? Po kur është drita ndezur çfarë ndodh? Pra, mund të shohë gjithçka para syve të tij. A mund të lexojmë dot në errësirë? A mund të bëhemi të ditur në rast se nuk mund të lexojmë? 

Veprimet në situatë

Hapi i parë: Bisedë

Komentoni bashkë pjesën hyrëse të videos

Çfarë shohim te figura? 

Si mendon ç‘lidhje kanë ato me njëra-tjetrën? 

Hapi i dytë: Lexim me ndalesa.

Para se fëmija të lexojë vetë tregimin e “Dita, drita dhe dituria” dëgjoni të dy versionin audio të tregimit (dëgjoje këtu).

Pasi e dëgjojnë tregimin, e lexoni atë deri te pjesa ku libri i pyet “Harrove dritën time”. Jepini mundësi fëmijës të tregojë pjesën e ngelur të tregimit dhe më pas vazhdoni me pjesën e ngelur të tij. 

Një herë dita i tha dritës: “Moj dritë, a e di se pa mua ti nuk do të ishe në këtë botë? 

Çudi-ia bëri drita,-mos do të thuash që ne lindim së bashku? 

Po pra, prandaj të quaj edhe drita e ditës.

Më quajnë edhe drita e diellit, edhe drita e hënës , edhe drita e yjeve, edhe drita elektrike, edhe drita e qiriut, sepse edhe ata kanë dritë. 

Harrove dritën time? -foli një zë i lehtë.

Kush je ti? -pyetën dita dhe drita, duke kërkuar me sy atë që fliste.

Unë jam libri. Libri?-u çuditën ato. 

Si e quajnë dritën tënde dhe ku ndodhet ajo?

Dritën time e quajnë dituri dhe ajo ndodhet në të gjitha faqet e librave. Dita e drita mësuan një gjë të re. Të mësosh nuk është kurrë vonë. 

Hapi i tretë: Punë individuale

Fëmija e lexon tekstin në heshtje dhe më pas e lexon me zë të lartë dhe më pas tregon mesazhin e kësaj pjese leximi. 

Vlerësimi i situatës:

Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:

Lexoj rrjedhshëm tregimin.

Mund ta ritregojë përrallëzën dhe mesazhin që del prej saj. 

Detyrë shtëpie: Ilustrojeni përrallëzën me vizatimin tuaj.

 

Burimi i informacionit: Libër për Mësuesin “Abetare e përbashkët, Shqipëri-Kosovë” 

Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 30 Maj për të vijuar me mësimin 12. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

23 Maj 2020, ©FlasShqip.ca